Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CLVII) – BURIMI – qyteza që mori emrin e burimit të një lumi

Shtegtime nëpër Atdhe (CLVII)
BURIMI (ISTOGU) – QYTEZA QË MORI EMRIN E BURIMIT TË NJË LUMI
Dikur fshat i vogël, Burimi ose Istogu sot është një qytezë e qetë, qendër komunale e 50 fshatrave që ndodhen në Dukagjinin verior. Qyteza e Burimit, 25 km nga Peja, shtrihet në një fushë të begatshme rrëzë malit Mokna, me majën më të lartë, Majën e Zezë (2155 m). Fusha e gjerë, në lartësi mbidetare 400 – 500 m., që laget nga shumë rrjedha ujore, është tokë pjellore me florë e faunë të zhvilluar. Në afërsi të drejtpërdrejt të qytezës ndodhet burimi i fuqishëm i lumit Istog, burim ky që ia ka dhënë emrin qytezës – Burim.
Hapësira ku gjendet Burimi ka qenë e banuar qysh në kohët e lashta nga ilirët e fisit dardan. Përmendet se në vendin ku gjendet sot qyteti i Burimit ishte një koloni romake. Në vitin 1913, pas pushtimit serb, Burimi bëhet qendër administrative e rrethit, në përbërje të të cilit u formuan gjashtë komuna. Në vitin 1942 shpallet qytezë, kurse në vitin 1978 – qytet.
Kjo zonë, ndryshe e quajtur Podgur, ka klimë të butë kontinentale, kurse deri në komunën e Burimit depërton edhe rryma e ngrohtë mesdhetare. Këtu njihet fenomeni i erërave të forta të veriut, më të fortat në Kosovë e regjion, që ndonjëherë fryejnë deri në 120 km në orë, me ç’rast shkaktojnë dëme të mëdha materiale.
Burimi njihet për shumë burime e rrjedha të ujit që zbresin nga mali. Gjatë sundimit osman kjo trevë ka qenë i njohur për mullinjtë e ujit dhe punëtoritë që punonin me ujë për përpunimin e zhgunit.
Rrethi i Burimit gjithmonë ka qenë një zonë e banuar me dendësi dhe me shumicë të popullsisë shqiptare. Një regjistrim i popullsisë i vitit 1921 ka dhënë shifrën prej mbi 20 mijë banorë, nga të cilët mbi 13 mijë ishin të etnisë shqiptare. Deri në vitin 1941 regjimi serb, me qëllim të kolonizimit, në Rrethin e Burimit ka vendosur 1234 familje serbe, të ardhura nga vise të ndryshme të Jugosllavisë mbretërore. Kolonët kanë përbërë rreth 17 për qind e popullsisë së Rrethit. Sipas regjistrimit të vitit 1981 komuna e Burimit kishte 50 mijë banorë, kurse sipas regjistrimit të vitit 2011 – 36 mijë.
Vendbanimi i lashtë i Banjës është i njohur për ujin e ngrohtë mineral, i cili është shfrytëzuar për mjekim që nga ilirët e romakët e shfrytëzohet edhe sot. Gjithashtu, që nga koha e sundimit romak në Banjë është shfrytëzuar mermeri, i njohur me emrin Onix. Në këtë zonë ndodhen rezerva të mëdha të thëngjillit linjit.
Në Gurakoc, qendra e dytë urbane e komunës, ende ndodhet ndërtesa e burgut famëkeq. Në këtë burg kanë vuajtur dhe janë torturuar mijëra shqiptarë para dhe gjatë luftës. Komuna ka marrë vendim të rrënohet, por janë shumë persona, të cilët kanë vuajtur aty, të cilët e kundërshtojnë rrënimin, me kërkesë që ndërtesa e vjetruar dhe e rrezbitur të kthehet në muze.
Edhe Burimi ishte i përfshirë në luftime mes UÇK-së dhe forcave pushtuese serbe. Lufta solli shumë viktima njerëzore dhe dëme të mëdha materiale. Mijëra banorë ishin detyruar me forcë t’i lëshonin shtëpitë e tyre. Forcat serbe kanë vrarë, arrestuar, torturuar e plaçkitur popullsinë civile, kanë shkatërruar apo dëmtuar rëndë mëse 5000 shtëpi të banimit. Në masakrën e forcave serbe në Burgun e Dubravës, në maj 1999, janë ekzekutuar barbarisht 117 të burgosur shqiptarë dhe qindra të tjerë janë plagosur.
Komuna e Burimit ka bukuri të rralla natyrore; natyrë të pastër mjedisore, fusha pjellore, male e bjeshkë të pasura me florë e faunë, gryka mahnitëse malesh, ujë të freskët burimi dhe ujë të nxehtë mineral, klimë të përshtatshme e ajër të pastër e të shëndetshëm. Si regjion fshatar bujqësor e blegtoral, me kushte të mira klimatike e gjeografike, janë krijuar mundësi për zhvillimin e bujqësisë, të blegtorisë, për rritjen e peshkut, për turizëm malor, fshatar, shëndetësor, kulturor… Uji i burimit të lumit shfrytëzohet dhe përdoret për pije në shumë vendbanime të kësaj ane dhe për ujitjen e fushës së gjerë. Në qytezën e Burimit, në rrjedhën e lumit të Istogut, funksionon me sukses kompania e privatizuar, më e madhja e peshkut në Kosovë, mbase edhe në rajon, me emrin “Trofta”. Gjithashtu, banorët e kësaj ane njihen për kultivimin e pemëve e perimeve. Janë ngritur pemishte të mëdha të mollës, siç është plantazhi i mollëve në 80 hektarë në fshatin Kovragë.
Burimi me rrethinë ka trashëgimi shumë të pasur natyrore dhe kulturore e historike; 72 kulla shekullore, shumë mullinj me ujë, tetë xhami të vjetra, tri kisha ortodokse, Urën e Gurit në Zallq (1665), disa kroje, 11 vende arkeologjike, shpella nëntokësore etj. Në afërsi të fshatit Shushicë gjendet “Shpella e Shkëmbit të Vogël”, ende e pahulumtuar, por që dihet se ka 11 “dhoma” të formave të ndryshme. Në fshatin Syriganë gjendet shpella e vjetër e Kamer Loshit. Këtë shpellë dikur e kanë përdorë luftëtarët për liri si një strehim të sigurt. Gjithashtu, kjo trevë është dalluar për veshjen tradicionale të veçantë, e njohur si veshja e Podgurit. Gjetjet arkeologjike dhe eksponatet me vlera kulturore e historike ruhen në Muzeun e Qytetit, që është i vendosur në Shtëpinë e Kulturës, aty ku shihen eksponate që nga veshjet origjinale ilire në kohën e gurit e deri te oda tradicionale shqiptare. Deri në vitin 1999 në komunën e Burimit kishte pesë biblioteka me rreth 48 mijë libra, por gjatë luftës janë shkatërruar dy biblioteka dhe janë shkatërruar rreth 30 mijë libra.
Burimi i lumit Istog është vendi më i vizituar dhe atraksioni më i madh turistik i këtij qyteti. Lumi buron nga shkëmbinjtë mbi qytet, kurse vendburimi shfrytëzohet për ecje në natyrë, për not e piknik. Aty janë ndërtuar lokale hoteliere për pushim, për pije e ushqim. Vende të bukura turistike ka gjithandej qytezës dhe fshatrave të komunës, qofshin ato malore apo fushore. Burimi shpejt mund ta merr pamjen e një qyteti të vërtetë turistik, me vlera të veçanta autoktone.