Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CLV) – Kaçaniku – qyteti historik i qëndresës dhe lavdisë

Shtegtime nëpër Atdhe (CLV)
KAÇANIKU – QYTETI HISTORIK I QËNDRESËS DHE I LAVDISË
Në jugun e Republikës së Kosovës, në një fushëgropë mes maleve të Sharrit e të Malit të Zi të Shkupit, në hyrje të Grykës së Kaçanikut, aty nga përshkojnë e pikëtakohen Lepenci e Neredimja, andej nga kalojnë rrugët strategjike; magjistralja, autoudha dhe hekurudha, aty ndodhet qyteti apo qyteza e bukur e Kaçanikut. Ndryshe, Kaçaniku është qendër e komunës me 30 fshatra, 20 km larg nga Ferizaj, 35 km nga Shkupi, 53 km nga Prishtina. Sipas regjistrimit të vitit 2011 Kaçaniku kishte rreth 10 mijë, kurse si komunë – rreth 33 mijë banorë. Qyteti i Kaçanikut ndodhet në pikën më jugore të Fushës së Kosovës, duke qenë nyje lidhëse rrugore e hekurudhore e Kosovës me Fushën e Shkupit e R. e Maqedonisë së Veriut, pastaj lidhet me Prishtinën e Shkupin, me Vitinë, Ferizajn, Shterpcën, Prizrenin, Tetovën, Hanin e Elezit. Gjithashtu, në këtë komunë ndodhet vendkalimi kufitar me R. e Maqedonisë Veriore në Qafëshqipe dhe në afërsi është edhe vendkalimi, porta e Kosovës në Han të Elezit.
Si vendbanim dhe si qendër administrative Kaçaniku (i sotëm) njihet që nga fundi i shek. XVI, kurse Kaçaniku i Vjetër, 10 km në veri, është vendbanim më i hershëm. Në Kaçanik të Vjetër edhe sot ndodhen themelet e një kalaje, e cila dikur ka shërbyer si një pikë ushtarake për sigurimin e kalimit nëpër Grykën e Kaçanikut. Me ardhjen e osmanllinjve në trojet tona, ata vlerësuan se pika e kontrollit në Kaçanik të Vjetër ishte shumë larg, ndaj vendosën ta ndërtojnë një pikë të re, më afër Grykës. Themelues i qytezës është shqiptari nga Topojani i Lumës, Koxha Sinan Pasha, vezir i Perandorisë Osmane në shek. XVI. Ndërtimi i kalasë nisi në vitin 1586 dhe përfundoi pas katër vjetësh. Kalaja kishte një dizdar, 50 askerë, dy topa, 40 – 50 shtëpi… Bartja e pikës së kontrollit nga një vend në një vend tjetër bëri që të bartet edhe emri, nga Kaçaniku (i vjetër) në Kaçanikun (e ri). Udhëpërshkruesi osman, Evlia Çelebia, kështu e shpjegon prejardhjen e emrit Kaçanik: “… disa kusarë shqiptarë, që dikur kishin bërë grabitje në Shkup, kishin marrë arratinë dhe kishin ardhë deri këtu, me shpresë se do të gjenin një vend për të pushuar, por i kapën dhe i masakruan. Prandaj, ky vend mori emrin Kaçanlar, që më vonë mori trajtën Kaçanik”. Dihet se në të kaluarën Gryka e Kaçanikut ishte përplot kaçakë, që sulmonin dhe plaçkisnin karavanet dhe ushtrinë. Krahas kalasë në Kaçanik u ndërtuan edhe xhamia, dy hane, një teqe bektashiane, një hamam, një kuzhinë publike, një shkollë fillore (mejtep) etj. Kaçaniku u zhvillua si një qendër strategjike ushtarake dhe administrative me statusin e nahisë në kuadër të Sanxhakut të Shkupit. Këtë status e mbajti deri në fund të shek. XIX, kur osmanët i japin statusin tjetër, atë të kazasë, duke ia ndërruar edhe emrin qytetit në Orhanie.
Kaçaniku, Gryka e Kaçanikut dhe rrethina e tij paraqiste gjithmonë një vend gjeostrategjik, ku janë zhvilluar luftëra e beteja të rëndësishme e të lavdishme. Në vitin 1690 këtu është zhvilluar lufta austro-turke, në vitin 1910 – beteja treditëshe mes kryengritësve shqiptarë, nga njëra anë dhe ushtrisë osmane, nga ana tjetër, pastaj luftërat në frontin serbo-bullgar gjatë Luftës së Parë Botërore. Në të dy luftërat botërore Kaçaniku kishte rënë nën pushtimin bullgar. Edhe Kaçaniku me rrethinë është përfshirë aktivisht në luftën çlirimtare të UÇK-së, duke i dhënë Atdheut 90 dëshmorë, 139 martirë dhe shtatë persona të pagjetur.
Komuna e Kaçanikut ka pas një ekonomi të respektueshme, Fabrikën e Gëlqeres, Fabrikën e Çimentos, Fabrikën e prodhimeve nga azbestçimentoja, fabrikën për prodhimin e bllokave termoizolues “Silcapor”. Me ndarjen e komunës së Hanit të Elezit nga komuna e Kaçanikut në vitin 2007, dy fabrika mbetën në komunën e re dhe dy fabrikat e Kaçanikut u privatizuan dhe pastaj prodhimi në to, ose është ndërprerë ose është paralizuar në masë të madhe. Në anën tjetër, kjo komunë ka pasuri natyrore, pyje të larta, ujëra të shumta. Komuna ka kushte dhe traditë për zhvillimin e bujqësisë, blegtorisë, bletarisë, peshkimit, pemtarisë, turizmit, minierave. Pasuritë dhe bukuritë e mëdha e të shumta natyrore krijojnë kushte edhe për zhvillimin e turizmit malor, dimëror, kalimtar. Zhvillimin e turizmit e mundëson veçanërisht maja e bukur e Lybetenit (2498 m.) dhe malet e larta të Sharrit, Gryka historike e piktoreske e Kaçanikut, Guri i Shpuem, lumenjtë Lepenci e Neredimja, monumentet kulturore – historike, objektet e shumta hoteliere. Maja e Lybetenit dhe shpatijet pitoreske, të veshura me pyje në të dy anët e qytetit, krijojnë mundësi e kushte ideale për zhvillimin e turizmit.
Në malet e larta të Sharrit dhe të Karadakut takohen dy zona klimatike; klima e ftohtë kontinentale dhe klima e ngrohtë mesdhetare. Takimi i dy klimave paraqet rrethana shëruese për sëmundjet e mushkërive dhe të organeve të frymëmarrjes, veçanërisht i dobishëm për shërimin e tuberkulozit të eshtrave. Për këtë arsye mbi Kaçanik dikur kishte sanatorium për shërimin e tuberkulozit të eshtrave.
Nga monumentet e trashëgimisë kulturore Kaçaniku e ka kalanë, xhaminë e Sinan Pashës (1594), Urën e Konakut, Kështjellën e Musa Kesexhisë, rrugën romake etj. Zbulime arkeologjike janë gjetur në Bob, Kaçanik, Kaçanik të Vjetër, Runevë etj. Një kështjellë e zbuluar në Bob tashmë është zhdukur nga faqja e dheut, siç është zhdukur, para disa vjetëve, edhe Teqeja e Kaçanikut, një monument i rëndësishëm i trashëgimisë sonë që i kushtohej kreshnikut kaçanikas, Musa Kesexhisë – Arbanasit, njërit nga komandantët kryesorë të Betejës së Kosovës të vitit 1389. Në qytet dhe fshatra janë ngritur shumë buste, shtatore, përmendore, pllaka përkujtimore, lapidarë dhe, që është me rëndësi të posaçme, janë rregulluar Varrezat e Dëshmorëve. Janë edhe monumentet natyrore, siç është Maja e Lybetenit, Gryka e Kaçanikut, Guri i Shpuem. Nëpër Grykë përshkojnë paralelisht Lepenci, magjistrala, hekurudha dhe autoudha me urën më të gjatë në Ilirik.
Si komunë e vogël periferike me ekonomi të shkatërruar, moszhvillimi ekonomik i pasluftës, me pak tokë të punës e me pyje të dëmtuara, Kaçaniku ka probleme të mëdha me varfërinë dhe papunësinë, me ndotjen e mjedisit, veçanërisht me ndotjen e lumit Neredime, që shkaktohet nga derdhja në lumë e kanalizimit të Ferizajt. Mostrajtimi i ujërave të zeza i ka ndotur shumë rrjedhat e ujërave, lumenjtë e përrenjtë, saqë lumi Neredime, që kalon nëpër disa fshatra dhe përmes qytetit të Kaçanikut kundërmon erë të rëndë, kurse lumi Lepenc ndotet nga fabrika “Silcapor”.
Kaçaniku shtrihet harmonishëm me natyrën në një fushëgropë, ku shtëpitë u vishen lehtas shpatijeve të malit. Të veçantat e Kaçanikut janë gjuha lokale karakteristike, pozita gjeografike malore, dy lumenjtë që bashkohen në fund të qytetit, dy zonat klimatike, qytet me histori të pasur, qyteti ku është miratuar Kushtetuta e Republikës së Kosovës, qytet me kala, qyteti që ndanë masivet e maleve të Sharrit dhe të Malit të Zi të Shkupit, pika më jugore e Fushës së Kosovës.