Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CLXXXIX) – VLORA – qyteti i Flamurit dhe i krenarisë shqiptare

Shtegtime nëpër Atdhe (CLXXXIX)
VLORA – QYTETI I FLAMURIT DHE I KRENARISË SONË KOMBËTARE
A ka dikush që nuk e ka vizituar Vlorën, “Qytetin – Hero” e “Nderin e Kombit”, të cilën të gjithë e quajnë me krenari si Qyteti i Flamurit? Vlora është qyteti me nam, një perlë e veçantë në breg të Adriatikut që të rrëmben me bukurinë e saj. Qyteti mesdhetar i Vlorës, i ndodhur aty ku takohen detërat, është një qendër e rëndësishme administrative, ekonomike, detare, tregtare, turistike, universitare, është një port detar e së shpejti edhe port ajror. Vlora lidhet me autostradë me Durrësin e Tiranën dhe me transport detar me Brindizin e Barin, në Itali. Hekurudha, që lidhte Vlorën me rrjetin e hekurudhave shqiptare tashmë nuk funksionon.
Qyteti i Vlorës, me gjurmë që nga shek. VI p.e.r. dhe i themeluar gjatë pushtimit romak, ka bartur një emër të vjetër dhe të qëndrueshëm që nga antika (Aulona, Avlona, Avlonya, Aulon, Avlon, Vlona). Është përmendur në shek. II e.r. nga shkrimtari Lukani dhe gjeografi Ptolemeu. Qyteti është pushtuar shumë herë gjatë historisë së tij; Në shek. IX bënte pjesë në Themën e Durrësit, në vitin 1081 ka rënë nën pushtimin norman, kur edhe paraqitet në hartën e gjeografit arab, Al Idrisi, në vitin 1205 ka rënë nën Venedikun, në vitin 1272 është përfshirë në mbretërinë e Arbërisë, në vitin 1345 pushtohet nga Perandoria serbe, kurse osmanët e morën në vitin 1417. Kështu, Vlora bëhet porti i parë Osman në Detin Adriatik, duke u bërë qendër e madhe tregtare dhe bazë e rëndësishme ushtarake. Nga Vlora disa herë janë nisur trupat osmane për pushtimin e Otrantos, si dhe fushatat detare kundër Venedikut.
Defterët osmanë në vitin 1506 paraqesin shifrën prej 762 shtëpive (rreth 4000 banorë), prej të cilave 97 shtëpi ishin hebreje. Sipas regjistrimit osman të vitit 1520 Vlora kishte 803 familje të krishtera dhe 531 familje çifute me gjithësej 6500 banorë. Kjo shifër e bën Vlorën si qytetin më të madh në trojet shqiptare të asaj kohe. Në vitin 1920 Vlora kishte 4000 banorë, në vitin 1989 – 72 mijë banorë, ndërsa sot ka rreth 120 mijë banorë.
Historia 600-vjeçare e hebrenjve të Vlorës sot ka mbetur vetëm në kujtesën e mirë të qytetarëve vlonjatë. Hebrenjtë kishin krijuar në Vlorë një bashkësi të veçantë dhe të organizuar me shekuj. Të ardhur në shek. XV, familjet e fundit hebreje janë larguar pas vitit 1990. Edhe pse kishte shumë, vlonjatët i mbrojtën dhe i fshehën gjatë LDB dhe asnjë nuk iu dorëzua nazistëve gjermanë.
Vlora është kryeqyteti i parë i Shqipërisë së pavarur. Në Vlorë, më 28 Nëntor 1912 Kuvendi Kombëtar shpalli Pavarësinë e Shqipërisë dhe formoi qeverinë e parë shqiptare, në krye me Ismail Qemalin. Në vitin 1914 Vlora u pushtua nga Italia, mirëpo Lufta e Vlorës e vitit 1920 e detyroi ushtrinë pushtuese të tërhiqet.
Në antikë Vlora dallohej për prodhimin e ullinjve, të kripës e të verës. Dikur qyteti e kishte të zhvilluar industrinë e peshkimit, të kripës, të naftës, të bitumit, të gazit natyror, të tekstilit, të ndërtimit, por që më vonë ishte shkatërruar pothuaj e tëra. Kohëve të fundit është zhvilluar me hapa të shpejt turizmi dhe hotelieria. Sot Vlora është një qendër tregtare, detare, turistike, industriale, e peshkimit… Vlora ka një termocentral të veçantë, me kapacitet prej 97 MW, që funksionon me naftë dizel dhe, për shkak të kostos së lartë të prodhimit, punon vetëm kur ka krizë energjetike në vend. Së shpejti Vlora do ta ket edhe aeroportin e vet dhe një port të ri turistik, portin e jahteve apo portin Marina Vlorë.
Vija bregdetare e Vlorës ka bukuri të shumta natyrore. Ajo është e pasur me lokalitete arkeologjike, kështjella, shpella, kodra, fshatra, parqe natyrore, etj. Dallojmë lokalitetin arkeologjik të Triportit, zonën e Ujit të Ftohtë me plazhin publik, zonën e Jonufrit, Radhimën etj. Pak më tutje shtrihet Parku Kombëtar i Marinës Sazan – Karaburun, një park i veçantë detar, i vetmi i këtij lloji në bregdetin Adriatik. Mozaikut turistik të Vlorës i shtohen edhe Gadishulli i Karaburunit, Ishulli i Sazanit, fshati Kaninë, Parku Natyror i Llogarasë, Laguna e Nartës, Ishulli i Zvërnecit, qyteti i Orikut, Amantia e lashtë, shumë plazhe, gjire detare etj. Kësaj mrekullie natyrore duhet t’i shtohen edhe monumentet e shumta kulturore e historike; Sheshi i Flamurit, Monumenti i Pavarësisë (1972), Muzeu i Pavarësisë (1936), Muzeu Historik, Muzeu Etnografik, Varrezat e Dëshmorëve, muri i qytetit antik të Aulonës, Manastiri i Zvërnecit, Xhamia Muradie, Tyrbja e Kuzum Babasë, stadiumi i futbollit “Flamurtari” me 15 mijë vende, Universiteti “Ismail Qemali”, teatri “Petro Marko”, biblioteka “Shefqet Musaraj”, shtatoret e Marigo Posios, Avni Rustemit, Ismail Qemalit, Isa Buletinit, Hasan Prishtinës etj.
Turistët apo vizitorët e Vlorës nuk duhet ta humbin rastin për t’u ngjitur në kodrën e Kuzum Babasë, ku ndodhet teqeja dhe nga mund të shihet qyteti si në pëllëmbë të dorës. Pastaj, vlenë për ta vizituar fshatin e Donikës e të Ismail Qemalit, Kaninën antike me kështjellën e saj të shek. III p.e.r. Vetëm nga deti mund të vizitohet shpella interesante e Haxhi Alisë në shkëmbinjtë e Karaburunit. Laguna e Nartës, me rreth 200 lloje shpendësh deti, duke përfshirë shpendët e rrallë, si pelikanin kaçurrel, shqiponjën bishtbardhë, skifterin shtegtar, flamingon etj., është ngjitur me fshatin Zvërnec, që paraqet një mrekulli të vërtetë, ku ndodhet Manastiri i shek. XII dhe varri i Marigos, që lidhet me pjesën kontinentale përmes një ure të drunjtë për këmbësorë, e gjatë 200 m.
Vlora është e pasur me shumësi të plazheve, që fillojnë nga Zvërneci deri te Ujët e Ftohtë, Radhima e deri në Orik. Pushimet në Vlorë mund të shoqërohen edhe me veprimtari të shumta sportive avanturiste, siç janë: zhytja, hedhja me parashutë (paragliding), rafting, lundrim me kajak, kanoe, çiklizëm etj. Pos tjerash, turizmi vlonjat mbështetet edhe në monumentet kulturore, siç janë folklori i pasur karakteristik, kultura, objektet e kultit, veshjet tradicionale, zakonet e lashta, pastaj trashëgimia historike e natyrore, lokalitetet dhe zbulimet arkeologjike. Deti i Vlorës ka faunë të zhvilluar, nga të cilat përmendim aragostën, saragoin, morenën, qefullin, kocen, levrekun, barbunin, karkalecin e detit.
Një vlerë shpirtërore e Vlorës me rrethinë, kryevepër e trashëgimisë kulturore gojore, e përfshirë si pasuri botërore në UNESCO, është isopolifonia labe, e cila përbën këngë të lashta popullore të trashëguara brez pas brezi. Në qytetin e Vlorës organizohet me sukses festivali ndërkombëtar “Aulona InterFolk Festival”, ku shpalosen vlerat folklorike e kulturore shqiptare dhe të shumë popujve evropianë.
Deti, natyra, historia, kultura shpërthejnë në Vlorë më shumë se kudo tjetër. Pasuritë natyrore dhe kulturore e bëjnë Vlorën një qendër të rëndësishme të turizmit shqiptar dhe evropian. Ajo përbën dhe përçon pasuri të mëdha dhe vlera të veçanta gjithandej, në qytet dhe në rrethinën e saj. Ndërsa, vlonjatët janë mëse krenarë me qytetin e tyre; me historinë, kulturën, trimërinë… Krenohet veçanërisht me me 28 Nëntorin 1912, me luftën e Vlorës 1920, me Luftën Nacionalçlirimtare e me shumë luftëra tjera atdhetare e liridashëse. Nuk thonë kot se vlonjatët “e kanë gjoksin gropë”. Por, jo vetëm vlonjatët, me Vlorën krenohet mbarë kombi shqiptar. Poeti Ali Asllani do të këndojë:
Vlora trime shqipëtare
si rob jetën s’e do fare,
a do mbetet Shqipëri,
a do bëhet tym e hi!
Vlorën gjithësesi duhet vizituar, jo vetëm për natyrën e saj mahnitëse, jo vetëm për historinë heroike e monumentet e shumta, por edhe për t’i njohur vlonjatët; karakterin e tyre të fortë, krenarinë e bujarinë e tyre të pashoqe.