Vështrim/Analizë

Artan Duka: BE – ja pa datë dhe lojërat me Enverin

Botuar në DITA

Mbarëvajtja, finesa e përshtypjet e të ftuarve në Samitin e Berlinit në Tiranë ishin një tjetër vlerë e shtuar në marrëdhëniet me partnerët tanë të BE e këtu Rama e ata pas tij, kanë ca merita.

Por, Samiti preku dhe ca “tela” ndërkohë! Përtej kritikave të pompozitetit e harxheve sheshit aty ku është ulur këmbëkryq varfëria e “Maliqi” bashkë, bllokimit të arterieve urbane në kurriz të qytetarit në hallin e tij (nevoja për qëndër konferencash gjetiu!) etj, lindin dhe disa hamëndje rreth qasjes e sinqeritetit të politikës sonë ndaj BE.

Të fikësh dritën në fundin e tunelit!

Një ditë pas Samitit, BE mbetet sa afër aq dhe larg, sa “lugë floriri” aq dhe “Thanas shtrëngo rripin”, sa ninullë aq dhe lodhje e zhgënjim sidomos kur i zoti e jep (2030) dhe tellalli nuk e shet!

Të shpërfillësh 2030 është si të marrësh të mirëqënë elektoratin pa patur gajle për pritshmëritë e tij, ashtu edhe t’i përvidhesh përgjegjësisë. 2030 është 40 vjet nga rënia e socializmit e nëse mund të kritikohet BE për ngurtësi e qasje me dy kute, shumë më tepër duhet të anatemohet politika e jonë për këtë sagë pafund duke ngritur pikëpyetje për sinqeritetin e saj ndaj BE.

Mbase nuk i intereson sepse “BE” e kanë prej kohësh brënda e rrotull vetes dhe privilegjet që gëzojnë nuk do të ndodhnin nëse në BE. Mbase, gjeopolitika e mbrapshtë antishqiptare bën të sajën…

Reformat vetë, nuk mund të shiten si alibi për t’i hequr vijën 2030. Data ka rëndësi për qytetarin, për brezin që po shuhet por pret kthesën e madhe për fëmijët dhe ndërkohë është presion mbi vetë politikën si për të mos neglizhuar reformat ashtu dhe pranuar se vetëm prania në BE është garanci për thellim e moskthim pas.

Një datë për në BE është përtej llogarish grantesh e financimesh që mbeten po thelbësore për normalitetin demokratik. Data është pragu kur qytetari mbledh mëndjen se nuk është më i vetëm përballë politikës klienteliste e të korruptuar dhe ndërton jetën në vëndin e tij pa meraqe sepse edhe nëse politika nuk pyet për të, Brukseli nuk bën sehir.

Reformat nuk kanë fund dhe të jesh i përsosur nuk është kusht për BE përkundrazi prania në BE nxit të bëhesh i tillë dhe fut vëndin në reforma pa kthim. Të refuzosh një datë për në BE është të shpërfillësh durimin e shpresën qytetare e të “fikësh” me duart e tua dritën që titullarë në BE po e ndezin në fundin e tunelit të tranzicionit pafund. Data do të vinte në pozitë politikën për të vënë ujët në zjarr, pa vonesa që privojnë qytetarin nga shanse, standarte e financime të BE.

Pa datë, ecet në terr, ngre kokën fataliteti se politika, mbase vetë BE, mund të ndërrojnë mëndje një ditë e kjo ngjall pasiguri!

Data nuk skalitet në gur. Gjërat evoluojnë e mbase data vjen më pranë por e rëndësishme është drita e ndezur në fundin e tunelit. Vetë politika bën mirë jo vetëm të angazhohet për një datë të pranimit në BE por dhe të mos e paraqesë më BE si “parajsë” mbi tokë sepse edhe në BE ka probleme (Greqia, Polonia, Hungaria etj) me të vetmin ndryshim se politika jep llogari tek votuesi e Brukseli njëkohësisht.

BE nuk ka “vaksinë” ndaj së shkuarës që ende ndan

Anëtarësimi në BE ofron shumë por nuk zgjidh gjithshka. Kryesorja është të zgjidhim problemet mes nesh që na tërheqin zvarrë, me apo pa “teser” të BE. Sidomos kur kanë ndikim në mirëkuptimin shoqëror ku hyn edhe ndasia që sjell e shkuara mes nesh e që nuk ka BE që e zgjidh!

Ndonëse demokraci, e kaluara shpesh trajtohet nga politika njëlloj si dikur duke ricikluar ndasitë e hershme të saj. Por ndërsa mirëkuptohet ndjesia qytetare ndaj së shkuarës për arsye e bindje personale, fut-hundja e politikës kudo e kurdo me retorikën e lirisë e demokracisë, ka ringjallur “monizmin” demokratik e hedhur farën e ndasisë edhe tek brezi i ri që e ka veç me të dëgjuar atë.

Liria e fjalës është fjalë boshe sa kohë nuk ka liri të thuhet çfarë ti nuk dëshiron nga dikush që ti nuk e pëlqen (Musk)!

Problemi ynë me të shkuarën nuk është ngritja në piedestal e atyre që ishin flakur tej deri dje por revanshizmi apo flakja tej sot e kujtdo përballë tyre dhe këtu politika luan pis. Bëhet pis Lufta deri me kujisje për ndalim të filmave me partizanë, puna e sakrifica deri sublime e brezave në socializëm, anatemohen komunistët e ndershëm e kontributi patriotik i Sigurimit ndaj agjenturave shekullore antishqiptare etj dhe kjo për të lartësuar atë apo këtë person apo ngjarje apo lërë ca përshtypje tek i huaji i rradhës!

Referenca zyrtare si vila e ish-diktatorit (ndonëse pa tapi e jo si vilat e pushtetarëve sot), Piramida e Enverit (loja me faraonizimin për një ndërtesë që mishëron shqiponjën), bunkerët e Enverit (me strehimet në lagje të varrosur nën shumëkatësh kërpudha) e të tjera llogje snobisti, që një i huaj nuk do i bënte për vëndin e tij janë pak shëmbuj të një politike që ndërsa bën pis, stolis veten me lloi-lloi dekoratash, stemash, kavalierë e kalorësa që ia japin me pompozitet njëri-tjerit apo ua jep i huaji, ndërkohë që popullit i damkosën varfërinë.

Duke luajtur me të shkuarën por jo vetëm (besimin fetar, pronën etj), sot politika është bërë trazovaçi më i madh i mirëkuptimit shoqëror dhe për të BE nuk ka vaksinë. Dhe që të mos lëmë nam atje, bëjmë mirë të sheshojmë para së gjithash gjërat mes nesh.

Arbitri kohë!

E shkuara shpesh nga ndan por e ardhmja është e përbashkët dhe ajo është dhe vetë misioni i politikës zyrtare. Nuk ka punë me të shkuarën sepse nuk u sosën historianët. Qytetari le t’a ruajë e respektojë atë sipas mënyrës së tij.

Ka boll sheshe publike për përmëndore e buste plot, ka boll faqe muresh nëpër muze, hapësirë pafund në eter e internet për dokumentarë, filma e opinione për të gjithë… kushdo duhet të respektohet në lirinë e tij për të parë e interpretuar gjërat ndryshe nga tjetri.

Jemi të ndryshëm por nuk ndahemi për shumë gjëra të tjera të rëndësishme në jetë (besimet, ateizmi, krahanizmi etj). E pranojmë njëri-tjetrin ashtu siç jemi e mendojmë dhe qasja ndaj së shkuarës nuk ka përse bën përjashtim. Ajo duhet të mbetet e respektohet si thesar personal e mbase grupi dhe politika nuk ka përse të na udhërrëfejë, aq më tepër në demokraci!

Debati ndaj së shkuarës, që të jetë realist, kërkon mëndje të hapur dhe sa kohë tërhiqet “krraba” nga vetja, bëjmë mirë, politika e para, t’u hapim krahun historianëve të bëjnë atë që dinë t’a bëjnë më mirë se dhe politikanët gjithollogë që u ka hyrë vetja në qejf.

Brezi i ri nuk ka pse të trashëgojë sherrin tonë ndaj së shkuarës. E kapur nga e shkuara, e tanishmja jonë nuk ka pse të jetë nesër e djeshmje problematike për fëmijët tanë.

I duhet vënë kapak, jo duke e harruar, anatemuar e përplasur për të por duke e përkujtuar e mbajtur për vete dhe respektuar të drejtën e tjetrit për të mos rënë dakort derisa koha të vulosë!