Shqipëria/Aktualitet

BE: Perspektiva euroatlantike e Kosovës nuk cenohet nga refuzimi i mbajtjes së zgjedhjeve serbe

PRISHTINË, 2 prill/ATSH/- Mbështetja e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës nuk do të ndryshojë, pavarësisht refuzimit të mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë më 3 prill.

Perspektiva euroatlantike e Kosovës s’do të cenohet, megjithëse shtetet e QUINT-it vendimin e Kosovës e konsideruan në kundërshtim me të ardhmen e saj evropiane.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, shprehu keqardhje se nuk është gjetur një konsensus për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

Pisonero thekson se Kosova ka perspektivë të qartë evropiane dhe se BE-ja do të mbështesë Kosovën drejt afrimit në BE.

Ajo thekson se rruga evropiane e Kosovës, varet edhe nga normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë.

“Kosova ka një perspektivë të qartë evropiane. BE-ja vazhdon të mbështesë Kosovën në afrimin drejt BE-së, duke filluar përmes zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit BE-Kosovë që ka hyrë në fuqi në vitin 2016. Rruga evropiane e Kosovës varet edhe nga normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë. Neve na vjen keq që nuk është gjetur një konsensus ndërmjet palëve pas vendimit të Kosovës për të refuzuar një propozim konstruktiv të paraqitur nga vendet e QUINT-it. Ne e konsiderojmë këtë vendim në kundërshtim me angazhimet e Kosovës për të ardhmen e saj evropiane dhe parimin e mbrojtjes së të drejtave demokratike të të gjithë qytetarëve të saj, duke përfshirë edhe popullatën joshumicë”, thotë ajo për KosovaPress.

Vendimi për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve serbe brenda territorit të Republikës së Kosovës, sipas kushteve të shtetit fqinj, nuk do të ndikojë as në raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, thotë se marrëdhëniet mes dy vendeve janë aq të posaçme e të thella sa tejkalojnë një qëndrim apo tjetër të qeverisë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës vazhdon të kultivojë marrëdhëniet historikisht dhe tradicionalisht të mira dhe miqësore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne vazhdojmë bashkëpunimin konstruktiv dhe jemi në komunikim të rregullt dhe të vazhdueshëm me administratën e Presidentit Biden dhe përfaqësuesit e shtetit amerikan në Kosovë. SHBA-ja është aleati ynë strategjik dhe historik ndaj të cilit kemi dëshmuar partneritet të besueshëm dhe të qëndrueshëm, së fundmi në rastin e strehimit të më shumë se 1400 refugjatëve afganë. Marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë aq të posaçme e të thella sa e tejkalojnë një qëndrim apo tjetër të qeverisë”, deklaron Kryeziu.

Në të kaluarën zgjedhjet serbe janë mbajtur në territorin e Kosovës, ku OSBE i ka grumbulluar votat dhe më pas janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, qytete kufitare të Serbisë me Kosovën. Gjatë janarit të këtij viti, Kosova refuzoi edhe mbajtjen e një referendumi të Serbisë për ndryshime kushtetuese./KosovaPress/