Flasin Bajram Mana dhe Muharrem Xhafa:
- 80-vjet nga Kongresi i Përmetit
Albert Z. ZHOLI
- Historia mbetet histori. Ajo flet me dritën e fakteve. Kongresi i Përmetit i mbajtur më 24 maj 1944 në qytetin e Permetit është ngjarje madhore në historinë e Shqipërisë, prandaj duhet të përkujtohet çdo vit me madhështi. Kongresi i Përmetit u mblodh ahere kur në Shqipëri ishte kulmi i LANÇ për liri. Ai ka qenë një kongres mbarëkombëtar në vijim të vendimeve të Konferencës së Pezës. Si sot, 80 vjet më parë, gjatë datave 24-28 maj, u zhvillua Kongresi i Përmetit, rreth të cilit edhe sot e kësaj dite ka shumë diskutime për rëndësinë historike, që ai përcjell. Komiteti Kombëtar i Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it i kanë konsideruar dhe i konsiderojnë ende vendimet e këtij kongresi, si të jashtëzakonshme e jetike edhe sot. Sipas tyre dhe shumë historianëve, ato vendime që u miratuan aty, për kohën e rrethanat kur u morën, për vlerat që patën për LANÇ dhe për vetë fatet e Shqipërisë, hapën një epokë të re në historinë e saj. Por për drejtuesit e partive “Balli Kombwtar” dhe “Legaliteti” ky Kongres instaloi regjimin dictatorial.
Punimet e Kongresit filluan më 24 maj 1944, ditën e mërkurë në ora 09:00
Gjithsej u zgjodhën 200 delegatë. Vendimi për thirrjen e këtij kongresi u mor më 15 prill 1944 nga Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm Antifashist NAÇL.
Punimet
Punimet e Kongresit filluan më 24 Maj 1944, ditë e mërkurë në ora 09:00 në prani të 200 delegatëve dhe të një numri të ftuarish. Ishin ftuar edhe përfaqësuesit e misionit ushtarak britanik, por ata nuk mundën të merrnin pjesë. Kongresin e çeli me një fjalim të shkurtër Dr.Omer Nishani, i cili ndër të tjera tha: “Se ç’të drejta kemi fituar me luftën tonë, e si do ta ngremë ne Shqipërinë e re demokratike e popullore, e dëshmon ky Kongres, do ta dëshmojnë përfundimet e tij”. Raportin “Zhvillimi i Luftës Nacionalçlirimtare të popullit në lidhje me ngjarjet ndërkombëtare” e mbaji Enver Hoxha. Ai ndër të tjera tha: “Kjo që bëjmë sot, është një nga ngjarjet më të mëdha të popullit shqiptar. Për të parën herë populli dërgon përfaqësuesit e vet, që i ka zgjedhur lirisht e që ka besim në ta”. Ndërsa, duke bërë fjalë për sakrificat e mëdha që u bënë gjatë luftës tha: “Kemi pasur vuajtje dhe mundime të mëdha, me të cilat bijtë e popullit tonë, të plagosur, pa bukë, të zhveshur, në borë e furtunë, por me moralin kurdoherë të lartë, kanë treguar trimëri të padëgjuara, me të cilat do të mburren me shekuj brezat e ardhshëm të popullit tonë”.
- Të ndërtohet Shqipëria e re demokratike e popullore sipas vullnetit të popullit, që sot e shpreh solemnisht në Këshillin e Përgjithshëm Antifashist NAÇL.
2.T’i ndalohet ish -mbretit Zog kthimi në Shqipëri dhe, të mos njihet asnjë qeveri që mund të formohej brenda ose jashtë vendit kundër vullnetit të popullit.
- Të vazhdohet më me ashpërsi lufta kundër pushtuesve gjermanë dhe tradhtarëve shqiptarë, deri në shkatërrimin e tyre të plotë dhe vendosjen e pushtetit demokratik-popullor në të gjithë vendin.
Kurse Këshilli i Përgjithshëm vendosi:
Vendimi mbi rishikimin dhe prishjen e gjithë marrëveshjeve politike dhe ekonomike që binin në kundërshtim me interesat e popullit dhe të kombit shqiptar. Vendimi mbi shndërrimin e Ushtrisë NAÇL në ushtri të rregullt, me një udhëheqje të njësuar dhe me një komandë të përgjithshme. Vendimi mbi dhënien e gradave në ushtri. Vendimi për kalimin e Ushtrisë në mësymje të përgjithshme për çlirimin e plotë të trojeve shqiptare. Kongresi miratoi veprimtarinë e përgjithshme të udhëheqjes së Luftës, dhe udhëzimet e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë NAÇL. Këto përbëjnë ligjet e para të pushtetit demokratik popullor. Këshillin e Përgjithshëm me 121 anëtarë që përfaqësonin të gjithë vendin dhe të gjitha shtresat shoqërore, pjesëmarrëse në luftë. President, Baba Faja Martaneshi, Hasan Pulo dhe Koçi Xoxe nënpresidentë dhe; Enver Hoxha, Spiro Moisiu, Ramadan Çitaku, Sejfulla Malëshova, Dr.Ymer Dishnica, Liri Gega, Islam Radovicka, Nako Spiru, Tuk Jakova, Mustafa Gjinishi, Haxhi Lleshi, Gogo Nushi, Siri Shapllo, Spiro Koleka, Qiriako Harito, Gjergj Kokoshi, Ollga Plumbi dhe Gaqo Tashko, anëtare. Sekretarë u zgjodhën: Koço Tashko e Sami Baholli. U zgjodh Komiteti Antifashist me atributet e një qeverie provizore, të përbërë nga 11 anëtarë. Enver Hoxha, President, Myslym Peza nënpresident, Haxhi Lleshi i ngarkuar me Punët e Brendshme, Dr.Omer Nishani me Punët e Jashtme, Manol Konomi me Drejtësinë, Dr.Medar Shtylla me Ekonominë, Ramadan Çitaku me Fianncën, Spiro Koleka me punët botore, Dr.Ymer Dishnica me Shëndetësinë, Sejfulla Malëshova me Kulturën dhe Arsimin dhe Bedri Spahiu me Rindërtimin ekonomik. U zgjodh edhe një Komision për zbulimin dhe vërtetimin e krimeve të pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve të tij, si dhe për zbulimin dhe vërtetimin e emrave të kriminelëve të luftës. Kongresi u drejtoi përshëndetje: Popujve dhe ushtrisë Sovjetike dhe Marshallit Stalin, Presidentit Rosvelt, Kryeministrit anglez Uilson Chechill. Marshallit Tito, Eamit grek, Fan Nolit për shqiptarët e SHBA. Të burgosurve dhe të internuarve brenda dhe jashtë vendit.
Bajram Mana, zv.ministër i Mbrojtjes:
Një Kongres që studiohet me interes edhe sot. Ky kongres mbetet një ndër ditët më të shënuara të historisë së Shqipërisë, pasi aty u morën vendime historike që përcaktuan të ardhmen e atdheut. Ky Kongres për vetë kushtet apo kohën kur u mblodh, detyrat dhe vendimet që mori, tregoi se vizioni i së ardhmes së Shqipërisë ishte projektuar në bazë të situatave të kohës e interesave të gjera të masave popullore. Gatishmëria dhe mikpritja përmetare u shfaq edhe këtë radhë me gjithë madhështinë e saj. Përmetarët, megjithëse të djegur disa herë, hapën zemrat e dyert e shtëpive të tyre për delegatët dhe forcat partizane në mbrojtje të tyre. Në Kongres ishin ftuar edhe përfaqësuesit e misionit ushtarak britanik, por ata nuk mundën të merrnin pjesë.
Muharrem Xhafa, Politikan:
Kongresi që vendosi pushtetin popullor.
Sot bëhen 80 vjet nga mbajtja e Kongresit të Parë Antifashist Nacionalçlirimtar Shqiptar, i njohur si Kongresi i Përmetit. Ai u mbajt në qytetin e luleve, të bukur, të lirë, të Përmetit, çliruar nga forcat partizane. Kongresi i Përmetit përbën një ngjarje me vlera të mëdha të LANÇ-it dhe përcjell për të gjithë shqiptarët patriotë një mesazh epokal: Pushteti popullor është i vetmi pushtet i vërtetë në shërbim të atdheut e të popullit! Ky është një fakt historik, të cilin e përcjellim më së pari për brezin e ri të Shqipërisë, por edhe për të gjithë ata që nuk e njohin mirë dhe e kanë mësuar të shtrembëruar historinë e Shqipërisë, përfshirë të vërtetën për Kongresin e Përmetit. Mbledhja e tij nuk ishte një veprimtari e rastit, e thjeshtë, po një domosdoshmëri historike në kushtet e Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare. Ajo u thirr në bazë të një propozimi të menduar mirë më parë, i paraqitur më 15 prill 1944 nga Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm Nacional-çlirimtar dhe i miratuar nga Plenumi i KQ të PKSH-së, më 15 maj 1944, i mbledhur në Helmës të Skraparit. Ishte ky një Kongres i mirëorganizuar e me një bazë të gjerë shoqërore, në të cilin morën pjesë 185 delegatë e delegate të zgjedhur nga populli në zonat e çliruara e ato të paçliruara të vendit, si edhe në repartet e Ushtrisë Nacional-çlirimtare Shqiptare. Kongresi i Përmetit vendosi të ndërtohet Shqipëria e re demokratike popullore, sipas vullnetit të popullit, të cilin, që nga ajo ditë, e shprehte solemnisht Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar. Po kështu, ai mori edhe disa vendime të tjera me rëndësi të madhe historike për sigurimin e sovranitetit të shtetit e të popullit shqiptar, ndër të cilat : ndalimin e hyrjes së Ahmet Zogut në Shqipëri, si tradhtar i atdheut e kombit shqiptar, mosnjohjen e asnjë qeverie tjetër, që mund të formohej brenda ose jashtë Shqipërisë kundër vullnetit të popullit shqiptar, mosnjohjen e koncesioneve të huaja, vazhdimin e luftës kundër pushtuesve të huaj e shërbëtorëve të tyre tradhtarë vendës, të grumbulluar rreth qeverisë kuislinge të Tiranës e Ballit Kombëtar dhe Legalitetit, të çdo klike tjetër antishqiptare e reaksionare, e cila mund të paraqitej më vonë etj. “Kongresi i Përmetit” është kongresi që i dha fund monarkisë. Në lidhje të ngushtë me çështjen e organizimit të pushtetit popullor në një shkallë më të lartë, Kongresi i Përmetit analizoi e zgjidhi edhe çështjen e forcimit të mëtejshëm e të përsosjes së strukturës së Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare si arma kryesore për çlirimin e plotë të vendit e për mbrojtjen e pushtetit të ri popullor, vendosi njësimin e Komandës së Lartë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare dhe dhënien e gradave ushtarake. Shoku Enver Hoxha u emërua Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional-çlirimtare Shqiptare. Kongresi i Përmetit bën apel për rivendosjen e pushtetit popullor”.