Histori

Bashkim Qeli: 4 shkurt 1944 – 80 vjet – 4 shkurt 2024 Autorët e masakrës së 4 shkurtit: Xhafer Deva, Qazim Mulleti dhe Kadri Cakrani

4 shkurt 1944 – 80 vjet – 4 shkurt 2024
Autorët e masakrës së 4 shkurtit …
Xhafer Deva, Qazim Mulleti dhe Kadri Cakrani
Nga BASHKIM QELI
Studiues
Kishte filluar faza e dytë e “Operacionit të Dimrit “. Komanda gjermane në bashkëpunim me forcat tradhtarë, ndërmorën një sërë veprimesh, si bllokime, bastisjeje dhe masakra në kryeqytet për të ngjallur terror mbi popullsinë e Tiranës, me qëllim të shkëpusnin lidhjet me forcat partizane, duke përhapur lajme, se forcat partizane ishin shpartalluar e asgjësuar. Por Qarkori i Tiranës dhe veprimtarët e Fronit nacionalçlirimtar ju kundërvunë me aksione konkrete.
Tipike është aksioni i mbrëmjes së 17 Janarit 1944, kur njësiti partizan i Br2S me rreth 20 vetë të drejtuara nga Heroi i Popullit Kozma Naska, në ora 01 oo, goditi garnizonin armik në shkollën e Kuqe në bashkëveprim me njësitin gueril të qytetit, duke i shkaktuar armikut humbje të mëdha në forca rreth 25 të vrarë dhe shumë të plagosur. Ky aksion bëri bujë të madhe në Tiranë ngriti moralin e partizanëve dhe besimin në popullin e qytetit se vetëm partizanët mundë ta çlironin vendit nga pushtuesit dhe bashkëpunëtorët e tyre. Dhe aksioni i 20 janarit tek gjimnazi Tiranës sot “Qemal Stafa” ku u vranë dy bashkëpunëtor të fashizmit. njeri xhaxhai i Xhaver Devës dhe tjetri nipi i Kadri Cakranit. Armikut as i shkonte në mëndje, se në kushtet e shtetrrethimit të egër të mund të kryheshin aksione të tilla, që kërkonin jo vetëm shpejtësi në kryerjen e veprimeve por edhe guxim e trimëri të madhe. Disa ditë më vonë gazeta “Bashkimi i Kombit” shkruante :-“ Terror kundër anarshistëve, terror kundër nacionalçlirimtares, terror kundër partizanëve.” ( Gaz. Bashkimi “nr. 28 janar 1944) Për këtë pushtuesit planifikuan një terror me përmasa të paparë deri atëherë në Tiranë.
Planin e masakrës së 4 shkurtit, kishte ditë që ishte përgatitur në zyrat e Gestapos në bashkëpunim me Xhafer Devën. Ministër i Brendshëm dhe Kadri Cakranin komandant i BK. Ja si e cilëson Xhelal Stravecaka masakrën e 4 shkurtit ;- “ Mbi çështjen e “Natës së Shën Bartolemeut” në 4 shkurt 1944, në mos gabohem erdhi Kadri Cakrani nga Berati, e të nesërmen dy komunista shtinë dhe vranë një nga rojet personale të Kadriut dhe xhajen e Xhafer Devës. Nga ai aksion komunist u bë një kasaphanë atë natë, që i kushtoi jetën më tepër së 70 personave të pafajshëm” (Përpara gjyqit të Historisë, f. 324). Ky është një justifikim i Xhelal Staraveckës se ai ishte vetë komandanti i xhandarmërisë në qeverin Mitrovica. 4 Shkurti në historinë e popullit tonë njihet si nata e Shën Bartolemeut. Ajo datë do të ngelet si simboli terrori dhe masakër makabre por edhe si simbol i një luftë të shenjtë të popullit tonë për çlirimin e vendit nga pushtuesit e tradhtarët e vendit. 80 vjet më parë nën drejtimin e pushtuesve nazist gjerman, forcat e xhandarmërisë e policisë sekrete të qeverisë kuislinge kryen mbi popullin e Tiranës, krimin më të madh çnjerëzor që njeh historia e LANÇ-it.
Në natën e 4 shkurtit rrëmbyen nga gjiri familjeve, rreth 500 të rinj e patriot, 84 nga këta i masakruan e pushkatuan nëpër rrugët e sheshet e Tiranës. Atë natë Tirana, që nga Medreseja deri te rruga e Barrikadave, u la me gjakun e bijve të saj të pavdekshëm. Qëllimi kryesor i pushtuesve synonte me këtë operacion terrorist, që t’i jepte goditje të rëndë e asgjësuese Frontit nacionalçlirimtar të Tiranës, si kundërpërgjigje të dështimit, që pësuan forcat ushtarake gjermano – kuisilinge në operacioni armik të dimrit nëntor 1943 – janar 1944, kundër UNÇSH-së. Të zbuloheshin e të asgjësoheshin të gjitha bazat e LANÇ-it, ku ishin strehuar partizanë të plagosur e sëmur dhe këta të pushkatoheshin. Të gjithë personat e dyshimtë të arrestoheshin e burgoseshin në burguan e komandës gjermane dhe xhandarmërisë në gjimnazin e Tiranës ( sot Qemal Stafa), ku pas verifikimit të bëhej seleksionimi i tyre. Operacioni do të mbahej shumë sekret dhe do të fillonte në mbasdite në orën 15 oo, të datës 3 shkurt dhe do të përfundonte në 05 oo të datës 4 shkurt.
Nga dokumente gjermane, është zbuluar se në krye të këtij aksioni, ishte ishte oficeri Gestapos gjermane Haufmanlangen, përfaqësuesi personal i Hitlerit në Shqipëri dhe Xhafer Deva Ministër i Brendshëm, Qazim Mulleti Prefekti i Tiranës dhe Kadri Cakrani komandant BK. Forcat që do të merrnin pjesë në këtë operacion përbëheshin nga xhandarmëria e policia sekrete kuislinge. Ata u ndan në grupe prej 10 – 15 vetë të drejtuar nga agjent të Gestapos. Sipas planit operacioni do të fillonte në mbasditë të 3 shkurtit. Kjo vërtetohet edhe nga lajmërimi, që bëri ATSH ku thuhej : -“ Në orën 15 oo të kësaj dite, kur u arrestuan 4 qytetarë të pafajshëm, të cilët po shkonin në shtëpitë e tyre dhe u pushkatuan. Këta ishin Todi Shkurti, Vangjel Capo, Hasan Çeliku dhe Jani Koço. Menjëherë pas pushkatimit të tyre forca të shumta të xhannarmërisë dhe të policisë sekrete të armatosur deri në dhëmbë dolën në patrullimi nëpër rrugët e rrugicat e Tiranës, gjatë kohës së ndalimqarkullimit, duke filluar që nga ora 02 oo deri në ora 05 oo të mëngjesit të 4 shkurtit, hynë nëpër shtëpitë dhe bastisën ato, duke arrestuar mbi 500 qytetarë të pafajshëm, prej të cilëve 84 i pushkatuan, ku shumica ishin antifashistë dhe veprimtarë të FNÇ, disa ishin punëtorë që shkonin në mëngjes herët në punë. Disa prej tyre kishin kombësi italiane si dhe 4 të burgosur politikë. Këta martirë lagën me gjakun e tyre rrugët dhe rrugicat e Tiranës.
Tirana u gjakos por nuk u mposht!
Kufomat të pushkatuarësh e të mbytur në gjak shtriheshin pa jetë nëpër rrugët e sheshet e kryeqytetit. Para sahatit dhe sheshit të xhamisë ishin 7 punëtor të pushkatuar disa nga këta ishin punëtorë italianë. Në fund të bulevardit afër maternitetit ishin 4 malazes të nxjerrë nga burgu dhe të pushkatuar. Ne rrugën e Pishë ( sot Tefta Tashko) 3 të pushkatuar. Para xhamisë në rrugën e Kavajës ishin 3 të pushkatuar. Në sheshin para hotel parkut te rruga e Elbasanit ishin ishin 4 të pushkatuar. Para xhamisë së Met Firës ishin 3 të pushkatuar. Në rrugën e Shëngjergjit ishin 7 të pushkatuar. Në rrugën e Dibrës ishin 6 të pushkatuar. Shumë viktimave u ishin prerë gishtat e duarve dhe thyer nofullat dhe u ishin rrëmbyer unazat dhe dhëmbët e floririt. Kufomat e të pushkatuarve qëndruan deri në ora 10 oo të 4 shkurtit dhe më pas u dërguan në morgun e spitalit. Nga dokumenta arkivale rezulton se nga 84 të pushkatuarit janë identifikuar 26 viktima, që janë Ramiz Treni, Sitki Çiçi antifashist të dy mësues të gjimnazit të Tiranës, Xhemal Sojli, Harito Harito, dhe doktor Stefan Pano antifashist dhe veprimtar i Fronit Nacionalçlirimtar, Fadil Rada, vëllezërit Maliq e Haki Huta, Sulejman Vrapi, Gjergj Legisi, Islam Alla, Fiqiri Gërbëlleshi, Ali Visha trupi i të cilit u gjet në Lanë pjesëtar të njësiteve guerile të Tiranës, VIçenco Apoli dhe Ragioner Ravesi dy antifashist Italian, Gjergj Marangosi antifashist malazes, Davit Kohe çfut, Mina Thome nga Vlora i marrë nga hotel Parku, Vangjel Cope, Vasil Muzina, Petro Prifti, Sokrat Take, Mihal Koço, Dhimitër Tona, Emrulla Korje, Todi Shkurti, e Hasan Çeliku punëtor në Tiranë. Ndërsa dy trupat e vëllezërve Maliq e Haki Huta nuk u gjendën, veprimtar të Fronti Nacionalçlirimtar nuk janë gjetur dhe nuk dihet se ku janë varrosur.
Të gjithë personat e arrestuar, që nuk u pushkatuan. U burgosën në burgun e komandës gjermane të ndërtesa e gjimnazit të Tiranës (sot Qemal Stafa). Nga ata një pakicë u liruan, pasi paguan lirimin me napolona floriri, të tjerët u internuan në kampet e vdekjes naziste, prej nga ku nuk u kthyen gjallë në atdhe. Nga ky operacion nazistët dhe bashkëpunëtorët e tyre nuk mundën të zbulonin bazat ilegale të LANÇ-it, dhe nuk mundën të arrestonin asnjë anëtarë të Këshillit Nacionalçlirimtar të Tiranës dhe asnjë nga udhëheqësit e luftës.
Qarkori i Tiranës menjëherë në mbasdite të 4 shkurtit shpërndau traktin ku drejtohej popullit të Tiranës ku midis të tjerave thuhej:-“ Populli i Tiranës! Armiqtë duan të përkulin rezistencën tënde me terror, mblidhi forcat tuaja dhe me vendosmëri vazhdo luftën tënde heroike. Dije mirë se vetëm rezistenca e luftës krijon Shqipërinë të pavarur e të lirë. Bashkohuni më tepër rreth flamurit të luftës për liri kundër okupatorit gjerman dhe bashkëpunëtorëve të tyre! Vetëm i bashkuar do t’i përgjigjesh të gjitha krimeve të armikut për të mbrojtur jetën e bijve të tu. Protesto për krimet e 4 shkurtit mos lejo që armiku të tallet me gjakun e bijve të tu. Në çdo shtëpi i madhe i vogël, burrë e grua të mendojë për 4 shkurtin dhe t’i bëjë thirrje vetes “ Hakmarrje”
Mbas ngjarjeve të 4 shkurtit, nga 5 shkurti e më pas populli i Tiranës bëri varrimin e të pushkatuarve të identifikura me banim në Tiranë. Në kushtet e një terrori shumë të egër, ku në varrimet e tyre morën pjesë edhe qindra qytetarë të Tiranës, në përcjelljen e tyre për në banesën e fundit folën edhe drejtues të Frontit Nacionalçlirimtar. Mbi varret e tyre të mbuluar me flamurin kombëtar ata u betuan se do tu merrnin hakun dhe do të luftonin deri në fund për çlirimin e atdheut, për të cilin këta dëshmor derdhën gjakun e tyre. Të njëjta manifestime u bënë në të gjitha rrethet e tjera të vendit. 4 Shkurti i damkosi përfundimisht me vulën e tradhtisë regjencën Kuislinge, Qeverinë Kuislinge dhe bashkëpunëtorët e fashizmit si terroriste dhe bashkëpunëtor të gjermanëve. Pas masakrës së 4 shkurtit, populli i Tiranës martire, duke përballuar me dhimbje të thellë, nuk u përkul, për humbjen e bijve të tij, por tregoi edhe njëherë shpirtin e tij luftarak dhe të pamposhtur, forcoi me shumë unitetin rreth FNÇ ,rriti vigjilencën dhe morri masa të forta sigurie, e ngriti në një shkallë më të lartë pjesëmarrjen e tij dhe u lidhë më fortë me forcat partizane duke dërguar në radhët e saj, sa më shumë partizane për çlirimin e Atdheut.
Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të 4 shkurtit 1944 të cilët u masakruan nga dora e bashkëpunëtorëve të fashizmit i paharruar kujtimi i tyre.