Portreti/intervista

Albert Z. Zholi: “NJERIUN” që kërkonte Diogjeni e gjeta te Kadri Roshi

Kërkoj ‘NJERIUN’ e gjeta te Kadri Roshi

Kadri Roshi kishte dy veti specifike, pinte gjithmonë vetëm raki rrushi shqiptare dhe këndonte këngë labçe.

-Debati dhe argumenti i Kadri Roshit me një aktor grek për Vorio-Epirin tek filmi “Mirupafshim”

Albert Z. ZHOLI

Artisti dhe filozofi kanë dy jetë: Atë të përditshmërisë në rrugët mbushur me njerëz, dhe atë të artit, skenës, krijimtarisë. Për popullin të dyja kanë rëndësi të veçantë, kurse për disa vetëm jeta e Artit. Kështu është për mua dhe jeta e Kadri Roshit…Dy jetë që mblidhen në një të vetme atë me emrin madhështor të jesh Njeri. “Njeriu – një qenie në kërkim të kuptimit të jetës.”

***

 “Filozofi i madh grek Diogjeni, kurdoherë kur e lexojmë pjesë- pjesë, apo shfletojmë fletët e librit të tij me ngadalë, vërejmë se filozofia e tij njerëzore është ndër më aktualet, ndër më të bukurat, ndër më njerëzoret, ndër më të diskutuarat, ndër më madhështoret, një ndër filozofitë me mesazh kaq të paqtë, sikur ky njeri gjeni të jetonte sot në kohët moderne, dhe jo disa mijëravjeçarë më parë, kur bota nuk e njihte kompjuterin, televizorin, internetin. Si e kanë përcjellë Diogjenin dhe filozofinë e tij në kohët moderne, historianët, studiuesit, kritikët, akademikët e filozofisë?! Me shprehjen kaq njerëzore dhe mbi njerëzore, kaq të thjeshtë, por po kaq të ndërlikuar, kaq të shkurtër, por me mendim të pakonceptueshëm, dy fjalë, baraz me vepra të tëra, me dy fjalë të urta, por shumë poetike, që kanë brenda gjithçka që na duhet. Pra shprehja e tij brilante është dhe sot magjia njerëzore e fjalës; Kërkoj NJERIUN! Me mjekrrën e bardhë si dëbora, me veshjen e thjeshtë, me gjuhën e bukur të popullit, me zërin e ëmbël si këngëtar, me kokën lartë dhe gjithmonë qëmtues Diogjeni në mes të ditës me diell, plot dritë, ku gjithçka duket saktë, me një fener në dorë gjezdiste nëpër rrugët e Greqisë të kërkonte NJERIUN. Lind pyetja, kë njeri? E pra, atë, NJERIUN e urtë dhe punëtor, atë që punon shumë dhe flet pak (vepra flet më shumë se fjala), atë që bën veprën dhe rri në fund të turmës, atë që nuk rreh gjoksin edhe kur ka bërë shumë, atë që nuk dinë të ofendojë dhe vrasë, atë që kërkon të vërtetën në botën e trazuar nga luftrat dhe etja për para. Diogjeni me fenerin e tij kërkonte njeriun e ndershëm. Mos vallë feneri i tij kishte më shumë ndriçim se vetë ndriçimi diellor në mesin e ditës të Greqisë plot dritë?! A e gjeti Diogjeni “KËRKOJ NJERIUN”…?! Një ndër ata që kërkonte Diogjeni unë e kam gjetur  shumë vite para. Ai quhet Kadri Roshi. Jam rritur duke parë rolet e tij. Herë qeshja, herë qaja, herë dridhesha, sepse rolet e tij ishin nga më mbresëlënëset. Por unë dua të flas për Kadri Roshin Njeri, atë të thjeshtin, komunikuesin, popullorin, patriotin, mbushur me dashuri njerëzore.

Në rrugët e Athinës…

Aty e kam takuar për herë të parë kur po xhironte për filmin grek “Mirupafshim”. Aktorët dhe regjisorët grek pasi e njohën e shikonin me habi. Mjekërbardhë, plot temperament ai dinte të luante, por edhe të fliste bukur në pushimet pas xhirimeve. Ai qeshte, debatonte me takt, fliste shpenguar, nuk rrëmbehej, citonte filozofë dhe përhapte aromë Shqipërie. Më ka bërë përshtypje një debat me një aktor grek për të ashtuquajturin “Vorio-Epir” ku aktori grek e identifikonte me Greqinë. Kadri Roshi tundte kokën dhe pasi e dëgjoi i dha një spjegim prej historiani. Më habiti me dijet e tij. Dije të thella, argumentuese thuajse shkencore. Mënyra e komunikimit jo me britma, por me fakte e befasuan aktorin grek. Bënte ta kundërshtonte, por më kot. Fjala e Kadriut zinte vend. Ajo ishte bindëse, plot mirësi dhe referime shkencore. Dhe pas debatit ai ecte rrugëve të Athinës ku në çdo 5 kalimtarë një ishte shqiptar. Kushdo që e shikonte ndalonte dhe i fliste. Mjekërbardhi ndalonte, buzqeshte dhe u jepte kurajë. Nuk lodhej dhe nuk besdisej nga asnjë. Edhe kur dikush e tepronte për të bërë foto në çdo vend ai buzqeshte dhe nuk ja prishte. E njohu mirë emigracionin, dhimbjen, lodhjen, racizmin dhe ndaj donte t’u përcillte disa momente gëzimi. Në tërë qëndrimin e tij në Athinë pashë një Kadri njerëzor, patriot, por jo ultranacionalsit. Ai e donte atdheun e tij ashtu si dhe grekët të tyre pa britma histerike. Patriot me raporte të drejta njerëzore. Në ato biseda më vinte në mendje thënia “Kush i përket Atdheut, i përket dhe njerëzimit”. Pra Kadriu ishte një intelektual internacional.

Në rrugët e Tiranës

Kur u ktheva në Tiranë e takoja vazhdimisht me aktorin Luftar Paja. Ishin më shumë se miq, pasi Kadriu i kishte vënë emrin Gazmendit djalit të dytë të Luftar Pajës një aktori të mirënjohur. Ulej në tavolinë me atë shikimin e tij zhbirues  dhe nuk të linte të mendoje shenja inferioriteti. Në tavolinë me të ishe i barabartë. Në takime mes miqsh kishte dy veti: Do të pinte gjithmonë vetëm raki rrushi shqiptare dhe do të këndonte këngë labçe. Pra ujin e bekuar shqiptar dhe këngën më të bukur në botë nuk i ndante nga vetja. Të dyja 100% shqiptare. Kur nuk e tepronte në pije dhe pse e kërkonte deri në një dopio. Dukej se rakia shqiptare e bënte më të freskët më me ritëm jetësor. Sensin e masës e përmendtë si në rol edhe në pije. Nuk duhet të kalohet masa në asgjë thoshte. Kadriu ishte një ndër nismëtarët e themelimit të Shoqatës “Polifonia Shqiptare”. E donte këngën labe deri në thellësitë e shpirtit dhe një këngë mes shokëve e çonte në qiejt e gëzimit. Sa herë ulej me shokët gjithmonë këngën donte ta kishte mes tyre. Kjo këngë është pasaporta e kombit në çdo vend të botës theksonte ai. Dhe një nga ndjenjat më njerëzore ma kanë treguar shumë aktorë dhe regjisorë në intervistat që kam marrë. Ata më tregonin se sa herë shkonin për xhirime në vendet bregdetare, Kadriu patjetër do të peshkonte. Mbrëmjeve kur kthehej me peshqit e varur gëzonte që aktorët do të hanin diçka nga gjuetia e tij. Por e bukura ishte se ai për vete mirte vetëm një peshk të vogël dhe lumturohej kur të gjithë gëzoheshin dhe hanin plot shije peshqit që kishte sjellë Kadriu i madh. Kur aktorët e falënderonin për këtë ushqim special, atij i dukej se kishte marrë urimin më të bukur në jetë. Pra ky është Kadriu njeri, ai Njeri që kërkojmë dhe thuajse nuk e gjejmë sot. Lumturia nuk ka të bëjë me paratë, pamjen apo statusin. Njeriu i mirë është sinqerisht mirënjohës për atë që ka, dhe mezi pret agimin për të rilindur me Diellin dhe për të të përhapur mirësi tek miqtë.

Som

Aty e kam takuar për herë të parë kur po xhironte për filmin grek “Mirupafshim”. Aktorët dhe regjisorët grek pasi e njohën e shikonin me habi. Mjekërbardhë, plot temperament ai dinte të luante, por edhe të fliste bukur në pushimet pas xhirimeve. Ai qeshte, debatonte me takt, fliste shpenguar, nuk rrëmbehej, citonte filozofë dhe përhapte aromë Shqipërie.