Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CCLXXII) ZERQANI – FSHATI TURISTIK I “GRYKËS SË MADHE”, I BRAKTISUR E I HARRUAR

Shtegtime nëpër Atdhe (CCLXXII)
ZERQANI – FSHATI TURISTIK I “GRYKËS SË MADHE”, I BRAKTISUR E I HARRUAR
Luginës së lumit Zalli i Bulqizës në krahinën e Dibrës dhe në Grykën e Madhe shtrihet fshati me emër të madh, Zerqani. Ky fshat ndodhet rreth 17 km nga Bulqiza dhe 7 km nga Rruga e Arbrit (Tiranë – Peshkopi). Zerqani është qendër e njësisë administrative që përfshinë 13 fshatra të bashkisë së Bulqizës. Ishte qendër administrative përpara se të ndërtohej qyteti i Bulqizës. Dikur kishte rreth 190 familje me rreth 570 banorë, ndërsa sot ka shumë pak shtëpi e fare pak banorë.
Zona e Zerqanit, e njohur edhe si Gryka e Madhe, ka histori të lashtë. Ishte e banuar që nga kohët antike, e quajtur në hershmëri me emrin Tamadia. Në disa vende është gjetur material arkeologjik. Në dokumentin mesjetar të vitit 1273 Zerqani përmendet me emrin Zirclan (lat. zir – vend, clan – i artë). Pozita gjeografike e strategjike ka bërë që Zerqani të jetë një qendër e zhvillimeve historike e shoqërore. Delegatë nga kjo zonë kanë marrë pjesë në Lidhjen Shqiptare të Prizerenit, në Kongresin e Manastirit, në Kongresin e Dibrës etj. Qeveria e Vlorës, ndër të parat në vend, ka ngritur në Zerqan nënprefekturën dhe ka hapur zyrën e postë-telegrafit. Gjatë rrjedhave historike Zerqanin e kanë vizituar edhe Abdyl Frashëti e Hoxha Tahsini. Dibra, ndaj edhe Zerqani ishte cak i sulmeve serbe që nga viti 1913 deri në vitin 1921. Në sulmet e pareshtura, forcat serbe kanë zhvilluar masakra, vrasje, plaçkitje, djegie të fshatrave dhe krime tjera të pandërprera.
Dikur ishte fshat i madh e i gjallë, sot Zerqani është pothuaj i braktisur. Para viteve 90-ta kishte shkollë të mesme bujqësore, shkollë 8-vjeçare, shtëpi kulture, muze, spital etj., ndërsa sot aty sheh shtëpi të rrënuara e pleq të pamundur. Fshati i dikurshëm i bukur e i gjallë, sot duket si një vend i trishtueshëm. Sepse, kanë munguar investimet, edhe pse është shpallur fshat turistik dhe është qendër e njësisë administrative.
Zerqani është nga fshatrat më arsimdashëse në krahinën e Dibrës. Porta e Lartë, në vitin 1892, ka pranuar edhe zyrtarisht hapjen e një shkolle private shqipe në Zerqan. Qysh në vitin 1893 Sylejman Shehu (Sheh Sula) mblodhi në teqe djem e vajza për të mësuar në gjuhën shqipe. Ndërsa, shkolla e parë shqipe në Zerqan është hapur në një shtëpi të thjeshtë private më 10 maj 1910. Është mbyllur e është hapur disa herë për shkak të rrethanave të luftës në kohëra të ndryshme. Kështu, është mbyllur në vitin 1914 e është hapur në vitin 1916, kur kishte 40 nxënës, prej tyre 10 vajza. Në shkollë mësoheshin tri lëndë; gjuha, aritmetika dhe muzika apo këndimi. Me ardhjen e forcave pushtuese serbe në vitin 1918, shkolla përsëri është mbyllur e pastaj është hapur në vitin 1921. Në vitin shkollor 1925 – 1926 shkolla e Zerqanit kishte 75 nxënës. Pas çlirimit u hap shkolla e rregullt 7-vjeçare,ndërsa viteve të fundit ishte bërë shkollë 9-vjeçare. Për shkak të rënies drastike të numrit të nxënësve në fshat, në Zerqan sot funksionon vetëm shkolla fillore 4-klasëshe, edhe ajo me klasë të kombinuara.
Zerqani kishte shkollë të mesme bujqësore, e cila pas vitit 1990 ishte kthyer në shkollë të mesme të përgjithshme (gjimnaz), kur kishte rreth 500 nxënës. Në vitin 2017 numri i nxënësve kishte rënë në 120, kurse tash është mbyllur fare, sepse nuk ka nxënës të mjaftueshëm. Dukuria gërryese e shkaktuar nga emigracioni e ka zbrazur pothuaj në tërësi Zerqanin, duke e pamundësuar punën e shkollës së mesme dhe duke e penguar shkollën fillore.
Si një fshat bujqësor – blegtoral, në Zerqan kultivohen drithërat e bukës dhe rriten bagëtitë e imëta. Kohëve të fundit është ndërtuar një punishte për përpunimin e qumështit dhe nënproduktet e tij, që ka krijuar emër të mirë në tregun e vendit.
Dita e 3 gushtit në Zerqan është festë tradicionale, që manifestohet si një takim brezash, kur shënohet edhe dita e çlirimit të fshatit dhe kur nderohen dëshmorët e kombit. Sepse, Zerqani e ka paguar me gjak lirinë, ndaj është krenar për historinë e vet.
Zona e Zerqanit ka pamje fantastike. Ajo është ndër zonat më piktoreske, me reliev kodrinor të valëzuar. Në vitin 2018 Zerqani është përzgjedhur në projektin e qeverisë si njëri ndër 100 fshatrat turistike të Shqipërisë, sepse ka kushte e mundësi reale për zhvillimin e turizmit. Aty ndodhet një park natyror, i quajtur Vakuf ose Zabeli i Madh, i shtrirë në 15 hektarë, që është shpallur monument natyror në vitin 2002. Për banorët e fshatit ky është një pyll i shenjtë, që ruhet nga vet fshatarët. Legjenda thotë se kush i prenë lisat e gjatë shekullorë të Vakufit apo e dëmton pyllin, do t’i ndodh ndonjë e keqe. Poshtë parkut ndodhen tri burime të mëdha, që njihen si “Gurrat e Zerqanit”. Uji i këtyre gurrave, me prurje rreth 200 l/sec, shfrytëzohet për ujitjen e tokave bujqësore të Zerqanit dhe të fshatrave të zonës, si dhe e furnizon një hidrocentral të vogël. Ndër liqenet e Zerqanit dallohet Liqeni i Zi, një ndër perlat e rralla të natyrës shqiptare, i shtrirë në lartësi mbidetare 1800 metra dhe me thellësi 60 metra. Pastaj, është pylli me gështenja, janë gurrat e livadhet e buta me bukuri të rrallë. Aty ndodhet edhe shtëpia e Mustafë Shehut, e ndërtuar në vitin 1739. Mustafë Shehu ishte ndër udhëheqësit e luftës së Gjoricës kundër Hajredin Pashës në vitin 1844. Kjo shtëpi është e veçantë, sepse ka vlera historike dhe arkitektonike, i shpallur monument i trashëgimisë kulturore.