Sot, në kulmin e valës së virusit OMICRON, Ministria e Shëndetësisë (Qeveria) hoqi masat mbrojtëse nga pandemia, pas një periudhe disa javore të masave ekstreme, të pashembullta, të paarsyeshme dhe mbi të gjitha të dëmshme në çdo aspekt. Politikat tona publike nga një ekstrem në tjetrin jo vetëm se dëshmojnë joprefesionalizëm dhe pamaturi në politikat publike, por janë edhe të dëmshme; shumë të dëmshme në një kontekst krize ekonomike dhe shoqërore të paprecedent.
Nuk i ka ikur syresh asnjë qytetari rritja dyshifrore (thuajse dyfishim) e çmimit të frutave dhe perimeve në këto dy javët e fundit në Kosovë dhe, duket qartë një lidhje e drejtpërdrejtë me masat që kërkonin tre doza vaksine në kufinjtë dhe pasojat në zingjirin logjistik dhe furnizues. Ndër tjera pasoja negative është edhe humbja e të ardhurave për shumë punëtor në Janarin e ftohtë dhe të gjatë: shumë të gjatë! E gjithë kjo për të hequr çdo masë brenda natës pa shpjegim, pa arsye dhe pa paralajmërim.
Në aspektin e shëndetit publik ndikimi i këtyre masave ka qenë zero. Vala pandemike bëri të veten dhe do shuhet me kohën. Masat themelore nuk janë zbatuar as kësaj radhe në popullatën e gjerë, ku bartja e maskës në hapësirat publike ka qenë krejt vullnetare e ajo në hapësirat e mbyllura të institucioneve në bazë të vullnetit të mirë. Ndonjë fatkeq që e ka pasur “të shkrume” mundet eventualisht të ketë marrë ndonjë gjobë dhe të ketë ra viktimë e shortit por, zbatimi i masave te ligjit mbetet te ne pre e fatit. Moraliteti i përrallës dihet; është më mirë të kesh masa, norma, rregulla të buta dhe t’u qendrosh atyre se norma, masa, denime të rrepta e të mos i zbatosh apo t’ia zbatosh kujt t’i bie shorti.
I gjithë rezultati i politikave dhe masave antikovid të valës Omicron shihet si një inflacion dhe papunësi shtesë, si shkak i keqadministrimit me pandemin dhe masave joadekuate. Kurse dëmi qendron edhe në përtëritjen e një kulture të “ilegalitetit” ku masat dhe rregullat e ashpëra nuk zbatohen dhe krijohet zakon i mosrespektimit të rregullave, masave dhe ligjeve si rezultat i amaterizmit të politikbërësve tanë.
add a comment