Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CCXLV) – ARTA – QYTETI I MBRETIT PIRRO DHE I DESPOTIT GJIN BUA SHPATA

Shtegtime nëpër Atdhe (CCXLV)
ARTA – QYTETI I MBRETIT PIRRO DHE I DESPOTIT GJIN BUA SHPATA
Arta, e quajtur ndryshe edhe si Narta, është një qytet i vjetër i Çamërisë apo pjesë e rajonit të Epirit, që shtrihet në brigjet e lumit Arta ose Araktos, të Gjiut të Artës ose Ambrakisë dhe rrëzë kodrës Peranthi. Me rreth 24 mijë banorë, Arta është një qytet i vogël, por me histori të madhe. Ajo është qendër e prefekturës, që ndodhet 70 km nga Janina, 350 km nga Athina, 50 km nga Preveza. Është qyteti të cilin, në vitin 1878, e ka shkëputur Greqia me forcë nga trungu etnik shqiptar. Sot Arta është një nyje e rëndësishme rrugore dhe një qendër ekonomike, tregtare e administrative.
Në hershmëri Arta ishte koloni e Korintit dhe quhej Ambrakia. Ambrakia është themeluar nga djali i sundimtarit të Korintit rreth vitit 625 p.e.r. Mbreti i Epirit apo mbreti i molosëve, Pirroja, në vitin 295 e bëri Ambrakinë kryeqendër të mbretërisë së tij. Në vitin 146 p.e.r. është pushtuar nga romakët, kur është bërë qendër e provincës romake të Epirit të Vjetër. Qyteti është shkatërruar nga Marcus Fulvius në vitin 189 p.e.r., kur edhe janë plaçkitur të gjitha statujat dhe veprat e artit. Në vitin 167 p.e.r. gjenerali romak, Emilius Paulus e pushtoi Epirin, e plaçkiti qytetin dhe i shembën muret e kështjellës, siç bënë me 70 qytete tjera të Epirit. Ambrakia ishte e banuar deri në shek. IV e.r.
Qyteti i Artës është përmendur për herë të parë në vitin 1082. Gjatë mesjetës, deri në vitin 1204, ishte nën Bizantin, kurse pas rënies së Konstandinopojës nga Kryqëzata IV, Arta është përfshirë në Despotatin e Epirit.
Në shek. XIV Arta ka rënë nën sundimin e Perandorisë serbe por, pas vdekjes së Car Dushanit, është përfshirë në Despotatin e Artës, që paraqet shtetin e parë shqiptar me shtrirje në Shqipërinë e poshtme apo në Epirin e vjetër, që nga Durrësi deri në Gjirin e Korintit. Historia e Despotatit të Artës lidhet ngushtë me emrin e Gjin Bua Shpatës (1358 – 1399). Familja fisnike Bua Shpata, e njohur që nga viti 1304, gjatë shek. XIV e XV ishte ndër familjet më të mëdha e më të njohura të Shqipërisë së Jugut. Nga kjo familje dolën personalitete historike, si Petro, Gjini, Skurra, Pali, Jakubi, Mauriku, Muriqi, Mërkuri etj.
Gjin Bua Shpata është shpallë despot i Epirit në vitin 1355, me qendër në Gjirokastër, kurse nga viti 1374 qendra e despotatit ka kaluar në Artë. Gjini jetoi dhe sundoi në gjysmën e dytë të shek. XIV, deri në vdekjen e tij në vitin 1399. Luftoi kundër despotatit të Janinës, që zotërohej nga despoti serb, Preluboviq, i njohur si “shqiptarvrasës”, të cilit, edhe pse ia kishte marrë motrën për grua, armiqësitë nuk i kishin mbaruar, derisa e vranë shqiptarët. Beteja më e madhe, që i dha famë Gjinit, ishte Beteja e Akeloit në vitin 1358 mes forcave arbërore dhe forcave bizantine, që udhëhiqeshin nga vetë perandori bizantin, Niqifori II. Beteja ka përfunduar me humbjen e plotë të bizantinëve, kur u vra edhe vetë Perandori. Noli ka shkruar se “kryezoti çam” në vitin 1379 ka shkatërruar, përpara Artës, ushtritë e bashkuara të serbëve, grekëve, napolitanëve dhe bizantinëve. Historiani bizantin, Leoniku, ka thënë se “Shqiptarët, nën udhëheqjen e Gjin Bua Shpatës, marshuan drejt lindjes, nënshtruan Thesalinë dhe një pjesë të Maqedonisë, sulmuan Akarnaninë, kapën dhe vranë sundimtarin e saj, Isakun”. Gjin Bua Shpata, zotërues i Despotatit të Artës, ishte një burrë i fuqishëm dhe i lavdishëm i Arbërisë. Sundimi i Shpatajve, i Gjinit, i Zguros dhe i Maurikut ka zgjatur plot 40 vjet, që nga viti 1379 e deri në vitin 1418.
Nën pushtimin osman Arta ra në vitin 1449, të cilën pushtuesit e ri e quajtën Narda. Në mes të viteve 1717 – 1797, doli jashtë Perandorisë Osmane, e pushtuar nga venedikasit, porse në vitin 1799 ra përsëri nën sundimin osman, sundim që zgjati deri në vitin 1881 kur, sipas Traktatit të Berlinit, u aneksua nga Greqia.
Arta është e mbushur me vende arkeologjike dhe është e njohur për monumente të shumta kulturore e arkitekturore. Veçanërisht, njihet për shumësinë e muzeve. Në mesin e shumë monumenteve është e famshmja Kështjella e vjetër e Artës, Ura legjendare, kulla e sahatit, kishat bizantine etj.
Ura e Artës, që është simbol i qytetit, është ndërtuar mbi lumin e Artës në mesjetë, në kohën e Despotatit të Epirit. Kjo urë ndodhet në afërsi të qytetit të Artës, e cila për një kohë, mes viteve 1981 – 1912, ishte bërë kufi mes Perandorisë Osmane dhe Greqisë, ndërsa në mesin e urës ishte hapur edhe pika doganore. Ura e Artës mori famë nga legjenda, që ka temë bosht ndërtimin e një vepre të madhe, një vepre që nuk mund të bëhej pa flijimin njerëzor, sipas legjendës, “tërë ditën ndërtohet, tërë natën rrëzohet”. Tema e flijimit të gruas është e përhapur edhe te popujt tjerë të Ilirikut, kurse te shqiptarët shprehet në baladat legjendare të Rozafës dhe të Urës së Fshajt. Për legjendën e Urës e Artës janë kënduar dy balada me të folmen shqipe të Çamërisë. Është interesant se shtratin e lumit në Urën e famshme të Artës e gjetëm pa ujë! Me siguri rrjedha e lumit është devijuar në kahe tjetër!
Edhe pse qytet krahasimisht i vogël, Arta ka universitetin teknik, i quajtur Instituti Teknologjik i Epirit. Gjithashtu, ka shumë ansamble kulturore, klube sportive, teatër të hapur në kështjellë, qendër ekspozimi, disa muze etj. Zona e Artës njihet për kultivimin e agrumeve dhe të drithërave të bukës.
Rrethina e Artës është nga zonat më të bukura turistike në shtetin grek. Veçanërisht, dallohen zonat që shtrihen përgjatë brigjeve të Gjirit të Artës. Peizazhi i kombinuar fushor, malor dhe detar krijon bukuri të jashtëzakonshme natyrore. Fushat pjellore, malet e mbuluara me bredha, lumenjtë e shpejtë, lagunat, zonat e mbrojtura, plazhet e buta krijojnë harmoninë e bukur natyrore, çfarë rrallë të gjendet gjetiu. Edhe vet qyteti ka një pamje magjepse, qytet i bardhë e i ndërtuar bukur.