Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CLXXX) – Besiana – qyteti i vjetër i krahinës së Llapit

Shtegtime nëpër Atdhe (CLXXX)
BESIANA – QYTETI I VJETËR I KRAHINËS SË LLAPIT
E quajtur edhe si Podujeva apo Podjeva, Besiana është qytet dhe qendër komunale e krahinës së Llapit në verilindje të Kosovës. Vendbanimi është ndërtuar në rrugën antike Lezhë – Nish, kurse edhe sot nëpër Besianë kalon rruga Prishtinë – Nish. Nëpër Besianë, përmes saj, përshkon lumi Llap, lumë i cili edhe krahinës ia ka dhënë emrin e vetë.
Besiana ndodhet rreth 30 km nga Prishtina, 42 km nga Mitrovica dhe krejt afër vijës kufitare Kosovë – Serbi. Nga Besiana degëzohen rrugët lokale dhe rajonale për Mitrovicë, përmes Kaçandollit, për Pollatë, për Orllan etj. Që nga viti 1948 e deri në vitet 90-ta të shekullit të kaluar Besiana ishte e lidhur edhe me hekurudhë me Prishtinën e Nishin. Sot kjo hekurudhë është jashtë përdorimit, e shkatërruar në tërësi.
Krahina e Llapit, e gjatë rreth 20 km dhe e gjerë 5 km, ka qenë e banuar nga ilirët e fisit dardan që nga neoliti. Në mesin e tri stacioneve rrugore në Dardaninë e kohës romake është edhe Statio Vindenis në fshatin Gllamnik. Në lokalitetin antik të Vindenisit është zbuluar “Mozaiku i Orfeut”, një gjetje unike në Ilirik e më gjerë. Ky mozaik është plaçkitur dhe sot gjendet në Muzeun e Beogradit. Në lokalitetin arkeologjik të Gllamnikut është gjetur edhe një sarkofag i mermerit, tre tonë i rëndë, që ruhet në oborrin e Muzeut të Kosovës. Aty është zbuluar kështjella, gërmadha e një vendbanimi, pastaj janë gjetur një vorbë qelqi, stoli argjenti, monedha, enë etj. Njëra nga monedhat e gjetura paraqet figurën e perandorit Konstantin. Pas rrënimit të Vindenisit është rritë roli i vendbanimit të Besianës së sotme.
Sipas regjistrit kadastral osman të vitit 1455 Besiana kishte 43 shtëpi, kurse në vitin 1566 kishte 80 shtëpi. Gjatë Perandorisë Osmane Llapi kishte statusin e nahisë në kuadër të Sanxhakut të Viçitrinës. Qendër e Nahisë së Llapit, në shek. XIX, ishte Besiana, kur aty ishin ndërtuar mullinj, dyqane e lagje të qytetit. Në sallnamet e Vilajetit të Kosovës të vitit 1893 Besiana gjendet e regjistruar me emrin Podjeva. Vendimet e Kongresit të Berlinit ia afruan Besianës kufirin me Serbinë në prag të derës.
Tërheqja e Perandorisë Osmane nga trojet shqiptare, në vitin 1912, bëri që edhe Llapin ta pushtojë Serbia, e cila këtu erdhi me vrasje, djegie dhe dëbim të popullsisë vendore. Shumë llapjanë u dëbuan nga vatrat e tyre dhe morën rrugën për Turqi, për të mos u kthyer kurrë më në atdhe.
Territori i komunës së Besianës përfshinë afërsisht ujëmbledhësin e lumit Llap, që fillon nga Mali i Argjentë (Monte Argentorum) ose Kopaonik, i lartë 1789 m. e deri në Grykën e Llapit, te fshatrat Besi e Barilevë, ku Llapi lidhet me Fushën e Kosovës. Pos krahinës së Llapit, komuna e Besianës përfshinë edhe disa fshatra malore të Malësisë së Gallapit; që nga Batllava në Metergoc dhe nga Turuqica në Keçekollë.
Në vitet 80-ta Besiana ka pas zhvillim më të madh ekonomik, kur kishte 16 organizata ekonomike e shoqërore me rreth 2500 punëtorë. Gjatë viteve 90-ta, gjatë luftës dhe pas luftës, përmes procesit të privatizimit, e gjithë ekonomia e trashëguar nga sistemi monist është shkatërruar dhe në vend të saj kanë lindur ndërmarrjet e vogla private, kryesisht në sektorin e tregtisë dhe të shërbimeve. Sot, pos tregtisë dhe shërbimeve publike, popullsia merret edhe me bujqësi, blegtori e pylltari, ngapak edhe me turizëm.
Gjatë historisë Besiana dhe në përgjithësi krahina e Llapit kanë dhënë kontribut për mbrojtjen e territoreve shqiptare nga vërshimi serb. “Çeta e Llapit” me Ali Ajetin, në vitin 1989 ishte paraprijëse e luftës për liri. Edhe në luftën çlirimtare, që nga beteja e parë, më 15 shtator 1999 e deri në fund të luftës, e organizuar nga Zona Operative e Llapit e UÇK-së, treva e Llapit ka dhënë kontribut të madh, duke qenë një vatër e nxehtë e luftës çlirimtare. Nga kjo trevë heroike janë edhe heronjtë Adem Demaçi – Nderi i Kombit, Zahir Pajaziti, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu e shumë të tjerë. Sot sheshin e Besianës e zbukurojnë tri shtatoret e prijësve të UÇK-së; Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu e Ilir Konusheci. Pastaj, kompleksi përkujtimor “Baza e Parë e UÇK-së” ndodhet në fshatin Lladoc, kompleksi përkujtimor “Zahir Pajaziti” në Turuçicë e shumë përmendore tjera për personalitete të lavdishme historike.
Komuna e Besianës, me 77 fshatra, është një trevë e populluar dendur. Me dëbimin e popullsisë shqiptare nga Toplica e Jabllanica në vitet 1877 – 1878, në Llap gjetën strehim shumë familje “muhaxhire”. Popullsia e kësaj komune, të quajtur si llapjanë, është dyfishuar që nga regjistrimi i parë pas LDB në vitin 1948, kur krahina e Llapit kishte rreth 42 mijë banorë, kurse në vitin 2011 kishte 88.5 mijë banorë. Një pjesë e madhe e banorëve të Llapit janë shpërngulur në Prishtinë dhe një pjesë tjetër në botën e jashme.
Llapi është një krahinë gjeografike dhe etnografike e rrethuar në të gjitha anët me male. Territori është terren i rrafshët fushor me tokë pjellore në lartësi mbidetare deri 650 m. Lumi Llap, pos pjesës burimore, është lumë fushor, që përshkon mespërmes dhe tejpërtej fushën e Llapit. Llapi buron në shpatet e malit Argjent (Kopaonik) dhe pas 77 km rrugëtim derdhet në Sitnicë. Nga 77 km, nëpër territorin e komunës së Besianës lumi përshkon 61 km.
Besiana është një qytet i bukur dhe një qendër e rëndësishme ekonomike, tregtare… Për shkak të pozitës gjeografike, që nga antika e deri tash Besiana ka qenë një pikë strategjike me rëndësi historike. Edhe sot qytetin e përshkon rruga e rëndësisë së veçantë që lidhë Kosovën me Serbinë e më gjerë dhe në afërsi të saj gjendet pika kufitare e Merdares.
Krahina e Llapit shquhet për bukuritë natyrore, veçanërisht për Liqenin e Batllavës dhe brigjet e tij magjepse, për fshatin turistik të Orllanit e të shumë fshatrave tjerë të kësaj ane. Liqeni i Batllavës është ndërtuar në rrjedhën e një lumi të vogël dhe të një natyre të bukur në vitet 60-ta, me qëllim të furnizimit të termocentraleve “Kosova” me ujë industrial. Mirëpo, sot ky basen i madh shfrytëzohet për furnizimin me ujë të pijes të një regjioni të gjerë, duke përfshirë edhe qytetet Prishtinë, Besianë, Fushë-Kosovë, Kastriot etj. Gjithashtu, liqeni përdoret edhe për turizëm, peshkim etj.
Ndërtimi dhe shndërrimi i Besianës në një qytet të bukur bashkëkohor. Pastaj është Liqeni i Batllavës në afërsi të saj, është natyra e mrekullueshme e Grykës së Llapit, është edhe mali i Kaçandollit që krijojnë parakushte për zhvillimin e gjithanshëm ekonomik, veçanërisht për zhvillimin e turizmit në këtë anë.
Një udhëtim nëpër krahinën e Llapit dhe rreth brigjeve të lumit Llap krijon mbresa të pashlyeshme, që nuk harrohen, ndaj ia vlenë. Ia vlenë një udhëtim i tillë edhe për ushqimin organik dhe tradicional në objektet e shumta hoteliere gjithandej.