Ceterum senseo … berishizmi ….
Në Shqipëri sot janë dy klasa, që objektivisht duhej të përfaqësoheshin në parlament së paku prej dy partive përkatëse:
1. Klasa e oligarkëve, tregtarëve, biznesmenëve, sipërmarrësve të mëdhenj e të vegjël, fermerëve, spekulantëve të ndryshëm dhe zyrtarëve publikë, ndërsa në anën tjetër
2. klasa e të paprivilegjuarve, si punëtorë e fshatarë, por edhe shtresa numerikisht dërrmuese e të papunëve të përhershëm e të përkohshëm. Kjo e fundit, ndoshta më e theksuara, si një klasë e ndryshueshme (fluide), në botën e sotme perëndimore klasifikohet si prekariat.
Në të dyja rastet, natyrisht, nuk bëhet fjalë për formacione homogjene klasore, sepse edhe brenda tyre mund të ketë kontradikta dhe përplasje interesash, mirëpo bëhet fjalë thjesht për klasa të privilegjuara dhe të paprivilegjuara.
A janë të përfaqësuara në kuptimin politik në parlamentin e sotëm shqiptar këto dy formacione klasore? Natyrisht, nuk ka shans që të ekzistojë ndonjë formacion që do të mbronte strikt interesat ekonomike të njërës apo tjetrës palë, sepse në parlament mund të hyjnë vetëm ata që interesat partiake e klasore dinë t’i mbështjellin politikisht si duhet me interesin e përgjithshëm nacional.
Kur mori fund komunizmi dhe doli në skenë partia e parë opozitare (PD-ja) në Shqipëri nuk kishte një situatë ndarjesh të dukshme klasore. Kishte vetëm shtresa të ndryshme sociale e profesionale, si punëtorë, fshatarë, zyrtarë publikë të administratës e njerëz të artit e të kulturës. Një personalitet i mbledhjeve të para të PD-së (Janar 1991), me profesion piktor, por jo Edi Rama, jo rastësisht pati folur me përçmim për fshatarësinë “që kishte jetuar në bajga të lopës” dhe vazhdonte t’i shërbente diktaturës. Dhe jo rastësisht do ta diskualifikonte atë klasë më vonë edhe një i majtë, si z. Meta, me shprehjen “kokëpalarë”! Pozitat ishin të qarta: Opozita fillestare ishte një pjellë e shtresës së artistëve dhe intelektualëve dhe jo një formacion përfaqësues politik i ndonjë klase në kuptimin politiko-ekonomik të fjalës. Si e tillë, demokracia prej saj barazohej me lirinë e fjalës dhe jo me formën e qeverisjes. Si rezultat, PD-ja e dinte se kë duhej rrëzuar, por s’ia kishte haberin as për demokracinë dhe as për faktin se çfarë duhej të ndërtonte dhe kë duhej të përfaqësonte. Rrjedhimisht, ekzistonte rreziku i kthimit të saj në një parti-shtet të re, tashmë e polit të djathtë. Dhe jo rastësisht ajo në zgjedhjet e vitit 1996 tregoi disa tipare fashiste. Zona prej nga erdhën themeluesit e parë të PD-së gjithashtu flet shumë: bëhet fjalë për një zonë feudo-fisnore ku më parë kishin ekzistuar përplasje fisnore por jo klasore, siç ishte rasti me jugun e Shqipërisë. Mirëpo si mund të ekzistonte një e djathtë pa klasën e pronarëve kapitalistë? Natyrisht që ajo do të lidhej me atë grupacion social të përmendur në paragrafin e parë. Me kalimin e kohës, edhe PS-ja mori po ato tipare që synonte PD-ja: tradhtoi interesat e të paprivilegjuarve dhe u bë edhe ajo një përfaqësuese e kategorisë nga paragrafi nr. 1. Paradoksalisht, pikërisht ajo parti që fillimisht fliste me përbuzje për fshatarësinë, tani kontingjentin më të madh të votuesve e siguron pikërisht prej saj. Kjo për arsye se stili i saj qeverisës nuk është reformuar që prej dekadash dhe ka vazhduar të imitojë plotësisht stilin autoritarist të Partisë së Punës, duke zhvendosur kësisoj votën urbane drejt PS-së.
Është interesante pozita tragjikomike e monarkistëve shqiptarë që u përpoqën të ringjallnin me lloj-lloj metodash pikëpamjet monarkiste në Shqipëri. Ata u bënë akoma më qesharakë se sa bejlurçinat që i shpotiste Fan Noli në parathënien e tij për “Don Kishotin e Mançës”. Familjet e mëdha feudale, si psh. toptanët e vrionasit, të cilët duhej të ishin shpronësuar me ndonjë reformë agrare qysh në kohën e mbretërisë zogiste, ishin fshirë plotësisht nga kujtesa kolektive shqiptare që prej gjysmë shekulli. Dhe ishin fshirë në atë farë feje, sa s’kishte asnjë shans që të ktheheshin në ndonjë synim politik apo social-klasor pas viteve 90. Disfata që pësoi dhe mësimi që mori Leka Zogu në referendumin përkatës me 1997 ishte verdikti i shekullit që i dha populli shqiptar nocionit të monarkisë. Është qesharake, në mos për të qarë, që sot po përpiqet dikush që ta sjellë sërish në skenën politike këtë ide anakronike dhe anti-historike.
Ajo për të cilën ka nevojë sot shoqëria shqiptare është një e djathtë e vërtetë dhe një e majtë e vërtetë. Dhe për t’u krijuar dy parti të tilla të qytetëruara, duhet të bjerë nga skena e politikës shqiptare i gjithë lidershipi i partive të sotme, që nga Berisha e Rama, deri te Meta e të tjerët. Mirëpo parakushti i çfarëdo ndryshimi të mëtejshëm pozitiv është heqja nga skena e politikës shqiptare një herë e përgjithmonë i faktorit Berisha. Dhe me këtë rast nuk është e tepërt të përsëritim edhe për të formulën e moçme të senatorit romak, Katonit plak, për Kartagjenën: “Ceterum senseo* … berishizmi … ” Sepse ky i fundit është kthyer sot vërtetë në një «Hanibal» anti-shqiptar. Sepse Berisha dhe berishizmi sot përfaqësojnë trashëgiminë më të shëmtuar të autoritarizmave historikë shqiptarë, monarkizmit zogist dhe komunizmit enverist.
* Ceterum censeo Carthaginem esse delendam (lat.) – Përveç kësaj, mbroj pikëpamjen se Kartagjena duhet shkatërruar.
add a comment