VËSHTRIM
FRYTI I PUNËS SHUMËVJEÇARE TË NJË STUDIUESEJE E HUMANISTEJE SERIOZE
Emri i Janet Reineck është i njohur në botën shqiptare në Kosovë qysh në vitin 1981. Ajo për 8 vite rresht si antropologe e njohur, ka bërë hulumtime në etnokulturën shqiptare në Kosovë dhe pos kësaj është marrë edhe me veprimtari humanitare.
Si fryt i punës shumëvjeçare të saj është botuar libri me titull “Një amerikane në Kosovë 1981-1997”. Libri përmban 270 faqe, ku të dhënat e shumta, që prezantohen në këtë libër, ato shoqërohen edhe me foto të kohës, të cilat ia shtojnë edhe më shumë rëndësinë e hulumtimeve të bëra në vende të ndryshme të Kosovës.
Ky libër siç thotë edhe autorja “Është i dedikuar për njerëzit jashtë Kosovës që duan të dinë më shumë për popullin shqiptar dhe traditat e tij”. Natyrisht gjatë hulumtimeve shumëvjeçare autorja Janet Reineck është mishëruar me kulturën, jetën dhe përgjithësisht traditat e shqiptarëve, duke mos e fshehur madje edhe simpatinë e veçantë që ndjen kjo studiuese e pasionuar për shqiptarët. Prandaj s’ka se si të mos jetë interesante edhe për lexuesit e studiuesit shqiptarë.
Pjesa e parë të librit e titulluar “Vitet e hershme në Kosovë 1981-1983”, paraqet periudhën kur studiuesja vjen në Kosovë dhe fillon e njihet për së afërmi me jetën dhe traditat e shqiptarëve. Fillimisht vendoset në Bregun e Diellit në Prishtinë prej nga pastaj fillon të merret aktivisht me hulumtimet e etnokulturës shqiptare. Gjatë hulumtimeve të saj, në momente të caktuara i është dashur që t’i shmanget ndonjë provokimi politik të kohës së monizmit, ngase ardhja e saj ndodh pikërisht në vitin e ngjarjeve madhështore të demonstratave të këtij viti, të cilat ia patën trandur themelet e Jugosllavisë së ashtuquajtur socialiste vetqeverisëse. Prandaj Janet Reineck në sytë e UDB-së, shihej me dyshim, dhe jo rrallë survejohej duke u përcjellur çdo hap i veprimtarisë së saj. Prandaj studiuesja Reineck ashtu siç ishte e vemendshme në hulumtimet e saj, po aq ishte elokuente për të bërë “sllallome politike” duke ditur se si t’i shmanget “minave politike” siç i quan vet studiuesja Reineck.
Hulumtimet i shtrinë në grykën e Rugovës duke shënuar çdo gjë që për të ishte karakteristike dhe që do t’i hynin në përdorim shkencës së antropologjisë. Për shumëçka gjatë hulumtimeve të saj ka pasur edhe busolla orientimi, dhe këto ‘busolla’ ishin njerëzit e mirë, njerëzit e thjeshtë të cilët Janet Reineck nuk e kishte të vështirë t’i gjente. Në veçanti kishte orientim këshillat dhe sugjerimet e etnokoreografit dhe etnomuzikologut të njohur nga Opoja në përmasa gjithëkombëtare, Xhemali Berisha. Njohja me Xhemaliun si dhe ansamblin ‘Shota’ të cilën e udhëhiqte Xhemaliu, do të ndikonte shumë pozitivisht në punën e saj, sa fisnike, po aq edhe humane. Vet mishërimi i saj me kulturën shqiptare, bëri që Janet Reineck ta mësonte edhe gjuhën shqipe, e cila do t’i hynte në punë gjatë komunikimit me informator/e, me të cilët do të fliste për nuancat, domethëniet, sqarimet e problemeve, veprimeve rreth temave të caktuara të etnologjisë shqiptare. Kështu, kjo studiuese, kudo që ka shkuar, në mënyrë besnike dhe të hollësishme ka shënuar të dhëna rreth kulturës shqiptare. Këto të dhëna i ka paraqitur pastaj edhe në librin për të cilin po bëjmë fjalë.
Në kapitullin me tituull “Gryka e Rugovës” ajo flet për adetet rreth dasmës, fejesës, martesës, kuzhinës popullore etj., të shoqëruara me adete të shumta rreth këtyre temave. Në shumë raste ajo bëhet edhe pjestare e banorëve të vendit ku studion, edhe aktore, edhe vallëtare, duke e përqafuar çdo gjë të etnosit të asaj treve, duke veshur veshjet e trevës në fjalë, dhe duke i shënuar në hollësi përshtypjet e saj dhe domethënjen e secilit veprim.
Autores i lë përshtypje edhe roli i ‘burrneshes’ që quhet shpesh ‘virgjëresh e betuar’, në pjesen e Pejës, dhe rolin e saj në shoqëri, duke potencuar se këto ‘burrnesha’ gjenden edhe të shqiptarët në Mal të Zi, Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë.
Në vitin 1983 autorja rikthehet në SHBA duke bërë kështu një ndërprerje mes dy periudhave hulumtuese në Kosovë. Por kjo periudhë nuk zgjat shumë dhe ajo kthehet sërish në vitin 1986 për të bërë hulumtime rreth disertacionit të doktoraturës në Kosovë. Këto hulumtime studiuesja do t’i zgjeroj edhe në pjesë të tjera si në Opojë, Has, Gollak, Llap e Rugovë. Kështu në pjesën e dytë të librit me titull “Hulumtimet e doktoratës në Kosovë 1986-1988” autorja përshkruan materiale të shumta nga hulumtimi i bërë në teren, në vende të ndryshme të Kosovës. Kudo që ka shkuar, ka shënuar edhe kontaktet me njerëzit, ndihmat e njerëzve që i kanë bërë kësaj studiueseje, afërsinë dhe ngrohtësinë e njerëzve të treguar ndaj studiueses etj.
Kapitulli në vijim i librit në fjalë titullohet “Xhemali Berisha dhe bjeshkët e Opojës”. Vetë titulli nxjerrë në këtë formë, më tepër ka karakter metaforik, ku përmbajtja arsyeton formën. Këtu, sapo lexuesi të vazhdoj të lexoj materialet e prezantuara në këtë kapitull, do të bindet se studiuesja ka pasur të drejtë, ngase individi i veçantë, në një trevë të caktuar, tregon veçantinë e tij në fushëveprimtarinë që bën. E Xhemali Berisha nuk është i njohur vetëm si një vallëtar i mirë dhe njohës i valleve të trevës prej nga vjen, por ai është edhe njohës i etnomuzikologjisë dhe etnokoreografisë në shkallë kombëtare. Këtë e dëshmon fakti se ai ishte udhëheqës i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Shota”; fakti se me këtë ansambël në Dijon të Francës arriti sukses të jashtëzakonshëm pikërisht me traditat e dasmës së Opojës; pastaj pse jo edhe në sferën e të kënduarit ku Xhemali Berisha bën pjesë në elitën e talentëve të këngës shqipe në Kosovë. Prandaj të gjitha këto virtyte, studiuesja i ka spikatur te ky njeri, dhe përmes tij pastaj ka arritur të bëj hulumtime në fshatra të Opojës, ku pos shtëpisë së vëllaut të Xhemali Berishës, Bajramit, shumë njerëz ofrojnë konak për studiuesen në fjalë, e ku në këtë rast veçohet familja e Sadri Shefikut në Bellobrad. Shoqërimi me vajzat e Sadriut, të cilat në atë kohë kanë pasur ide përparimtare, bën që Janet më lehtë të depërtoj te shumë familje, të flas me shumë vajza e gra, për të mbledhur të dhëna rreth traditës kulturore të trevës së Opojës. Madje ajo e mishëruar në traditën kulturore shqiptare deri në skajshmëri, ka arritur t’i mësoj edhe vallet e Opojës, ku së bashku me burra, ka vallëzuar në ‘Lëmë’ apo ‘Tondë’ si quhet vendi ku qëndrojnë burrat në ditën e parë të dasmës.
Gjatë studimeve të saj autorja nuk lë pa përmendur edhe gjëndjen socio-ekonomike të banorëve të kësaj ane, pastaj pozitën e shqiptarëve brenda sistemit, ku mes rreshtash aludon herë drejtpërdrejtë e herë në mënyrë indirekte, rreth pabarazisë së banorëve të kësaj treve dhe shqiptarëve në përgjithësi, në kuadër të shtetit monist jugosllav. Ajo potencon edhe fakte të dhunës ndaj shqiptarëve, për shkak të politikave brutale të kohës së Rankoviqit, detyrimin për tu shpërngulur në Turqi etj., autorja Jant, më tej paraqet kurbetin, plagën shekullore të shqiptarëve si domosdoshmëri e mbijetesës. Shumë gjëra të mbledhura edhe në këtë trevë, autorja i shoqëron me fotografi të shumta, të cilat foto, tashmë edhe si të vetme, marrin një konotacion të rëndësisë së veçantë etnografike. Edhe në këtë trevë flet për shumanshmërinë e jetës së banorëve të kësaj treve, rreth dasmës, fejesës, martesës, festave të motmotit, dhe adeteve të shumta të shoqëruara rreth tyre. Ajo përpos në Buçe, Bellobrad ka shëtitur edhe në fshatra të tjera për të bërë hulumtime si në Shajne, Kosavë, etj. Ku disa nga këngët e kënduara i shënon me tekst.
Autorja në këtë libër, në një kapitull të tërë për këtë qëllim, ia përkushton ndihmës së madhe të vëllaut të Xhemaliut, Bajram Berishës, prandaj edhe këtë kapitull e ka titulluar “Bajram Berisha: Bashkëpunëtor në hulumtime”, i cili e ka shoqëruar dhe ndihmuar në shumë të dhëna interesante për kulturën e banorëve të kësaj treve. Po në këtë vazhdë, autorja me një kapitull të veçantë me titull “Një vizitë në Has” e shoqëruar nga Bajram Berisha bën vizitë hulumtuese edhe në këtë trevë, duke nxjerrë të dhënat kulturore të kësaj treve, të dhëna këto me interes të padiskutueshëm për kulturën shqiptare, që gjithashtu këto të dhëna, janë të shoqëruara me një numër të konsiderueshëm të fotove.
Në pjesën e tretë të librit “Kthimi në Kosovë si punonjëse e ndihmës humanitare dhe si nënë 1994-1997”, pasi e kishte përfunduar punën në terën rreth doktoraturës në antropologji, autorja është kthyer për ta përgatitur disertacionin.
Gjatë viteve 90-ta Janet Reineck ishte rikthyer për të punuar në një projekt të OXFAM-it.
Ajo e kishte vërejtur tashmë gjëndjen e rëndë të shqiptarëve pas luftrave që ishin zhvilluar në Slloveni, Kroaci, e Bosnje. Ishte ballafaquar me faktin e largimit të mbi 120 mijë shqiptarëve nga vendet e tyre të punës. Të gjitha këto kishin ndikuar në shpirtin e studiueses dhe humanistes Janet Reineck. Prandaj ajo nuk kishte ndejtur duarkryq dhe kishte shkruar shumëçka nga këto ndodhi, duke shkruar edhe rreth organizimit të sistemit paralel shëndetësor, organizimit të shkollave në hije, etj., e deri te ndëryrja ndërkombëtare. Në vitin 1994 rikthehet në rolin e humanistes si veprimtare e OXFAM-it, vendoset në pjesën e komunës së Vitisë. Për të vazhduar si menaxhere e këtij projekti edhe në Prishtinë. Tërë angazhimet dhe periperitë e qëndrimit gjatë kësaj kohe në Kosovë, autorja i paraqet në një kapitull të këtij libri, duke e përshkruar edhe jetën familjare shqiptare, duke u bazuar edhe në mikpritjen konkrete të familjeve të caktuara si familja Tafa etj.
Të gjitha sfidat e hasura në këto fshatra si Gërmovë, Zhiti, Ballanc, Beguncë, Kllokot, Stubëll, Binçë, Cërrnicë etj., i ka paraqitur edhe me foto të shumta.
Në kohën kur prania e Janet Reineck, ishte më se e nevojshme në Kosovë, duket qartë se veprimtaria e saj ishte përcjellë nga pjestarë të UDB-së, prandaj organet e dhunshme serbe në Kosovë, ia bënë të pamundur qëndrimin e Janet Reineck më tej, duke e dëbuar nga Kosova. Ishte koha kur Kosova, siç thotë autorja në kapitullin vijues “Kosova shkon drejt luftës”. As në këtë kapitull autorja nuk qëndron indiferente ndaj luftës në Kosovë, por ofron shumë të dhëna që kanë të bëjnë me zhvillimet e kësaj periudhe.
Në fund autorja si epilog të librit, sjellë edhe kujtimet e saj për vizitën pas luftës që ka bërë në Kosovë, vizitat që i ka bërë komunës së Vitisë, Bondsteel, Opojës, personaliteteve të caktuara politike etj.
I tërë libri është i shkruar në një gjuhë të kapshme për lexuesin dhe padyshim se në këtë çështje është meritore edhe vetë autorja, ndonëse librin e ka shkruar në gjuhën angleze, njohja e gjuhës shqipe ka bërë që ky libër të tingëlloj sa më shqip. Padyshim në asnjë moment duke mos ja humbur meritat në këtë punë, edhe përkthyesit të këtij libri, Nazim Haliti, redaktorit Arsim Canolli, si dhe lektorit Artan Aliu.
Në fund edhe diçka shtesë: në vitin 1997, pas vrasjes së Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës si dhe arrestimit të disa vepritmarëve të çështjes kombëtare, isha arrestuar edhe unë me dyshimin se isha në celulat e para të UÇK-së. Nga kryeshefi i UDB-së në Prizren, Milivoje Saviq, i cili ishte si shef i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë për tërë Dukagjinin, pos tjerash isha pyetur edhe për Janet Reineck, se a e njoh dhe a kam pasur kontakte me të. Natyrisht dhuna fizike e ushtruar për gjërat tjera ndaj meje, nuk kishte munguar as në këtë rast pas përgjigjeve të mia. Insistimi i tij për të nxjerrë ndonjë informacion në këtë çështje, më bënte të kuptoj se Serbisë nuk i ka pëlqyer prania e asnjë njeriu të huaj (veçmas amerikan) i cili nuk i ka shkuar për shtati interesave serbe. Prandaj nuk ishte e vështirë për të konkluduar, se puna e këtij njeriu për të cilin me aq ngulm insistonte shërbimi i sigurimit serb për të gjurmuar e hulumtuar, të bënte të kuptosh, se ky njeri ka bërë një punë me vlerë, për të thënë të vërtetën qoftë shkencore, qoftë politike për kohën në të cilën ka vepruar.
Natyrisht se unë kisha dëgjuar për Janet Reineck, por kisha dëgjuar vetëm si emër. Nuk e kisha takuar asnjëherë. Nuk e kam takuar akoma, as sot e kësaj dite. Por nuk kam se si të mos ndjeja admirim për këtë njeri, për punën e saj shkencore dhe përkushtimin e saj prej humanisteje.
add a comment