A MUND TË SHKOJMË EDHE MË DJATHTAS SE QË JEMI ?!
Prej që euro (€) është futur si valutë unike në pjesën më të madhe të Bashkimit evropian (BE)
që sot e njohim sikur “euro zonë” ose zonë e euros, gjer me sot, kjo monedhë ka pësuar
zhvlerësim. Ka disa kalkulator nëpër faqet e specializuara që e llogarisin këtë zhvlerësim.
Sipas tyre, 100€ të vitit 2002 janë ekuivalent me 138€ deri 147€ sot, ose thënë ndryshe është
zhvlerësuar për 38% deri 47% në krahasim me vlerën fillestare. Këta kalkulator bazohen para
së gjithash në inflacionin e akumuluar gjatë këtyre viteve, vlera e të cilit luan në varësi nga
metoda e përllogaritjes.
Unë kam zgjedhur një mënyrë krejtësisht tjetër, duke marrë si të mirëqenë faktin se frangu
zviceran (CHF) është një valutë më e qëndrueshme në botë dhe duke llogaritur të gjitha vlerat
tjera në raport me këtë valutë. Duke u nisur nga faktet se:
– në vitin 1999 euro u shpall monedhë unike dhe u përdor në transaksionet bankare, edhe pse
në qarkullim u fut me 1 janar të vitit 2002;
– në fillim (viti 1999) u vendos që 1 € të ketë vlerën e 2 markave gjermane (DM) ose 6,56
franga francez (FF);
– 1 € kishte vlerën prej 1,53 CHF;
– 1 CHF kishte vlerën prej 1,23 DM;
– 1 CHF kishte vlerën prej 4,20 FF;
– Sot, qershor 2024, 1 € ka vlerën prej 0,96 CHF.
Nëse e thjeshtojmë mund të themi se euro është zhvlerësuar aq sa është zhvlerësuar na raport
me frangun zviceran që i bie 37,2% dhe po aq edhe me valutën gjermane dhe franceze.
Por, nëse nisemi nga raporti fillestar i CHF me DM dhe FF vijmë te rezultati se euro është
zhvlerësuar për 38,5% ndaj frangut francez, respektivisht për 41% ndaj markës gjermane.
Thënë ndryshe, sot 1 € do të vlente 1,18DM dhe 4,03FF, sikur këto valuta të ekzistonin ende.
Pra, sido që të llogaritet zhvlerësimi i euros, prej fillimit të përdorimit të tij gjer me sot ai
është zhvlerësuar për mbi 40% në krahasim me vlerën fillestare.
Sigurisht se ka shumë faktor që kanë ndikuar në zhvlerësimin e euros. Por, nëse shikohet
periudha kur ka ndodhur zhvlerësimi më i madh bie në sy periudha 2007 – 2011 dhe jo
rastësisht. Në këtë kohë, në vitin 2008, ka ndodhur kriza më e madhe ekonomike në botë, e
shkaktuar me kolapsin e tregjeve botërore që filluan me krizën e patundshmërive në ShBA që
pas vetës tërhoqën edhe tregje tjera botërore. Kriza tjetër ndodhi në euro zonë, respektivisht
në Greqi, në vitin 2009. Greqia ishte e para që përjetoi një krizë të borxhit. Zbulimi i
manipulimeve me të dhënat fiskale dhe borxhit të lartë të fshehtë e bëri të pamundur për
Greqinë të kthente borxhin e saj, duke kërkuar ndihmë nga institucionet ndërkombëtare
financiare, të zonës euro, para së gjithash.
Si përjetohet ky zhvlerësim nga një punëtor mesatar gjerman apo francez?
Një punëtor gjerman në vitin 2002, sipas statistikave ka pasur pagën mesatare prej 4’700DM
(bruto), kurse sot ai ka 3’825€ (bruto). Meqenëse sot, vlera reale e një euro është 1,18DM i
bie se paga mesatare e një punëtori gjerman është 4’513DM, ose ka pësuar zbritje prej 3,9% !
Në Francë situata është e ngjashme. Një punëtor francez në vitin 2002, sipas statistikave ka
pasur pagën mesatare prej 12’300FF (bruto), kurse sot ai ka 3’120€ (bruto). Meqenëse sot,
vlera reale e një euro është 4,03FF i bie se paga mesatare e një punëtori francez është
12’573FF, ose ka pësuar rritje prej 2,2% !
Mashtrim numerik ishte rritja e pagave nga viti 2002 gjer në vitin 2024, nga 2’350€ në
4’513€. Thënë edhe më ndryshe, për 22 vjet prej që u fut euro si valutë unike në zonën euro,
nuk kishte kurrfarë rritje pagash. Po çmimet?!
Zhvlerësim i euros, në krahasim me vlerën fillestare, ka pasur pasoja të rënda mbi fuqinë
blerëse të qytetarëve në zonën euro dhe përtej saj. Jo për vet faktin e zhvlerësimit, por më
shumë për shkak se iu dha rasti prodhuesve dhe sidomos tregtarëve, për lloj lloj marifetesh.
Filluan të ndryshojnë emrat aktual me emra të ri pa ndryshuar fare produktin, ndryshuan
paketimet, sasinë, gabaritet e ambalazhimeve, ambalazh më të madhe për sasi më të vogël,
koloritin e ambalazheve … dhe të gjitha këto për të gjetur arsye për ndryshimin e çmimeve,
lexo, për ngritjen e çmimeve. Nga bindja e një konsumatori të zakonshëm evropian, pa hy fare
në statistika, çmimet e produkteve bazike, s’paku janë dyfishuar. Mos të harrojmë, kur
llogaritet inflacioni llogaritet për të gjitha produktet, edhe për ato që punëtorit me të ardhura
të ulëta dhe mesatare nuk i hynë në punë fare.
Sigurisht se për rritjen e çmimeve kishte edhe arsye tjera.
Pandemia e viteve 2019-2021 ishte tronditëse për mbarë botën. Pandemia solli ndërprerje të
mëdha në zinxhirët e furnizimit global, duke çuar në rritje të kostove të transportit dhe
prodhimit të ushqimeve. Erdhi në shprehje egoizmi i skajshëm i shteteve – kombeve. Përveçse
u ndërprenë linjat e furnizimit u ndërpre edhe shkëmbimi i dijes. Puna shkoi deri aty sa edhe
materialet mjekësore konfiskoheshin nëpër aeroporte dhe ndryshohej destinacioni. Në vend që
të bashkohet dija dhe të angazhohen të gjitha shtetet bashkërisht në kërkim të vaksinës apo
terapisë për luftimin e këtij virusi, si ndaj një armiku të përbashkët, filloi “lufta e vaksinave”
ndërmjet shteteve-kombeve më të fuqishme të botës për zbulimin e vaksinës vetanake, madje
edhe ndërmjet shteteve aleate.
Pa përfunduar mirë pandemia ndodhi agresioni rus mbi Ukrainën. Në fillim të vitit 2022, kursi
i këmbimit euro-frang zviceran ishte rreth 1.05 CHF për 1 €, ndërsa aktualisht është 0.96 CHF
për 1 €, pra, një zhvlerësim prej rreth 8.57%. Kjo luftë shkaktoi rritjen e çmimit për të gjitha
llojet e energjisë, shumë lëndëve të para, grurit, misrit, lulediellit, plehrave artificial dhe
shkaktoi nervozë nëpër tregjet, sidomos në vitin e parë të fillimit të kësaj lufte.
Por, edhe pas pandemisë edhe pas fillimit të luftës në Ukrainë, pasi tregjet u qetësuan dhe
furnizimet u stabilizuan, çmimet nuk u kthyen.
Largimi i Britanisë së Madhe nga BE (brexit) në vitin 2020, shkaktoi disa konflikte tregtare
dhe futjen e tarifave që nuk ekzistonin më parë. Brexit-i ka pasur një ndikim të rëndësishëm
në zhvlerësimin e euros përmes pasigurisë ekonomike dhe politike, duke vërë në pikëpyetje të
ardhmen e Bashkimit Evropian.
Produkteve tradicionale, ku me produkt nënkuptohet “diçka që është bërë për t'u shitur,
zakonisht diçka që prodhohet nga një proces industrial ose, diçka që rritet ose merret përmes
bujqësisë” (Cambridge dictionary), i janë shtuar edhe “produktet” bankare, turistike, të
operatorëve të telefonisë mobile dhe lloj lloj “produkte” tjera, që përpara i njihnim sikur
shërbime, jo si produkte. Shpikja e këtyre “produkteve” shërbeu për të krijuar përshtypje sikur
ato kanë vlerë më të madhe sesa shërbimet, si i quanim më parë.
Zgjedhjet për Parlamentin Evropian (PE) treguan se votuesit evropian nuk janë të kënaqur as
me qendrën e majtë, as me qendrën e djathtë. I kanë provuar të dy, por as njëra as tjetra nuk
sollën ndonjë ndryshim që do ta rriste besimin apo do ta përmirësonte pozitën e tyre. Këtë
pakënaqësi e (keq)përdorën forcat ekstreme, ato të djathta sidomos, që dyfishuan ndikimin e
tyre. Sidomos ato në Francë. Sipas tyre, për të gjitha të zezat, nëpër të cilat po kalon qytetari
evropian, fajin e ka emigracioni nga bota e tretë. Sikur nuk e dinë se pa këta emigrantë nuk do
mund të funksiononte asnjë shtet evropian, ku nataliteti do ishte negativ. Të njëjtën metodë e
përdor edhe njëri kandidat për president të ShBA-ve. Dhe për fat të keq, 34% të qytetarëve të
Francës ju besuan në xhiron e parë të zgjedhjeve legjislative të Francës para pak ditësh dhe,
kështu u bë forca e parë politike. Dhe tani, për të parandaluar ardhjen në pushtet të kësaj
force, duhet të bëhen bashkë të gjithë forcat tjera politike dhe është në pikëpyetje a do ia
dalin?
Asnjëra nga forcat politike që janë në pushtet dekadave të fundit nuk duan ta shohin të
vërtetën me sy. Të gjitha krizat janë kriza për qytetarët e klasës së mesme dhe më të ulët, që
janë në shumicë dërmuese, por jo edhe për klasën e të pasurve. Përkundrazi. Sa më të
varfëruar të janë të parët, aq më të pasuruar janë të dytët. Të dhënat tregojnë se 10% më të
pasurve në Evropë zotërojnë rreth 67% të pasurisë totale dhe për më keq, kjo diferencë po
thellohet. Çdo krizë po e thellon këtë diferencë.
Deri sa krizat, duke filluar nga kjo e sotshme në Ukrainë deri te ato në të ardhmen, nuk bien
mbi supet e të pasurve, madje atyre shumë të pasurve, mos të çuditemi pse po fiton terren e
djathta ekstreme. Shumica e qytetarëve evropian janë të manipuluar, jo pse janë të padijshëm,
por pse nuk kanë kohë nga angazhimet dhe tej ngarkesat e përditshme, prandaj nuk e kuptojnë
se tashmë kemi shkuar shumë djathtas dhe këtu qëndron problemi. Zgjidhjen e problemeve të
tyre nuk mund t’i presin duke shkuar edhe më djathtas.
Fjala e urtë popullore thotë: Mos e prit shërimin e plagëve nga ai që ti ka shkaktuar!