Vështrim/Analizë

Blerim Muriqi: Ardhja e Kryeministrit shqiptar në Prishtinë ogur i mirë

Fillim javën që po hyjmë kryeministri Edi Rama viziton Kosovën. Po të mos ishte ftohja e pakuptimtë, e cila cyti llumin e shqiptarëve (shqiptarë u thënçin)  kundër tij, ata kujdestarët e të keqes zier në të gjithë ujërat e zeza që e kanë urrejtjen kundër Shqipërisë sonë të mbjellur nga shërbesa e tyre për Serbinë dhe detyrë mbase pengu ku mbahen akoma, kjo do të quhej një vizitë e kryeministrit të shqiptarëve në njërën nga krahinat e vendit të shqipeve.

Tani më kur Salua i mbaruar dhe Lulashi i dërrmuar nuk kanë mbetur adresë as për ta pirë një kafe, se raki jo se jo, gjërat duket se do marrin sadopak për mbarë. Z.Kurti gjeti adresën, e cila ishte këtu tash e njëqind e sa vjet, por që për pak dëlir bëri sikur e humbi busullën dhe deshi të provonte fatin e bretkocës te nalbani.

Zhurma turbulloi orientimin dhe kori i korbave zuri ta quaj Shqipërinë andej Drini bishtin e çështjes shqiptare, sepse sipas këngës kukuvajkë të tyre tashmë ishte përmbysur kupa dhe djali do ia tregonte babës arat.

Por sikur e do rendi fëmija i mbetur në mes të rrugës ia ka nevojën prindit dhe i ati nuk ngurron asnjëherë t’i gjindet në hall fëmijës së tij. E natyrshme, kur dështojnë tjerët do i kthehesh familjes.

Edhe pse kjo vizitë ka shumë për të treguar, ne kësaj radhe do i marrim shportat e vogla fare. Koha e dredhëzave ka ikur. I thonë vjeshtë ďhe mblidhen fruta e të korra tjera.

Çfarë do të korrin shqiptarët në këtë pas dimër marrëdhëniesh që do të duhej të ishte një miks pranverë-vjeshtë, hare dhe të korra?

Gjëja e parë që vihet re është relaksimi i marrëdhënieve dhe të kuptuarit se Kombi nuk ka baba, por ka o fëmijë të mirë o plëngprishës.

E dyta e kësaj vizite do të jetë shembulli i dhënë se duhet të komunikohet mes faktorit politik edhe këtu në Kosovë për gjithçka që është me peshë për vendin.

Kështu sikur po bënë opozita në Kosovë duke e lënë pozitën në vetminë e saj për temat e mëdha, mbase edhe i fërkon duart nga gëzimi mos ajo po dështon apo gabon fort që të përfitoj nga ato gabime apo dështime për të ardhur në pushtet nuk është vetëm nihilizëm por edhe faj i rëndë me pasoja të pariparueshme.

Me shembullin e kryeministrit Rama, i cili përkundër llumit që u hodh mbi të, po vjen ta dëshmoj se kombi është më i madh se inatet, më i madh se smira dhe më i madh se cilado ëndërr në ambicien negative që pjellë egoja dëlirante.

Nga kjo sjellje kanë shumë për të mësuar politkanët e Kosovës dhe jo vetëm.

Sa i përket atyre që mund e do të trajtohen në takimin e kryeministrit të Kosovës me Kryeministrin e Shqiptarëve them se nuk do ketë më shumë se rutina jonë e brendshme e këndej dhe andej Drini.

Uroj të paktën që ky takim mos të mbetet në margjinat e një kurtoazie të të hedhurit hi syve të shqiptarëve!

Nëse vërtetë Kryeministri shqiptar i ka me gjithë mend katër liritë europiane, atëherë ato nuk mund të ralizohen në rajonin tonë pa autoritetin e pranuar shtetëror të Kosovës ose bashkimin e Kosovës Shqipërisë.

Pse mos të fillohet këtu e kështu?!