Portreti/intervista

Berat Luzha: Në kujtim dhe nderim të shqiptarit dhe mikut Apostol Duka

Si idealist i pashoq, i çiltër, fisnik, i dashur, kurdoherë thoshte se feja ime është Shqipëria.

Sot, me vonesë të madhe mësova se para dy muajve, në nëntor të vitit të kaluar, paska ikur në përjetësi miku im, Apostol DUKA. Apostoli ishte një ushtarak, gazetar, poet, prozator, eseist, skenarist, publicist, botues i njohur nga Tirana. Rrjedhë nga një familje e madhe e fshatit Labovë të Gjirokastrës, e cila kulturës shqiptare i ka dhënë vlera të shumta kombëtare. I mbetur pa punë qe 30 vjet, iu rrek botimit dhe shpërndarjes së librit në në gjitha trojet shqiptare. Çdo vit ka qenë ekspozues i rregullt në panairin e librit në Prishtinë dhe në qytetet tjera. Gjithashtu, krijoi dhjetra vepra letrare e publicistike, në mesin e të cilave librin për heronjtë Kadri Zeka e Labinot Krasniqi. Si idealist i pashoq, i çiltër, fisnik, i dashur, kurdoherë thoshte se feja ime është Shqipëria. La emër të pashlyeshëm në kulturën tonë.

KAÇANIK 05

Male, me kryet brenda reve,

Kreshtpërzhitura prej rrufeve,

Çatitë skuqin nëpër pyje,

Arat, nure bukurie.

Ja, Sharri shfaqet atje larg,

Shkëmbinj e gurë varg e varg,

Dhe rrugë e shtigje e bregore,

Dhe këngë e valle arbërore.

Ky vend, me emrin Kaçanik,

Të merr të tërin, të bën mik,

Të le pa frymë, sa s’ke ç’të thuash,

Të bën të heshtësh e ta duash.

Apostol DUKA