Lëvizja\UÇK

Berat Luzha: Pranvera Shqiptare ’81 ka emrin e Dëshmorëve

PRANVERA SHQIPTARE ’81 E MBANË EMRIN E DËSHMORËVE
“Më e shtrenjtë është liria se jeta ime”, – ka thënë ilegali i njohur e luftëtari i madh, Fehmi Lladrovci. Me këtë motiv rezistuan dhe luftuan djemtë e Kosovës në demonstratat e mëdha të viteve 1981, 1982, 1983, 1988, 1989, 1990, si dhe në luftën e lavdishme çlirimtare të UÇK-së. Siç theksonte i madhi Jusuf Gërvalla, në vitin e madh 1981 “ishin ndezur shkëndijat e luftës së pashmangshme nacionalçlirimtare”. Atëherë, ishte mbushur kupa, ndaj, siç ka thënë Heroi Nuhi Berisha, populli ynë nuk mund të qëndronte më i heshtur.
Ishte mbushur kupa dhe rinia e Kosovës më nuk mund të rrinte e heshtur. Pranvera e vitit 1981 i kishte ndezur shkëndijat e para të një lufte të pashmangshme çlirimtare. Gjendja e rëndë sociale, pabarazia në Federatë, prapambetja ekonomike e viseve shqiptare në ish-Jugosllavi, nga njëra anë dhe aspirata popullore për liri e bashkim kombëtar, nga ana tjetër, ishin prelud për ngjarjet e mëdha, që bënë kthesën e madhe historike për ndërgjegjësimin e pandërprerë të popullit tonë për liri.
Pakënaqësitë dhe urrejtjen ndaj regjimit shovinist rinia jonë heroike e zbrazi me demonstrim paqesor nëpër rrugët e Prishtinës dhe qyteteve tjera. Ishin studentët, nxënësit, punëtorët, fshatarët, intelektualët, …, të gjitha shtresat e shoqërisë që ndezën dhe organizuan revoltën e pashuar popullore. Mirëpo, duke i dhënë demonstratave karakter armiqësor me platformë politike të nacionalizmit e irredentizmit shqiptar, regjimi përdori dhunën e pamasë shtetërore policore e ushtarake. Këtë revoltë popullore, të shprehur paqesisht përmes demonstrimit masiv, regjimi gjakatar serbo – jugosllav e shndërroi në ngjarje të përgjakshme, me ç’rast vrau e plagosi dhjetra e burgosi qindra demonstrues.
Në demonstratat e lavdishme të vitit ‘81 në Prishtinë ranë dëshmorë Naser Hajrizi, Asllan Pireva, Xhelal Maliqi, Salih Abazi, në Ferizaj ranë Rizah Matoshi e Sherif Frangu, në Vushtrri Ruzhdi Hyseni e Salih Zeka, në Prekaz Tahir Meha e Nebih Meha, në Gjakovë Nesimi Dervishdana, kurse në burg u vra mizorisht i riu Afrim Abazi. Krahas dëshmorëve, duke përfshirë edhe dëshmorin e demonstratave të vitit 1968, Murat Muratin, janë edhe dhjetra demonstrues të plagosur që derdhën gjak për liri. Dëshmorët, të cilët u ballafaquan me forcat shoviniste me guxim e heroizëm të pashoq dhe ranë në fushën e nderit, sot, në 40-vjetorin e Pranverës Shqiptare, i kujtojmë e nderojmë me pietet të lartë atdhetar. Në themelet e lirisë së Kosovës prore qëndron gjaku dhe jetët e flijuara të tyre dhe të të gjithë dëshmorëve të kombit.
Krijesës artificiale shtetërore, e quajtur Jugosllavi, që ishte bërë burg për popullin tonë, në vitin 1981, me demonstratat e shqiptarëve po i lëkundeshin themelet ndaj, sikur bisha kur plagoset, ishte bërë e rrezikshme dhe kërkonte gjak. Dhe, ngordhi pas 20 vjetëve si krijesë e u tërhoq përgjithmonë nga trojet tona 30 vjet më vonë. Ngordhjen e saj e paguam shtrenjtë, sepse i shtrenjtë është çmimi i lirisë. Po, për lirinë ia vlente ta paguante çdo çmim, pra ta paguanim me gjak e sakrifica të mëdha e të shumta. Ishte, në fund, lufta e lavdishme çlirimtare e UÇK-së e cila i dha fund robërisë shekullore, por që mbetën, për gjeneratat e reja, edhe shumë punë për ta bërë lirinë të plotë e të përjetshme.
Viti i madh 1981, i quajtur si Pranvera Shqiptare, e mbanë vulën dhe emrin e gjakut të dëshmorëve, ashtu siç e mbanë liria dhe pavarësia e Kosovës martire, në përgjithësi.