Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CCXI) – REÇAKU – FSHATI I DHEMBJES DHE I KRENARISË KOMBËTARE

Shtegtime nëpër Atdhe (CCXI)
REÇAKU – FSHATI I DHEMBJES DHE I KRENARISË KOMBËTARE
Reçaku është një fshat i vogël afër Grykës legjendare të Carralevës, në të majtë të rrugës Prishtinë – Prizeren dhe vetëm 2 km nga qyteza e Shtimes e rreth 30 km nga Prishtina. Ishte fshat i panjohur deri në luftën çlirimtare të UÇK-së, kur u bë i njohur edhe në përmasa ndërkombëtare. Megjithatë, njihet për atdhetari e trimëri, si rrallë ndonjë fshat tjetër. Kishte burra trima, të fjalës e të besës, të cilët përherë i rezistuan pushtimit dhe luftuan për liri. Njëri prej tyre ishte Qorr Ilazi, pjesëtar i Lëvizjes Kaçake dhe luftëtar i çetave të Azem Bejtës.
Edhe në luftën çlirimtare të UÇK-së Reçaku dha kontributin e vet të çmuar, nga dolën luftëtarë trima e të sprovuar. Për çlirimin e Kosovës Reçaku dha 12 dëshmorë dhe 42 martirë. Pos tjerash, ky fshat ishte edhe bazë e rëndësishme e luftëtarëve të lirisë, të cilët aty përherë gjetën pritje e ngrohtësi.
Fshati Reçak i komunës së Shtimes, me 230 shtëpi dhe rreth 1600 banorë (regjistrimi 2011), gjatë luftës përjetoi njërën ndër masakrat më të tmerrshme, të kryera nga forcat policore e ushtarake serbe. Masakra e Reçakut mbeti në histori si një njëra ndër ngjarjet më të rënda e më tragjike, si njëra ndër dhembjet tona më të mëdha.
Në një mëngjes të ftohtë janari të vitit të rëndë 1999, më 15 janar, Reçaku u zgjua i rrethuar nga forcat terroriste serbe, të shoqëruara edhe me mjete të rënda luftarake. Rreth orës 6.30 falangat serbe të dhunës e të gjakut kanë filluar granatimin nga disa pozita mbi fshat dhe pastaj janë futur në çdo shtëpi, duke plaçkitur, djegur e shkatërruar çdo gjë dhe duke vrarë mizorisht 45 banorë të pambrojtur, burra, pleq, gra e fëmijë të Reçakut. Janë vrarë edhe tetë luftëtarë të UÇK-së në mbrojtje të popullsisë së fshatit.
Këtë masakër të forcave pushtuese serbe e denoncoi misioni verifikues i OSBE-së në Kosovë, përkatësisht kryesuesi i misionit, ambasadori Uilliam Uoker. Një ditë pas krimit ambasadori Uoker i kishte vizituar viktimat në vendin e ngjarjes, e kishte dokumentuar ngjarjen, duke e cilësuar si masakër dhe “krim kundër njerëzimit”, duke deklaruar: “Nga ajo që pashë nuk ngurroj ta përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit. Kjo është ngjarja më e trishtueshme në jetën time”. Edhe presidenti amerikan, Bill Klinton, e dënoi krimin si “një veprim i vrasjes së qëllimshme dhe pa dallim, i bërë për të mbjellë frikë në mesin e popullit të Kosovës”.
Që të jetë ironia e madhe për këtë krim kundër njerëzimit, edhe pas 23 viteve, kriminelët serbë nuk kanë dalë para drejtësisë. Madje, ata janë rehabilituar nëpër pozita të ndryshme shtetërore në Serbi. Pjesë të aktakuzës për Masakrën e Reçakut ishin disa nga krerët e shtetit, si dhe eprorët e ushtrisë e të milicisë serbo – jugosllave për krimet në Kosovë, duke përfshirë edhe Milosheviqin. Mirëpo, pas vdekjes së Milosheviqit Gjykata e Hagës e ka ndërprerë gjykimin dhe asnjëri prej tyre nuk është përgjigjur për Reçakun. Nuk janë dënuar as kryesit e drejtpërdrejtë të krimit për Masakrën e Reçakut. Për këtë ngjarje gjenocidale është dënuar, me 15 vjet burg, vetëm një oficer i milicisë serbe. Faktori ndërkombëtar i drejtësisë në Kosovë, misioni UNMIK, misioni EULEX, Tribunali i Hagës dhe as drejtësia vendore nuk janë marrë me këtë ngjarje gjenocidale, që dikur kishte bërë bujë në tërë botën. Kjo heshtje dhe kjo mospërfillje e faktorit ndërkombëtar në Kosovë dhe e drejtësisë ndërkombëtare e vendore ndaj Masakrës së Reçakut ka bërë që shteti serb ta mohojë tërësisht autorësinë e krimit. Ndaj, presidenti i Serbisë edhe sot merr shkas që këtë ngjarje ta quaj, me cinizëm të paparë, si një “gënjeshtër të madhe dhe fabrikim të jashtëzakonshëm”. Edhe një tjetër ministër i Serbisë Masakrën e Reçakut e ka quajtur “gënjeshtër”, kurse vrasjen e civilëve “falsifikim”! Madje, për ta mashtruar opinionin, Serbia ka bërë edhe një film “dokumentar” për Reçakun. E, ndaj të gjitha këtyre deklaratave dhe përpjekjeve të autoriteteve shoviniste serbe për ta ndryshuar historinë, kanë reaguar “ashpër” zyrtarë të lartë të Bashkimi Evropian dhe të SHBA-së, si dhe zyrtarë të R. së Kosovës. Madje, ka reaguar edhe vet ambasadori Uilliam Uoker, i cili, pos tjerash, ka deklaruar: “Disa nga njerëzit që sot janë duke e propaganduar si “një gënjeshtër të madhe”, kanë qenë në fakt të përfshirë në fshehjen e krimit që nga fillimi”.
Në fshatin Reçak është ngritur kompleksi përkujtimor “Masakra e Reçakut”, që zë vend dominues në fshat. Kompleksi përbëhet nga sheshi hyrës, porta, në formën e plisit me mesazhin e shkruar në të “U masakruam vetëm pse ishim shqiptarë”, pastaj është Muri i Përkushtimit dhe janë Varrezat e Dëshmorëve. Kompleksi paraqitet si një vatër e energjisë, e flijimit, e çiltërisë dhe e atdhedashurisë , ku mund të gjejmë prehje, forcë dhe frymëzim. Kompleksit i bashkëngjitet edhe Muzeu Përkujtimor me dokumente, fotografi, rekuizita e vepra të ndryshme, që i kushtohen Reçakut dhe Masakrës së Reçakut.
Për ndihmën e dhënë gjatë luftës, ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së është nderuar nga komuna e Shtimes me ngritjen e një shtatoreje të tij pranë Kompleksit Përkujtimor në fshatin Reçak. Ndërsa banorët e Reçakut e kanë nderuar Ambasadorin me emërimin e një rruge të fshatit me emrin e tij.
Masakra e Reçakut nuk ishte masakra e vetme dhe as masakra më e madhe që forcat serbe kishin kryer gjatë luftës në Kosovë. Por, kjo masakër mizore u denoncua nga misioni i OSBE-së dhe u zhvillua në një moment vendimtar, kur e pa e tërë bota. Masakrimi i dhjetëra shqiptarëve dhe denoncimi i krimit nga një organizatë evropiane të sigurisë u bë shkaktare që BE e SHBA të zemërohen dhe ta aktivizojnë diplomacinë e tyre drejt luftës që po zhvillohej në Kosovë. Prandaj, Uokerin shqiptarët e shohin si një shpëtimtar. Ky krim i denoncuar bëri kthesë të madhe për luftën çlirimtare; e solli Marrëveshjen e Rambujesë, Marrëveshja e Rambujesë e solli fushatën e bombardimeve të NATO-s e fushata e NATO-s, bashkë me UÇK-në, e sollën lirinë e Kosovës.