Shqipëria/Aktualitet

Balluku: Skavica do të ndërtohet, vepër e rëndësishme energjetike

TIRANË, 20 tetor /ATSH/ Zv.kryeministrja, njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot në seancën plenare të Kuvendit se, “HEC-i i Skavicës është një vepër e rëndësishme energjetike dhe do të ndërtohet”.

Duke iu drejtuar opozitës Balluku theksoi se, “projekti i Skavicës, është pjesë e kaskadës së Drinit, që e copëtuat, e bëtë fije-fije. Tri kompanitë që do i nënshtrohet taksës së jashtëzakonshme, njëra prej të cilave ka hidrocentralin që i dhatë ju, ka fituar shumë para. Duhet që këto para t’i kthejë përmes një takse të jashtëzakonshme, që e kanë aplikuar shumë vende të tjera. Pasi BE nxori direktivën, po e aplikojnë edhe vende të tjera, përfshirë Shqipërinë”.

Ministrja bëri me dije se të ardhurat që do të mblidhen do të shkojnë në të mirë të qytetarëve.

“S’ka nevojë të vini këtu dhe të mbroni këto kompani, që e kanë të qartë se kjo taksë duhet vendosur”, u shpreh Balluku.

“Kemi nisur një fushatë për kursimin e energjisë, nga thirrjet ndaj qytetarëve, deri te vendosja e paneleve diellore. Bëhuni pjesë e fushatës për kursimin e energjisë. Do ishte mirë të dalim të gjithë bashkë për t’i bërë thirrje qytetarëve për të kursyer energji. Në vend që të dilni këtu që të gënjeni mendojeni njëherë të dalim bashkë dhe t’i kërkojmë familjarëve të kursejmë. Sot më shumë se çmimi është problem gjetja e sasive energjetike. Nuk ka asgjë të keqe t’i thoni fëmijëve të fikin dritat, të mbyllin derën e frigoriferit dhe të ulin kondicionerin në 21 gradë”, deklaroi ajo.

Balluku duke ju drejtuar opozitës tha se në rast se do kishin qenë ata në pushtet në kushtet e krizës ekonomike do e kishin ulur automatin për qytetarët për t’i lënë ata në errësirë.

“Kjo është qeveria që ka menaxhuar krizat. Prit o Zot kiametin të kishit qenë ju këto katër vite. Sot do kishin qenë njerëzit akoma në çadra. Çfarë do kishte ndodhur nëse do kishit qenë ju në krye në kohën e pandemisë? Një sfidë me jetën dhe vdekjen. Çfarë do kishte ndodhur, nëse do ishit ju në kohën e krizës energjetike? Do kishit ulur automatin dhe do e kishit lënë vendin në errësirë. Shqipëria do të bëjë më të mirën, të investojë. Keni gjithë ditën që flisni dhe dezinformoni. Ky është një moment solidariteti”, u shpreh Balluku.

/r.e/