Shtegtime nëpër Atdhe (CCLXVII)
MALËSIA E GJAKOVËS – KRAHINA LEGJENDARE NË ALPET SHQIPTARE
Malësia e Gjakovës apo Tropoja është një krahinë etnologjike në Alpet Shqiptare, në veriun e R. së Shqipërisë dhe në kufi me R. e Kosovës. Krahina i përket bashkisë Tropojë dhe rrethit Tropojë, që përbëhet nga një qytet dhe 54 fshatra, me qendër në Bajram Curr. Kufizohet me Rrafshin e Dukagjinit, Qafën e Prushit, Luginën e Nikaj Merturit e Qafën e Vranicës (Çerem). Ka sipërfaqe prej 1043 km2 dhe popullsi rreth 20 mijë banorë (viti 2011). Për shkak të relievit malor dhe kushteve klimatike, rreth 40 për qind e territorit nuk është i populluar. Pavarësisht territorit të gjerë, popullsia e rrethit të Malësisë së Gjakovës është e vogël dhe gjithnjë në zvogëlim për shkak të shpërnguljes nëpër qytete të mëdha apo në botën e jashtme, kryesisht në Angli.
Trashëgimia kulturore, historike, arkeologjike e etnografike ka vërtetuar se Malësia e Gjakovës është e banuar që nga epoka e bronzit (2000 – 1700 p.e.r.) dhe pas neolitit të vonshëm. Si një kështjellë natyrore e Dardanisë, ajo gjithmonë ka qëndruar e pamposhtur, si një vatër e trimërisë dhe një arenë e luftërave për liri. Tropojanët ishin nga të parët pjesëmarrës në lëvizjet kombëtare të Lidhjes Shqiptare të Prizerenit, të luftërave për pavarësi etj.
Malësia… është e pasur me objekte të trashëgimisë historike e kulturore. Kështjella e Rosujës e vitit 400 p.e.r. ishte qendër administrative e kësaj treve, e gjendur në kufirin mes fiseve ilire të Labeatëve dhe Dardanëve. Qyteza e Shoshanit apo Gjyteti në Grykën e Dragobisë ishte bazë mbrojtëse e fortifikuar, ndërsa qyteza e Grisë ishte nyje lidhëse mes kështjellave. Pastaj, kemi kështjellën mesjetare të Lekës në Rajë, kështjellat e Kaurrit e të Kamit, tumat ilire të Bujanit, mullirin e Bajram Currit, etj. Vendbanimi më i vjetër është Ponari (Ponari i Lekës), ku ndodhen rrënoja të kishave e nga ku ishte Pjetër Spani, pjesëmarrësi i Kuvendit të Lezhës. Fshatra të vjetra, të banuara para epokës së re, janë edhe Bujani, Selimajt (Valbona), Kami, Cerrnica, Shoshani, Nikajt, Mulajt.
Në hershmëri Malësia e Gjakovës ishte pjesë e Dardanisë, kurse nga fundi i shek. XIX e deri në vitin 1913 ishte pjesë përbërëse e Vilajetit të Kosovës. Qendër ekonomike e tregtare edhe për Malësinë e Gjakovës ishte qyteti i Gjakovës, me të cilin i zhvillonte edhe marrëdhëniet familjare. Administrata e parë, si nënprefekturë, që përfshinte Bytyçin, Tropojën, Bujanin e Nikaj-Merturin është vendosur në vitin 1916, me qendër në fshatin Bujan, ndërsa në vitin 1925 qendra e nënprefekturës është transferuar në fshatin Tropojë (sot Tropoja e Vjetër). Ngase qendra e krahinës ndodhej në Tropojë, tërë Malësia e Gjakovës ka filluar të quhet Tropojë. Në vitin 1953 qendra e administratës lokale përsëri transferohet, tash në fshatin Kolgecaj. Ky fshat u shpall qytet dhe qendër rrethi, duke marrë emrin e Heroit të Popullit, Bajram Curri.
Afër Kolgecaj e në breg të lumit Valbonë, më 28 gusht 1943, është mbajtur Kuvendi i Malësisë së Gjakovës, në të cilin është lidhur besa për luftë të përbashkët kundër pushtuesve fashistë. Në fshatin Bujan, në kullën e Sali Manit, më 31 dhjetor 1943 dhe 1 e 2 janar 1944 është mbajtur Konferenca e Bujanit, e cila ka miratuar rezolutën për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Kulla e tretë historike është ajo e Binak Alisë në Bujan. Kësaj treve historike krenarinë ia shtojnë edhe personalitetet historike, si Mic Sokoli, Binak Alia, Ali Ibra, Bajram Curri, si dhe personalitetet mitike, Dervish Luzha e Rexhep Beli. Malësia e Gjakovës u çlirua nga pushtuesit nazi-fashistë më 16 tetor 1944. Të kujtojmë se Malësia e Gjakovës, gjatë luftës çlirimtare në Kosovë në vitet 1998 – 1999, ishte bërë një strehë e sigurt e popullsisë së dëbuar nga Kosova dhe e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Malësia e Gjakovës është një zonë bujqësore e blegtorale. Bujqësia kufizohej kryesisht në pemëtari, me rritjen e gështenjës, kumbullës, arrës, mollës, fikut, rrushit etj., si dhe me prodhimin e drithërave të bukës, misrit e grurit. Theksojmë se Malësia… e ka masivin më të madh të gështenjave në Ilirik, i shtrirë në 2000 hektarë me 19 mijë rrënjë. Gjithashtu është i njohur lloji i kumbullës së Tropojës, pastaj arroret e shumta, mollët e shumëllojshme etj. Kullotat alpine janë hapësira të gjera që krijojnë kushte shumë të mira për zhvillimin e blegtorisë.
Krahina e Malësisë së Gjakovës është një regjion i begatë edhe me pasuri natyrore mbitokësore e nëntokësore, si dhe është e përshtatshme për turizëm, peshkim e alpinizëm. Në lumin Valbona peshkohet trofta pikalore, një peshk karakteristik që gjendet edhe në lumin e Gashit dhe në lumin e Nikaj-Merturit. Ndërsa, nëntoka e kësaj krahine është e pasur me minerale, veçanërisht me mineralin e kromit, i përqendruar në Rragam, Kam, Kepenek, Zogaj, Bytyç.
Malësia… është kryesisht reliev malor dhe kodrinor, pjesë e Alpeve Shqiptare. Në Malësi ndodhen male të larta me maja të mprehta të Alpeve Shqiptare me mbi 2500 metra lartësi, nga të cilat veçojmë Majën e Hekurave (2561 m), Malin e Shkëlzenit (2407 m) etj. Mali i Jezercës (2694 m) është maja e dytë më e lartë në Shqipëri. Janë magjepse edhe luginat e thella mes maleve, siç është Lugina e Valbonës, lugina e lumit të Gashit, lugina e Tropojës etj.
E tërë Malësia e Gjakovës është një perlë e rrallë e Shqipërisë dhe e rajonit, që ka vlera të larta shkencore e turistike. Ajo njihet për natyrën e pashkelur, për historinë e pasur, për trashëgiminë kulturore, për zonat e mbrojtura natyrore, për legjendat e vjetra, për njerëzit e mirë e bujarë. Është ndër zonat më të vizituara në Shqipëri, zonë e mbrojtur dhe e shpallur Park Natyror Kombëtar. Turizmi malor zhvillohet kryesisht në luginën e Valbonës, e cila ka gjatësi rreth 50 km dhe shtrihet përgjatë lumit Valbonë, duke filluar nga Qafa e Valbonës e mbaron në Luginën e Drinit, pranë Fierzës. Në këtë luginë ndodhet fshati Dragobi dhe Shpella e Dragobisë, si dhe fshati turistik i Valbonës, një pikë turistike shumë e pëlqyer për turistë. Lugina tjetër, ajo e lumit të Gashit, është e shpallur zonë e mbrojtur strikte dhe Park Kombëtar i kategorisë së parë, si dhe ka hyrë në mbrojtje të UNESCO-s.
Treva e Malësisë… ka pasuri të mëdha ujore, siç është lumi Valbona, Lumi i Gashit, lumi Bushtrica e shumë lumenj tjerë më të vegjël. Malet janë të pasura edhe me liqene akullnajore, tektonike e artificiale. Liqeni i Fierzës dhe liqeni i Komanit përbëjnë rezervë shumë të madhe ujore dhe energjetike. Në Malësi… ka mjaft shumë burime ujore, siç është Vrella e Shoshanit, që është njëri ndër burimet më të mëdha në Ilirik, pastaj është Ujëvara e Rragamit dhe shumë kanione.
Malësia e Gjakovës karakterizohet veçanërisht nga etnografia, folklori, historia e gastronomia. Aty është zhvilluar Eposi i Kreshnikëve (cikël i këngëve epike), pastaj balada e Gjergj Elez Alisë, mitet, orët, zanat, legjendat. E veçantë është tradita e mikpritjes dhe e odës së burrave, si dhe traditat e zakonet tjera shumë të vjetra.
Natyra shumë e bukur dhe tërheqëse është magjepse, që të lë pa frymë. Veçanërisht, janë magjepse majat e maleve dhe kreshtat e thepisura, që shprehin egërsinë e lartësive të ngritura deri në qiell.
+4
Toutes les réactions :
Vous, Miran Kelmendi, Xhemajl Pllana et 174 autres personnes
add a comment