Portreti/intervista

Zana Pira: Zëeri i këngës shqipe – Shkurte Fejza

Shkurte Fejza mësimet e fillores i ka bërë në Mushtisht, ato të së mesmes në Therandë, kurse të lartat në Prizren dhe Prishtinë. Paraqitjet e para në skenë i ka pasur qysh si fëmijë në programet e shkollës, ku u vërejt për herë të parë talenti i saj. Në maj të vitit 1975 merr pjesë në festivalin “Takimet e Majit” në Prizren dhe shpërblehet me Çmimin “Debutantja më e suksesshme”. Shkrimin e parë për Shkurte Fejzën e ka bërë atdhetari ynë i madh Jusuf Gërvalla në gazetën e vetme të asaj kohe “Rilindja” në vitin 1975. Në këtë vit themelohet Shoqëria Kulturo-Artistike “SHKA Afërdita” në Mushtisht, në të cilën Shoqëri, Shkurte Fejza është anëtare prej ditës së parë. Shumë shpejt kjo shoqëri do të bëhet e njohur në të gjitha anët e Botës Shqiptare.
Viti 1978 është viti që bëri kthesë në jetën muzikore në Kosovë. Në këtë vit mbahet Festivali i Gjirokastrës. Në këtë kohë, sidomos në qytete të Kosovës dëgjohej me të madhe muzika serbe. Festivali i Gjirokastrës nxori disa këngë të bukura. Për Shkurten kjo ishte një mundësi e mirë, por më vonë do të vërtetohet se kjo ishte një e mirë për tërë Kosovën. Këngët “Këngë për Mic Sokolin”, “Moj Syzeza”, “Erdha nga qyteti”, etj., të cilat dëgjoheshin thuaja ilegalisht nga Shkurta, ndërsa instrumentistët e “Afërditës” i përgatitën dhe shumë shpejt morën dheun.
Në pranverën e vitit 1979 bëhen xhirime nga Televizioni i Prishtinës (TVP). Dy emisione nga gjysmë ore u emetuan, ndërsa dy të tjera kurrë nuk u panë nga publiku. Veprimtaria e SHKA “Afërdita” shkonte furishëm dhe për një kohë shumë të shkurtër u bë qendër e reflektimit të muzikës së mirëfilltë shqiptare dhe e patriotizmit në Kosovë. Shkurta ishte Emblema e saj. Gjerë më 17 janar 1981 paraqitet në qindra koncerte nëpër të gjitha qendrat e Kosovës por edhe nëpër shumicën e fshatrave të saj. Me një fjalë aty ku ishte një sallë aty edhe mbaheshin koncerte.
Në vazhdim do ti cekim disa koncerte. Në korrik të 1979-ës në Shtëpinë Edukuese në Lypjan. Në Prishtinë mbahet i dyti. Me 4 – 6 dhjetor 1979 pjesëmarrja në RFBK në Drenas (Diplomë). Në dhjetor të vitit 1979 në Therandë (IGK “Ballkan”).
Pas një pauze vazhdon seria e koncerteve. Me 20 qershor 1980 në Therandë. Me 25 qershor 1980 në fshatin Keqekollë të Malësisë së Gollakut. Interesimi ishte shumë i madh, kishin ardhur burra, gra e fëmijë. Detyrohemi t’i mbajmë dy koncerte. Shkurta e këndon këngën “Moj ushtria popullore”, këngë për Ushtrinë Popullore të Shqipërisë. Një polic insiston duke u lutur që ta përsërisë, ndërsa Shkurta tha: “Po si jo, pasi ka edhe policë që e duan Ushtrinë tonë! Me gjithë qejf”. Me 26 qershor 1980 u dha koncert në vendlindje – Mushtisht. Salla ishte e vogël për të gjithë të interesuarit. Me 1 korrik 1980 në Besianë. Populli i Llapit e kishte mbushur sheshin para Shtëpisë së Kulturës. U mbajtën dy koncerte. Me 7 korrik 1980 në Bllacë të Therandës. Po ashtu me 7 korrik 1980 në Ferizaj, mbahen dy koncerte. Arsyet dihen.
Në këtë kohë krijohet idhull Shkurte Fejza. Me 14 korrik koncert në palestrën e sporteve në Gjilan. Me 21 korrik 1980 në Rogoçicë të Dardanës. Me 25 korrik 1980 dy koncerte në Artanë (Novobërdë). Me 26 korrik në Gjakovë, në palestrën e sporteve në qytetin ku me shekuj kultivohej kënga popullore. Një pritje madhështore. Pastaj, sërish koncerte në Kishnicë. Me 6 shtator 1980 në Dragash dhe Brodosanë, me 8 shtator 1980 në Prizren, me 15 shtator 1980 dhe Kastriot (Obiliq) me 21 tetor 1980. Me 11 tetor 1980 në kryeqytet, në qytetin e studentëve, aty ku ishte grumbulluar e gjithë energjia e rinisë në një kundërshtim të një sistemi. Një atmosferë e tillë nuk mbahej mend se ishte krijuar ndonjëherë. Me mijëra e mijëra njerëz kanë qenë dhe vetëm ata që kanë qenë aty mund ta përshkruajnë si ka qenë. U krijuan aso rrethanash sa që, me intervenimin e policisë, u dashtë të ndërpritet koncerti pak para përfundimit. Me 5 dhjetor 1980 koncert për bashkatdhetarët në Therandë. Me 10 dhjetor 1980 në Klinë. Me kërkesën e një grupi studentësh të Fakultetit të Bujqësisë, për herë të parë do të këndojë në një program, tip restoranti. Ishte kjo brucoshiada e këtij fakulteti. Këta studentë (Riza Demaj etj.) do ta nisin demonstratën e 11 marsit të vitit 1981. Koncertet e fundit me SHKA “Afërdita”,..