Vështrim/Analizë

Arban Bislimi: Urim në 144 – vjetorit të Besëlidhjes Shqiptare të Prizrenit

Urime përvjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të gjithë shqiptarëve të mirë!
Urojmë që përvjetori i ardhshëm të na gjejë me udhëheqës të shteteve tona që e kuptojnë se fuqia e udhëheqësit është te aftësia për të bërë bashkimin, bashkërendimin e shteteve shqiptare dhe të kombit tonë. Me udhëheqës tē institucioneve të ndryshme që kuptojnë vlerën e bashkimit në shkallë kombëtare dhe rëndësinë e meritokracisë dhe vlerës së shtuar që sjell i shkëlqyeshmi a e shkëlqyeshmja për bashkësinë si tërësi.
Si sot para 144 vitesh, një elitë e ndritur shqiptare ishte në gjendje të tejkalojë gjitha dallimet krahinore, klasore, fetare, ideologjike, egot individuale, etj, në bashkimin e madh për shpëtimin dhe përparimin e katër vilajeteve-krahinave që përbënin Shqipërinë tonë.
Sot, shqiptarët janë të ndarë në 5 – 6 shtete, katër bashkësi fetare të të njëjtit kult për secilin shtet, katër fedarata sportive për secilin sport (nëse jo më shumë), në më shumë se katër udhëheqës politikë në secilin shtet, që fjalosen e shajnë njëri – tjetrin duke gjetur shkas në dallime terminologjike bajate për të njëjtat gjëra e projekte.
Shqiptarët janë të ndarë në korporata e sindikata, që nuk kanë hallë tjetër vetëm si të marrin nga shteti, si të merrën vesh për çmime e monopole në shpinë të konsumatorit, për të marrë nga pjesa e tortës në mënyrë të imponuar, e jo si ta rrisin vlerën e shtuar, si ta rrisin tortën, si të inovojnë në prodhime e procese. Nga ky primitivizëm dhe tërpijavizëm mund të ndodh që i riu ynë edhe t’ia mbathi jashtë vendit!
E ardhmja e të riut të Kosovës administrative është në Shkup, është në Tiranë, është në Prishtinë, është në Preshevë, Bujanovc e kudo tjetër në trojet shqiptare; ashtu siç e ardhmja e të riut të Ulqinit, Tuzit, Tiranës, Shkupit, Dibrës, Strugës, Bujanovcit, Preshevës është në trojet e gjyshërve, është në Tiranë, Shkup e Prishtinë e kudo tjetër në trojet e Shqipërisë.
Urojmë të mbledhën këto pari politike, ekonomike, fetare, sportive, etj, po deshën në Shkup, në Tiranë, në Prishtinë a Ulqin e të merren vesh për një bashkim, bashkërendim të politikave, praktikave, organizatave, etj.
A ka më turp se shqiptarët në këtë shekull të komunikimit dhe tregtimit me kostot më të ulëta që ka njohur ndonjëher njerëzimi të shkëmbejnë e të komunikojnë, të bashkërendojnë më shumë me të tjerët se në mes tyre?
A ka më turp në këtë shekull se Shqiptarët edhe të një rajoni apo shteti të vetëm t’u besojnë aftësive, të shkëmbejnë e të tregtojnë më shumë me atë që flet gjuhën e huaj (qoftë, dhe sidomos nëse është, gjuha e armikut) se bashkatdhetarit të vet?!
Le të shërbejë kjo datë si kushtrim për bashkim, bashkërendim, vlerësim dhe dashamirësi ndaj njëri – tjetrit dhe besim të shtuar në aftësitë e bashkatdhetarit tonë. Neve nuk mundemi të ecim para nëse nuk bashkërendojmë rreth më të mirëve.
Nuk duhet dëshpëruar se edhe ne shqiptarëve do të na vjen shpejt koha të njohim kulturën tonë, historinë tonë, vlerën e njerëzve tanë të shkuar dhe atyre që ecën në tokë rëndomtë dhe bëjnë çdo ditë punë dhe arritje me të cilat duhemi krenuar dhe bashkërenduar.