Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CCXC) DURRËSI – QYTETI MODERN DHE ANTIK I BREGDETIT SHQIPTAR

Shtegtime nëpër Atdhe (CCXC)
DURRËSI – QYTETI MODERN DHE ANTIK I BREGDETIT SHQIPTAR
Pas kryeqytetit, Durrësi është qyteti më i madh dhe më i rëndësishëm i Shqipërisë, që ndodhet në Shqipërinë e mesme, në breg të Detit Adriatik, 37 km larg Tiranës. Qyteti i Durrësit, me mbi 200 mijë banorë, sot është qendër e prefekturës, e qarkut, e rrethit dhe e bashkisë.
Gjetjet arkeologjike dhe burimet historike kanë vërtetuar se Durrësi është qyteti më i lashtë dhe me të kaluar më të begatshme i trojeve shqiptare. Banorët e parë të zonës së Durrësit të sotëm ishin pellazgët, të cilët i kanë ngritur vendbanimet e para parahistorike. Durrësi është themeluar në periudhën e neolitit të vonë nga dy mbretërit taulantë, Dyrahut dhe Epidamnit. Epidamni e ndërtoi kështjellën, kurse nipi i tij, Dyrrahu e ndërtoi Portin. Dyrrahu ishte nipi i Epidamnit, kultit të Taulantëve apo djali i Melisës, bijës së Epidamnit. Qyteti ka marrë emrin sipas Dyrrahut, i cili kishte punishte të qeramikës, metaleve, pëlhurës, lëkurës, të ndërtimit të anijeve etj. Madje, në Dyrrah janë prerë monedhat prej ari e argjendi.
Në shek. X – VIII p.e.r është krijuar Federata Taulante, me qendër në Durrës. Në shekujt I – III Dyrrahu ishte qyteti kryesor i brigjeve lindore të Adriatikut, ndërsa në shek. VIII në Durrës është formuar njësia administrative “Ahrondia e Dyrrahut”, kurse në shek. IX, “Thema e Dyrrahut”, që shtrihej nga Tivari deri në Gjirin e Vlorës. Gjatë periudhës bizantine, kur Durrësi ishte qytet shumë i rëndësishëm, ishte edhe kryeqendër e provincës “Epiri i Ri”, me territor nga lumi Mat deri në lumin Vjosë.
Durrësi apo, siç e quanin osmanët “Konstandinopoja e Dytë”, u pushtua nga osmanët më 13 gusht 1501, me ç’rast ka pësuar shumë në zhvillim, duke u kthyer prapa në një qytezë me 100 – 120 shtëpi. Vetëm në shek. XVII qyteti e mori veten, duke u bërë qendër e tregtisë dhe një skele kryesore në brigjet e Adriatikut nën osmanët.
Në Portin e Durrësit, më 21 nëntor 1912, ka zbarkuar Ismail Qemali me shokë me misionin historik, shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Me këtë rast, më 26 nëntor, është ngritur në Durrës flamuri kombëtar. Megjithatë, edhe pas shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar më 28 nëntor 1912 në Vlorë, Durrësin e kanë pushtuar serbët (1913), austro-hungarezët (1916) dhe italianët (1918). Më 7 prill 1941 në Durrës ka invaduar ushtria fashiste italiane, e cila është pritur me rezistencë të fortë nga trupat shqiptare, në krye me Mujo Ulqinakun. Ndërkaq, më 14 nëntor 1944 Durrësi është çliruar nga nazistët gjermanë. Durrësi ishte kryeqytet i Shqipërisë që nga 7 marsi 1914, kur Princ Vidi zbarkoi në Shqipëri, deri më 11 shkurt 1920, kur u mbajt Kongresi i Lushnjës.
I shtrirë në breg të Adriatikut, Durrësi është qendra më e vjetër historike dhe ekonomike e Shqipërisë. Durrësi është nyja kryesore e të gjitha llojeve të transportit dhe pikënisje e pikëmbërritje detare, rrugore e hekurudhore. Nëse shprehemi me thënien e vjetër latine, konstatojmë se “të gjitha rrugët të çojnë në Durrës”. Ndërsa nga Durrësi lehtësisht mund të vizitohen të gjitha viset e atdheut tonë, por edhe të shteteve përreth.
Qyteti 3000-vjeçar i Durrësit është një muze i hapur në natyrë, i pajisur me vlera të larta kulturore e trashëgimi historike e arkeologjike. Në qendër të Durrësit ndodhet amfiteatri antik i perandorit romak, Adrian, që kishte rreth 20 mijë vende. Amfiteatri i Durrësit, i dyti nga madhësia në Ilirik, është ndërtuar në fillim të shek. II e.r. Durrësi e ka edhe kështjellën e lashtë, e cila gjatë shekujve është shkatërruar e rindërtuar disa herë. Muret rrethuese të saj i përkasin periudhës së sundimit të perandorit bizantin nga Durrësi, Anastasit (491 – 518). Në kështjellë i kishin selitë edhe princat feudalë shqiptarë, si Karl e Gjergj Topia. Në Durrës ndodhet Torra apo kulla veneciane, e ndërtuar në shek. XV, atëherë kur qyteti sundohej nga venecianët. Mozaiku i shek. IV p.e.r., i quajtur si “Bukuroshja e Durrësit”, tash është i ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Durrësi ka edhe shumë monumente tjera të rëndësishme, siç janë termat romake, forumi romak, bazilika, kisha, vila e Zogut etj. Në kohën e sotme në Durrës kemi muzeun arkeologjik, më i madhi në vend, muzeun etnografik, i vendosur në shtëpinë e Aleksandër Moisiut, Muzeun e Dëshmorëve, galerinë e artit pamor, teatrin etj. Nga veprat e artit veçojmë Monumentin e Rezistencës, Monumentin e Mujo Ulqinakut, Statujën e Rodonit e të tjera.
Një Durrës tjetër ndodhet i nëndheshëm, i shtrirë përmes tuneleve rrëzë kodrave. Durrësi i nëndheshëm është ndërtuar me qëllim të strehimit të popullsisë në rast lufte apo të ndonjë katastrofe natyrore. Ky “qytet”, i përgatitur për strehimin e rreth 80 mijë banorëve, kishte furrë buke, spital me 500 shtretër, parking për 300 automjete, frigorifer për 300 tonë ushqime etj. Në afërsi të Durrësit, në formë të gërmadhave antike, gjendet edhe një qytet tjetër, i ndodhur në fundin e detit. Peshkatarët herë pas here kanë nxjerrë nga deti amfora e objekte tjera antike.
Qyteti i Durrësit disa herë ka pësuar nga tërmetet. I fundit, me pasoja katastrofike, ka ndodhur më 26 nëntor 2019, kur u godit nga një tërmet i fuqishëm, me ç’rast janë shembur 1050 objekte, nga të cilat 260 ishin pallate banimi.
Durrësi e ka portin më të madh detar në Shqipëri dhe njërin ndër portet më të mëdha e më të vjetra në Detin Adriatik. Ekonomia e qytetit sot mbështetet kryesisht në Portin, pasi përmes tij Durrësi siguron lidhje detare me të gjitha shtetet në pellgun e Detit Mesdhe e më gjerë. Porti është pika hyrëse e Korridorit 8-të dhe e Rrugës së Kombit, por edhe lidhjet me veriun, me jugun e me lindjen e vendit. Në port ngarkohen e shkarkohen rreth 85 – 90 për qind e transportit detar të të gjitha mallrave që hyjnë në Shqipëri. Njëkohësisht, ky port i shërben edhe Kosovës ngase, që nga 1 tetori i vitit 2022, në Portin e Durrësit kryhet zhdoganimi i të gjitha mallrave që i dedikohen Kosovës. Planifikohet që shpejt të investohet për transformimin e portit, për të hapur një epokë të re të zhvillimit të Durrësit dhe të Shqipërisë.
Sot Durrësi ka institucionet e veta kulturore, si teatrin profesionist, teatrin e estradës, ansamblet profesioniste të këngëve e valleve popullore, Festivalin Ndërkombëtar të Filmit, konkursin e poezisë etj. Durrësi është qytet universitar, me universitetin publik “Aleksandër Moisiu”.
Me Durrësin identifikohen shumë personalitete të larta historike e kulturore, si perandori bizantin Anastas, princi i Durrësit Karl Topia, piktori e profesori i njohur, Leonik Tomeu, që ishte profesor i Kopernikut në Universitetin e Padovës, pastaj Jan Kukuzeli, muzikolog, Anton Xanoni, shkrimtar, Zef Skiroi, shkrimtar arbëresh, që ishte edhe kryepeshkop i Durrësit, Nikollë Kaçorri, zv/kryeministër i Qeverisë së Vlorës, Aleksandër Moisiu, aktor me famë botërore, Mirush Kabashi, aktor i njohur dhe shumë të tjerë.
Durrësi është pika më e vizituar turistike në Shqipëri. Si qyteti më i lashtë, ku gërshetohet më së miri e kaluara dhe e sotmja, Durrësi mirëpret turistë të shumtë nga e tërë bota. Bregdeti i Durrësit është më i vizituari, veçanërisht nga shqiptarët jashtë kufijve shtetërorë. I cilësuar si “Taverna e Adriatikut”, Durrësi u dhuron turistëve mbresat e pakrahasueshme nga historia e kultura shqiptare, si dhe nga bukuritë mahnitëse të qytetit mesdhetar. Bregdeti i Durrësit është i pasur me plazhe të gjata e të bukura, që mbulohen me rërë shëruese.
Durrësi është vendi i legjendave e i rrënojave antike, i plazheve të gjata e i portit të madh, është vendi me klimë të butë, një pikë e madhe turistike në Shqipëri.