Kulturë\Letërsi

Bedri Halimi: Histeria e Rrapos (Tregim)

Ai e kishte flokun të kuq. Edhe leshërat në krah i reflektonin të kuqe. Kjo e kuqe të ngjallte trishtim në leshrat e krahëve të tij, sepse lëkurën e kishte me shenja të zeza, të cilat shenja sado të vogla, lëkurës i jipnin karakter të një vjetërsie të madhe. Edhe leshrat e fytyrës ishin të kuqe, trishtuese. Pamja e lëkurës së fytyrës të ngjasonte në lëkurën e bretkosës –thithëlopës së livadheve – rana dalmatica. Ishte nxënës në drejtimin e biologjisë. Sytë i kishte të larmë, ku dominonte e bardha dhe disa shokë e shpotisnin duke i thënë se kishte sytë e dhisë. Edhe ashtu gjatë ditës, kur nuk ishte në mësim, tërë ditën punonte në arë, në mbjelljen, ujitjen dhe prashitjen e specave. Toka, përkatësisht dheu i arës së tij të madhe, ishte i kuq, që gjasonte me ngjyrën e pamjes së tij. Në klasë mundohej që të ishte dominant në çdo aspekt. Vuante që të dominonte në shoqëri. Mendimet e shokëve të klasës shpesh i nënçmonte, duke dashur ta tregoj dominancen e vet. Ishte nxënës i shkëlqyer. Por, ky shkëlqim nuk rrezatonte në dije mbi të tjerët, pothuajse në asnjërën lëndë, edhe pse dëshironte që fjala e tij të ishte apsolute. Lexonte letërsi, ku shpesh edhe gjatë orëve të tjera nxirrte ndonjë libër të Kadares nga çanta për të shitur poza. Kishte një kushëri të punësuar në institucionet e krahines së atëhershme. Pas demonstratave te vitit 1981, ky Rrapoja ishte përzier diku në disa pamflete, por meqë ishte mar vesh, organet e sigurimit e kishin thirrur, e kishin trajtuar, dhe nuk e kishin torturuar. Rrapoja tani vazhdonte të shoqërohej me njerëz sipas kritereve të tij, e në veçanti ia kishte ënda të shoqërohej me përkrahësit e ngjarjeve të vitit 1981. Meqenëse nuk arriti të regjistrohej në mjekësi, e përzgjodhi degën filozofi sociologji. Kishte arritur t’i përfundonte studimet dhe në prag të ngjarjeve të 1989 -’90 kishte shkuar në një qytet të ish Jugosllavisë, ku për një kohë kishte qëndruar diku me të afërm të tij për disa muaj rresht. Qëllimi ishte të bënin aktivitet politik. Për këtë gjë e kishte shitur dhe një livadh të mirë dhe me paratë e livadhit kishte qëndruar në një qytet të ish jugosllavisë për të bërë aktivitet politik. Por, paratë u harxhuan shpejt. Si rrjedhojë u ndal dhe aktiviteti politik, prandaj vajti në Gjermani. Atje kishte punuar si murator dhe punonjës kopshtesh te familje gjermane. Me rastin e organizimit të radhëve të formacioneve ushtarake të UÇK-së, pra të aktivistëve vullnetarë që po i bashkoheshin radhëve të UÇK-së, Rrapoja ishte imponuar për të ndihmuar në këtë drejtim. Ishte imponuar edhe në mbledhjen e parave të fondit “Vendlindja thërret”. Goja i punonte, por takt të komunikimit nuk kishte me njerëz. Komunikonte me një gjuhë të drunjtë, sepse kudo donte të mbizotronte, duke u imponuar. Njerëzit, sapo i vërenin këto dy anë ekstreme të tij: të zhurmës, përmes fjaleve të shumta dhe tonit të komunikimit, disa largoheshin nga ai, që në ato momente, e disa më vonë pasi ta kuptonin mirë. Por, Rrapoja kur e pa se mbeti pa përkrahës, filloi të kërkonte shtigje, dyer e njerëz.

Një ditë e kishte takuar një shokë klase, ia kishte qarë hallet, dhe e kishte shprehur gadishmerinë për t’u kyqur në rrjedhat shoqërore. Shoku e kishte ofruar për ta njohur me disa veprimtarë krucial të kohës. Rrapoja kishte mësuar pak edhe aktrimin e imponimit. Por, këtë e kishte mësuar dobët. Në një gjë ishte fenomenal: në dëgjueshmërinë fillestare para njeriut, për të cilin llogariste se përmes tij mund të arrinte diku, se përmes tij do të përfitonte shumëçka. Kishte aftësi të jashtëzankonshme të të nuhaturit. Mirëpo, nuhatjen përmes shqisës së hundës e kishte në disproporcion me të vrojtuarit nga shqisa e syrit. Kështu që, edhe pse nuk kishte syze, syri e tradhtonte shpesh, duke i sjellur kështu në vazhdimësi telashe edhe me ndjenjën e të nuhaturit, pra me hundën. Kësisoji kishte arritur të njihej me disa persona kyq të institucioneve të pasluftës. Sapo ishte rehatuar pak, filloi të qitte shqelma ndaj të gjithë të tjerëve. Sidomos, ndaj atyre që mund t’i shihte si rival në synimet e tij. Shokët me mjeshtri i përdorte vetëm si trampolinë, vetem si lloj shkalle për të hipur në çati, dhe pastaj për çudi shkallët nuk i duheshin më, duke i flakur. Nuk e merrte me mend se nga çatia duhet zbritur ndonjëherë, qoftë edhe për ta bërë nevojën e madhe apo të voglën. Kështu kur e kapte barku në çati, nga pamundësia për të shkuar ne WC i hiqte disa tjegulla çtisë dhe e bënte në çati. Meqë ishte mishngrënës i madh si dhe ngrënës i madh i groshës, jashqitjet e tija i jepnin kundërmim të rëndë ambiemtit. Kurse kur i vinte për të urinuar, këtë e kishte më të lehtë, urinonte nga çatia. Dhe urinonte jo pak, për shkak se pinte verë e pastaj me birra. Pinte shumë. Stërpikat e urinës së tij ndihehin rreth e përqark çatisë. Kushdo që kalonte atypari, Rrapo mundohej ta urinonte edhe qëllimisht, duke u zgërdhirë nga lart, kur e stërpikte dikë dhe veçmas, kur njerzit kërcenin nga të stërpikuart e tij. Rrapoja zgërdhihej zëshëm. Ndonjëherë dikujt edhe i thoshte: “Ik se të pshurra”. Këtë e bënte në formë të përshëndetjes, sepse Rrapoja njerëzit kishte filluar t’i shohë nga lart. I shihte edhe si insekte. Gjatë kundërmimit të vazhdueshem të fekalieve të Rrapos në çati, ku sasia e amoniakut kishte kaluar dozat e lejuara në përbërjen e ajrit, disa njerëz filluan të ankoheshin, disa vendosnin në hund faculeta dhe shpejtonin hapat duke u larguar nga objekti. Disa filluan edhe të përdornin ombrella në pikë të ditës për ditë me diell. Një ditë, duke kaluar shefat e Rrapos, Rrapoja kishte filluar që t’i stërpikte edhe ata. I kishte hyrë shumë vetja në qejf. Kur shefat po shikonin përpjet Rrapoja po zgërdhihej, duke mos u thënë mandje as “ikni se ju pshurra”. Shefat u nevrikosen u mvrejtën dhe ia ofruan shkallët e tyre për ta zbritur poshtë. Sapo zbriti Rrapoja e pa që mbeti me gishta në gojë. Filloi të mendoj se si t’ia bëjë. Gjatë kësaj kohe Rrapoja kishte shprehur haptas dy gjëra: qëndrimin e tij kundër të burgosurve politikë, dhe qëndrimin e tij kundër pjestarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prania e të burgosurve politikë, e sidomos komandatëve, e tmerronte Rrapon. Ndjehej i zbrazët para tyre. Heshtte para tyre. Lëpinte buzët si qeni i rrugëve, kur lëpin buzët dhe leviz bishtin, duke shpresuar se kalimtaret e rastit do t’ia qitnin ndonjë asht për ta lëpirë. Kur e shihte të domosdoshme imponohej para tyre duke kërkuar që sërish të ngjitej në çati. Pas shpine fliste në stilin e mohimit mekanik, duke thënë se të gjithë të burgosurit politikë janë të pa aftë politikisht dhe të gjithë pjestarët e UÇK-së, së bashku me udheheqësit e tyre, janë të paaftë intelektualisht. Kur haste në ndonjë rezistencë tërhiqej, por duke dhënë sinjale se nuk po tërhiqej nga arsyeja, por nga frika.

Një ditë teksa po pinte kafe një shok i tij, Rrapoja hyri në të njëjtën kafene. Nga largësia nuk u vërejt se ishte ai, por nga hapat e gjatë dhe këmbët e zgjerura në trajtë të bretkosës, u pa se kush ishte. Pasi u ul filloi të rrëfej paknaqësinë e tij Rrapoja, duke shprehur shumë kritika në adres të nëjrëzve vendimarrës të krahut të luftës. -Jam kthyer nga jashtë për t’u ndihmuar. Dhe s’ke kujt t’i ndihmosh, dhe as pse të ndihmosh. Kërkush s’ta di. Sepse, këta njerëz nuk dijnë asgjë. Këta njerëz flasin vetëm në gjuhën e muskujve. Këta njerëz janë katastrofë. As nuk dinë të ta vlerësojnë dijen e lere më të të afrojnë afër për ta dhënë mundësinë për të shprehur njeriu atë që di… Shoku në tavolinë i premtoi se do ta bisedonte me dikë për t’u kyqur në një sektor të rëndësishëm në kuadër të partisë. Në sektorin e politikbërjës. Nuk refuzoi. Pas ca ditësh Rrapoja hyri në zyrë duke e filluar punën. Duke parë se si shkonin punët fillimisht ishte i qetë dhe nuk bëzante. Më vonë pas ca ditësh filloi të shprehte sërish pakënaqësitë e tij. Kushdo që vinte në zyrë për t’u konsultuar për ndonjë problem, për të marrë opinion rreth ndonjë problemi, Rrapoja e priste me këmbët e para, duke kritikuar dhe duke mos ofruar alternativë. Madje filloi që t’u drejtohej njerëzve me shprehjet: ju s’dini, ju nuk pranoni, ju nuk të ndihmoni, ju nuk veproni…, për të kaluar pastaj edhe në shprehjet: ju këtë e keni bërë keq, atë e keni bërë keq, etj. Pra shprehjen JU e kishte në majë të gjuhës. Kurse shprehjen NE nuk e përdorte pothuaj kurrë. Pas vetes së shumësit JU, ai e përdorte më së shumti veten e parë njëjëjs UNË. Në një rast një veprimtar i shquar, i cili kishte kaluar shumë vite burg, duke e dëgjuar se si fliste Rrapoja i thotë: mirë që po e shpreh mendimin, qoftë ky edhe mendim i skajshëm kritik, por nuk po e kuptoi shprehjen JU. Sepse tani dalim te çështja përderisa NE jemi JU, atëherë kush jeni JU, në fakt a ekziston shprehja NE. Por, Rrapoja kështu vazhdonte me secilin. Kishte qejf të bisedonte me secilin veçmas dhe jo me shokët e skuadrës. I imponohej secilit, duke iu ofruar se do të përgadiste ndonjë material për të. Një urtak, filloi t’i besonte dhe filloi t’i përdorte disa shkresa të tij. Rrapoja filloi të marrë mendimin e bluar nga shokët e skuadrës dhe pastaj me vrap ulej që të shkruante në kompjuter. Kështu vraponte për t’u dërguar raporte, e shkresa të ndryshme shefave. Pas ca kohësh Rrapoja e ndërroi zyrën. Sepse, ajo zyrë Rrapos i dukej e vogël. Rrapoja mendonte se ishte bërë shumë i madh dhe duhej që të ngjitej vetem shtigjeve. Shokët e skuadrës u befasuan fillimisht, kur dëgjuan se Rrapoja kishte shkuar në një zyrë të veçantë, se do të punonte vetëm për urtakun. Gjithashtu, u kuptua se Rrapoja kishte kërkuar pagë mbi 1000 euro. Kjo ishte më shumë se sa gjysma e pagës së secilit nga shokët e skuadrës. Ata si idealistë që kishin mbetur, herë paguheshin e herë nuk paguheshin. Këtë madje nuk hezitoi që t’ua thoshte edhe vetë në fytyrë të gjithë shokëve të tij. Madje, këtë e thoshte me krekosje dhe mburrje, duke shtuar se i vetmi njeri që më ka kuptuar sadopak këtu është urtaku. Kur shokët e kuptuan këtë gjë, u çuditën pak, por nuk u çuditën shumë. U çuditën vetëm për faktin se deri ku mund të shkonte imagjinata dhe logjika e Rrapos. Duke u shikuar me njëri – tjetrin në mënyrë të heshtur, pa bë zë, shokët u morrën vesh që Rrapos të mos i jepnin asnjë informatë, asnjë të dhënë. Rrapoja, i cili ishte mësuar që të përfitonte nga secili që takohej, tani nuk e ndjente veten komod, sepse nuk kishte çfarë të bluante. As grun s’kishte, e as ujë. Filloi t’i kritikonte ashpër edhe shokët e skuadrës, që vinte për çdo ditë në zyrën e tyre. Por, Rrapoja kritikën e drejtonte në aspektin e mosdijes së shokëve të tij, duke i akuzuar se s’po dinin gjë. Nuk e kuptonte se ia kishin ndal tagjinë. Pastaj, meqë kishte para në xhep, filloi të dalë e të gjejë individë të ndryshëm, te të cilët merrte informacione, të cilat i duheshin atij, për t’i bluar në laboratorin e tij. Rrapoja, kur kishte informata dinte t’i gatuante, duke i renditur dhe stolisur ato. Kudo që paraqitej, kur përmendej emri i ndonjë aktivisti prezantohej, duke i thënë se e kishte shok të ngushtë. Dhe kështu Rrapoja filloi ta zgjeroj rrjetin e takimeve me njerëz, duke marrë nektar të informacioneve nga secili dhe duke i shfrytëzuar ato për qëllime të veta. Para njerëzve kryesor paraqitej i dëgjueshëm absolut. Kështu shumë njerëz që e takonin Rrapon, këtë mundësi ia krijonin dy deri në tri herë, e pastaj ose largoheshin nga takimi me të, ose kur takoheshin me të edhe ata nuk i jepnin asnjë të dhënë. Rrapoja u nevrikos, nga se nuk po mund të shiste dushk për gogla. Forma e veprimit të Rrapos ishte sikur thithja e viçit që i bënte sisëve të lopës. Nëse nuk qitnin qumësht, viçi i mëshon me kokë siseve për t’i shtrydhur, për të qitur qumësht. Edhe Rrapoja njëjtë vepronte. Sapo ia ndalnin tagjinë, ata që i kishte keqëpërdoruar dhe e kishin marrë vesh, Rrapoja i akuzonte se: ju nuk dini asgjë, as të burgosurit politikë dhe as njerëzit e luftës.

Rrapoja e ëndrronte veten se ishte gjeneral. Gjeneral i mendjes. Gjeneral i dijes, gjeneral edhe nga pamja, prandaj njerëzit e luftës dhe njerëzit e burgut filloi edhe t’i urrente në shpirt. Me vete thoshte: ah sikur ta kisha unë biografinë e këtyre të burgosurve, madje edhe dijen e disave; dhe sikur ta kisha bashkë me këtë edhe lavdinë, e p se jo edhe muskujt e atyre që kanë marrë pjesë në luftë. As Herkuli dhe as Anjshtanji nuk do të mund të më afroheshin nga asnjëra anë, përfundoi duke folur me vete dhe duke i prekur muskujt e krahëve, e në të njëjtën kohë duke shikuar përreth se mos e pa apo e dëgjoi kush. Duke vepruar me mjeshtri, Rrapoja nuk hezitonte që tu shkonte në zyrë shefave, shpesh. Duke i lavdëruar shumë, filloi t’i dëgjonte ata. Dhe në momentet e volitshme, kur ata filluan t’i besonin, Rrapoja nisi që të kosiste në të majtë dhe në të djathtë. I caktuan edhe punë të rëndësishme që sillte fitime. Filloi të gllabëroj jo vetëm nga fitimet që i krijohej mundësia, por edhe nga fitime të tjera. Për arsyetime gjente 1001 të tilla. Dozën e spiunimit, për të cilën kishte shumë përvojë, tani e rriti shumë. Filloi të spiunoj te shefat të qena e të paqena. Kur s’kishte informata, i trillonte ato. Çdo njeri që paraqiste rrezik për pozitën e tij, mundohej ta denigronte me nofka e profka te shefat. Natyrisht, sidomos duke trilluar nga imagjinata e tij e pasur. Filloi të hante shumë mish, filloi të voziste xhip të zi, filloi të pinte e të argëtohej me femra anë e kënd Kosovës. Disa femrave, madje t’u blente edhe banesë, me parat që i merrte nga shefat dhe me kursimet e fitimeve të punës… Rrapoja, duke gënjyer shpesh, u egërsua. Nga egërsia u rrit shumë. Fillimisht atij i bënte çdo lloj këmishe në trupin e tij, por nuk zgjaste shumë dhe të gjitha këmishët i binin të vogla, sepse hynin në ujë. Ndërsa trupi i Rrapos nuk zvogëlohej dot nga asnjë lloj i ujit në Kosovë. Kur e panë shefat këtë gjë, ndonëse me vonesë të madhe, filluan ta largonin, madje edhe ta tallnin. Ndonjëherë, kur u duhej për të lehur ndaj dikujt, herëpashere e afronin. Por si duket, asnjëri nuk e lejonte më Rrapon që ta kapte për qafe, sepse atë njeri që Rrapoja e kapte për qafe, e shtrëngonte aq fort, sa që kishte dhembje të qafës për një muaj rresht. Dhe kështu Rrapoja u largua nga shefat, kur shefat kishin humbur pushtetin për shkak se ishin shoqëruar me shumë njerëz si Rrapoja. E Rrapoja mbeti si peshku në rërë. Askush nuk e afronte. Një ditë nëpër kuluare flitej se Rrapoja kishte përfunduar në çmendinë. Dikush nëpër kafene, duke hëngër mish e pirë verë e raki, kur përmendej emri i Rrapos qeshej. Të gjithë qeshnin. Dikujt lëngu i mishit i rrodhi nga goja. E fshiu me llërë. Mënga e këmishës së bardhë iu zverdh. Dikujt, nga e qeshura e madhe, i mbeti mishi në fyt. U bë skenë e zymtë. Të gjithë sytë i çuan te njeriu që ishte shtrirë në dysheme dhe po bënin përpjekje për t’ia rikthyer frymën…