Lëvizja\UÇK

Bedri Islami: Për Shpirtmadhin

I largët është viti kur e kam takuar për herë të parë Qerim Kelmendin. Në shtëpinë e dikurshme të vëllait të tij. Nuk e kam ditur atëbotë se ishte i plagosur dhe, për më tepër, i plagosuri i parë i UÇK-së. As nuk e kam ditur se emri i tij në Lëvizje ishte “Shpirtmadhi”. Më shpesh e thërrisnin ” Demë”, ky ishte emri i tij i luftës dhe, vetëm më vonë, mësova se ai ishte njeriu me tri emra, sepse kishte tri zemra! E them pa droje, ai ishte njeriu që kishte zemër për të gjithë dhe në atë pjesë të trupit të tij mund të ishin të gjithë.Në Lëvizjen Popullore të Kosovës kishte qenë Njeriu që nuk e donte më statukuonë; ai donte ndryshimin, kërkonte të lëviznin gjërat dhe të kishte një shpresë. Rrallë herë emri i gjetur prej tij në Lëvizje ” Shpirtmadhi” ishte kaq i njësuar me njeriun që e kishte zgjedhur apo ia kishin zgjedhur.Në fakt, kur e njoha më vonë, shumë më tepër se njohja fillestare, kur miq u bëmë dhe vinte edhe në shtëpinë time në Shkodër, në ndenjat e gjata dhe bisedat e pafund, kam mësuar mbi të gjitha se Njeriu që kishte qenë në themelet e UÇK-së, ashtu si ishte, njeri i shpotitshëm, gazmor e shpirtplot,që nuk merrej kurrë me anësoret, që falte edhe kur nuk e falnin, që linte kokën pas shokëve, që fjalët i kishte gjithnjë të duhura, që duke qeshur thonte të vërteta, që të donte pa hile dhe nuk ti duronte hilet, që e dinte se ku gabonin shokët, por nuk çirrej, që i dhembte Kosova dhe nuk ia vinte re se kishte nisur harresa; miku më i afërt i tre herojve të shquar , Zahirit, Ilir Konushevcit dhe Ardian Krasniqit; i dënuar me 15 vite në mungesë nga gjyqet e Serbisë dhe nuk ia ndjeu kurrë,i përndjekur nga një skotë udbashe, të cilët shihnin tek ai njeriun e zakonshëm që, pasi kishte bërë histori , ishe kthyer në familjen e tij,njeriu që kishte çarë borën për vite me rradhë, duke shprishur kufijtë e dhunshëm dhe ndërtuar historinë e re, që kishte pasur në duar qindra mijra marka e kishte mbetur i varfër, i pabindur ndaj së keqes , por i shtruar në punët e mira; i rënë në prita dhe i dalë prej tyre i përgjakur; që kishte idhull Adem Jasharin e mbi të gjitha donte Shqipërinë; i papërkulur në thelbësoret dhe që linte anash mëritë; më i miri, më i dashuri, më i sinqerti dhe më i ndershmi i Kelmendve ( më i ndershmi mes të ndershmëve); mikpritës dhe i drejtpërdrejtë, ky ishte Qerimi që kam njohur, që kam ndër mend, që e kam dashur më shumë se gjithë Kelmendasit e tjerë, megjithëse me të isha njohur përmes Ibrahimit dhe të cilit, Shpirtmadhit, nuk ia prisha kurrë.

E kam pasur dhe e kam për nder që isha mik i tij, që e kisha mik në familje, që e donte Nënën time dhe ajo e donte jashtëzakonisht, sot ka ditëlindjen! Pushon në mesin e shokëve të tij! Një jetë e nderprerë brutalisht! Por një jetë e bukur, fisnike, njerëzore, që nuk do të mund të harrohet!Pusho në paqe, miku ynë!