Lëvizja\UÇK

Berat Luzha: si nuk munda t’i bashkohem demonstratës së 26 marsit 1981 (Kujtime)

Kujtime: SI DËSHTOVA T’I BASHKANGJITEM DEMONSTRATËS SË 26 MARSIT 1981
Ditë pune e fundmarsit dhe fillimpranverës 1981. Pranvera po i çelte sytë e bashkë me ngrohtësinë e saj po vinte edhe një pranverë tjetër, pranvera e nxehtë (politike) shqiptare. Po vinte pranvera ashtu si nuk kishte ardhë kurrë më parë.
Si korrespondent i gazetës “Rilindja” nga Ferizaj, u nisa në mëngjes për punë. Rreth një orë udhëtim këmbë, pastaj me automjet të rastit mbërriva në Ferizaj. Takimi i parë, afër zyrës sonë, me kolegët gazetarë, Rexhep Rifatin, gjithashtu korrespondent i “Rilindjes” dhe Haki Brahën, korrespondent i RTP-së. Hakiu, person shumë i angazhuar dhe i informuar politikisht, sapo u takuam, ma dha lajmin e parë, atë lajmin e ditës; – Sot, në mëngjes, në Prishtinë, te konviktet ka përsëri demonstrata. Çka?! Për një kohë u shtanga. Nuk dija ç’të bëja. Të rri në zyrë në Ferizaj apo të shkoj në Prishtinë dhe t’u bashkangjitem demonstruesve. Megjithatë, vendosa të shkoj. Kolegëve u thashë, kam një punë në Prishtinë dhe sot jam nis për Prishtinë.
U ndava prej tyre, nxitova ta zë autobusin e parë te Stacioni i Autobusave i Ferizajt. Në Prishtinë, rreth orës 11. Stacioni i autobusave i Prishtinës atëherë ishte afër Stacionit të Trenit dhe jo larg Pallatit të Shtypit. Hyra në redaksinë e “Rilindjes” të shihja atmosferën aty dhe nëse mund të mësoja diçka më tepër. Gjendje e trazuar, lëvizje andej këndej e gazetarëve. Nuk fola me kend. Pas pak dola nga Redaksia për t’iu bashkuar demonstratës, edhe pse nuk e dija ku po bëhej, në oborrin e Qendrës së Studentëve apo kishte kaluar në qytet. Për çudi, që nga dalja nga Pallati i Shtypit filloi të më shoqëronte njëri nga gazetarët e “Rilindjes”, i cili nuk më ndahej. Asnjëherë nuk isha shoqëruar me te, ndaj edhe fillova të dyshoj.
Atë ditë Prishtina përjetonte dy ngjarje me rëndësi të posaçme, por kundërshtuese njëra me tjetrën: Demonstratën e Studentëve në Qendrën e Studentëve dhe pritjen e stafetës së Titos, në qendër të qytetit. E ashtuquajtura “stafeta e Titos” ishte një simbolikë e përvitshme politike jugosllave që i kushtohej ditëlindjes së kryetarit të Jugosllavisë, Titos dhe bartej solemnisht dorë më dorë nëpër të gjitha viset e Jugosllavisë. Kolegu, me të cilin isha, ishte nisur për në tubimin e stafetës para Teatrit Krahinor kurse unë të shkoja në demonstratë. Rrugëtonim bashkë, po caqet i kishim të kundërta. Për t’ia hequr çdo dyshim të mundshëm, tash edhe unë u detyrova ta ndryshoj cakun, e shoqërova kolegun deri në tubimin në qendër e pastaj të ndahem prej tij.
Në sheshin qendror të Prishtinës ishte tubuar një turmë e madhe njerëzish, kurse mbi shkallët e Teatrit Krahinor qëndronte elita e atëhershme politike e Kosovës, në krye me M. Bakallin e D. Ristiqin. U mbajtën fjalime dhe u dha një program artistik. Një këngë me lahutë e kënduar nga aktori i Teatrit. Atmosfera në tubim dukej e zbehtë dhe e frikshme. E frikshme sepse “në ditën e stafetës së shokut Tito“, jo larg nga aty, po bëhej një demonstratë, një demonstratë që mund të rrëshqiste deri te tubimi i tyre.
Pasi gjatë tubimit isha ndarë nga kolegu, u nisa kah Radio Prishtina, mundësisht për t’u bashkuar me demonstruesit. Kur mbërriva aty ku sot ndodhet Pro Credit Banka, atëherë i quajtur “Te 3 Sheshirat”, parakalonte kolona e gjatë e kampanjollave të milicisë, të mbushura plot e përplot me studentë, me demonstrues të arrestuar. Eca edhe pak dhe e pyeta njërin: – Çka po bëhet bre te konviktet e studentëve? Milicia, tha, i ka rreh shumë studentat dhe i ka burgos.
Në mbrëmje u ktheva në fshat i lodhur e i rraskapitur fizikisht e psiqikisht. Dikush më tha se kanë thirrë në mbledhje te shkolla. Shkova. Hajt, çka po thojnë. Kishin ardhë nga komuna, në mesin e tyre edhe kryetari i rinisë komunale, të cilin tetë vjet e kisha shok shkolle dhe shok klase. Me një butësi të çuditshme shpjegonin për karakterin e demonstratës së 11 marsit, se ato ishin për kushte të studentëve, duke mos e zënë në gojë asnjëherë demonstratën që ishte zhvilluar po atë ditë. Para rreth 20 – 30 vetëve, që ishin në një klasë të shkollës, ata arsyetoheshin se si studentëve u janë krijuar të gjitha kushtet, se kishin ndërtuar konvikte, mensë etj. Më i rrepti ishte ish-shoku im i klasës, i cili na mbajti një “mësim” për vëllazërim – bashkimin, për “vlerat e shoqërisë sonë socialiste vetqeverisëse” etj. Një fshatar, me zë të ulët të mos e dëgjonin pushtetarët, tha: Çka po folin more këta, edhe sot kish kris në Prishtinë? I mbushur mllef, nuk munda pa folë, duke e paraqitur gjendjen e studentëve të vështirë dhe demonstrimin pak a shumë të arsyeshëm. Gjithashtu, me tone kritike foli edhe shoku i celulës ilegale, Kadri Luzha, nxënës. Kur foli edhe ai, e pashë se kemi ra në sy të keq të pushtetarëve, veçanërisht të atij shokut të klasës, që na njihte mirë, i cili sapo kishte filluar t’u ngjitej shkallëve të karrierës politike. Nuk shkoj shumë kohë, pas një jave, më 2 prill, unë rashë në burg kurse Kadriu u mor disa herë në biseda informative, të shoqëruara edhe me tortura.
Që nga atëherë kaluan 41 vjet, po vrragët e jetës nuk shërohen e nuk harrohen kurrë.