Flet aktivistja shoqërore, poetja, dhe ish e përndjekura politike, Vitore Stefa Leka:
Qysh në fëmijëri kisha prirje për letërsi, por biografia më ndoqi si hije nga pas
-Si Lëvizja vullnetare “Gratë frymojnë vlera” realizoi Festivalin e 4 mbarëshqiptar të poeteshave në Shkodër
– Pata emocione të forta kur më vlerësuan me “Çmimin Special” jo vetem si poete por si veprimtare e grave
Intervistoi: Albert Z. ZHOLI
Vitorja ka një jetë të rrallë si nëpër filma. Vitore Stefa –Leka u lind në Tiranë nga dy prindër intelektualë: Kostaq dhe Eleni Stefa. Pas vitit 1990 largohet nga Shqipëria dhe vendoset në Trieste të Italisë, ku edhe sot jeton dhe vepron. Është autore e disa vëllimeve poetike: “La liberta”, “Jetoj Ringjalljen”, “Vetmi e Largësisë” dhe përmbledhjen “Plagë Shpirti” libri i saj i parë në prozë. Është bashkautore e antologjisë “Mozaikë të një Portreti” si dhe e antologjisë “Metafora e Arratisur”. Ajo është ndër të paktat për të mos thënë e vetmja grua në moshë që shkoi vullnetare në luftën e Kosovës, duke u veshur me uniformën e saj dhe duke ndihmuar të plagosurit në luftë. Sot ajo është ndër luftëtaret më të nderuara të asaj lufte heroike. Në qëndrimin e saj në Trieste, me ndikimin e saj ka ndihmuar me mijëra emigrantë për të marrë lejeqëndrimin, apo për tu punësuar. Në miqësinë e saj ndesh emrat nga më të njohurit të avokatisë i italiane, miqësi me dhjetëra deputetë, apo Kryetar Bashkish. Vitore Stefa Leka në të gjitha vitet e demokracisë merret me veprimtari atdhetare në emigracion. Këtë radhë ardhja në Shqipëri kishte si arsye ftesën nga Lëvizja vullnetare “Gratë frymojnë vlera” e cila realizoi Festivalin e 4 mbarëshqiptar të poeteshave i vetmi i këtij lloji në Shqipëri me drejtuese Farida Ramadani në Shkodër..
-Ju vini në Shqipëri sa herë ka evente për emigracionin por edhe konkurse ëpr poezinë apo pëqr krijimtarinë në përgjithësi. Cila ishte arseja e ardhjes kësaj here në atdhe?
Këtë herë ishte disi ndryshe ardhja. Një ardhje e bukur, e ëmbël, e qetë, drithëruese. Konkretisht…Lëvizja vullnetare “Gratë frymojnë vlera” realizoi Festivalin e 4 mbarëshqiptar të poeteshave i vetmi i këtij lloji në Shqipëri me drejtuese Farida Ramadani në Shkodër. Ndër mbi 70 poezi u përzgjodhën 30 poezi fituese ku ndër to isha dhe unë. Përzgjedhja u bë nga një juri prestigjoze Rita Petro, Ernest Marku e Eli Kanina. Një festival me një numër të madh aktivitetesh kulturore. E veçantë ishte performava e të vetmes lahutare shqiptare Lumturie Nona. Një pjesëmarrje masive kishte nga shumë qytete Tirana, Vlora, Lezha, Prishtina, Gjakova, Prizreni Italia,etj. Pata emocione të forta kur më vlerësuan me “Çmimin Special “jo vetem si poete por si veprimtare e grave. Çmimin e parë e fitoi një poete nga Lezha Bruna Pervathi.
Ju jeni bijë e dy intelektualeve të shquar, Kostaq dhe Eleni Stefa. Babai juaj u pushkatua nga regjimi komunist ndërsa familja u internua. Mund të na përcillni diçka nga fëmijëria juaj?
Rrjedh nga një familje intelektualësh nga Berati. Jam stërmbesë e Konstandin Kristoforidhit dhe Gjergj Stefës, pjesëmarrës krah për krah me Abdyl Frashërin në Lidhjen e Prizrenit. Babai mbasi mbaroi shkollën teknike të Harry Fulc-it ku një kohë punoi dhe si profesor, studimet e larta i mbaroi në Institutin Superior ndërsa magjistroi në Firence. Babi im ka folur tetë gjuhë. Ka përkthyer edhe nga Japonishtja. U pushkatua në moshën 44 vjeç nga diktatura dhe që atëherë filloi kalvari i pa mbarim i vuajtjeve tona familjare. Nëna gjithashtu mësuese, edukatore e disa brezave, një grua e rrallë qe ia kushtoi jetën e saj, që nga mosha 33 vjeçare, rritjes së pesë fëmijëve jetim në një fukarallëk të plotë po me një krenari të rrallë. Pas rënies së diktaturës, babait i dhanë titullin “Martir i Demokracisë”. Sot në qytetin tim një rrugë mban emrin e tij, kurse mamaja ka titullin “Mësuese e Popullit “. Nga fëmijëria dhe rinia e hershme kam vetëm kujtime të hidhura e të dhimbshme, kështu që më mirë mos t’i kujtojmë e flasim për to. E shkuara nuk më kondicionin për atë që jam, por është një pjesë, e cila më ndihmon për atë që do të jem.
-Ju botoni shpesh poezi në rrjetet sociale por edhe në gazetat periodike letrare. Kur dhe pse keni filluar të shkruani?
Qysh në fëmijëri kisha prirje për letërsi. Krijimet e mia fillojnë në shkollën 7- vjeçare, ku kam bërë poezi, por dhe krijime të tjera. Ajo që më veçonte nga të tjerët ishte se bëja hartime të bukura, të cilat mësuesit i varnin tek këndi i letrarëve të rinj, por asnjëherë nuk u botuan as te gazeta “Pionieri” e as tek “Zëri i Rinisë”. Këtu kam një rast të veçantë kur ka ardhur shkrimtari Luan Qafëzezi në shkollën tonë dhe kërkoi nxënësen që kish shkruar tregimin që ishte varur tek këndi i letrarëve të rinj. Në këtë hartim unë kisha bërë nj përshkrim për Beratin. Kur hyra në sallën e mësuesve ai më përkëdheli dhe më pyeti se çfarë tjetër kisha shkruar duke më thënë se do ti tek gazeta “Pionieri” në Tiranë. Sa u gëzova. Por ky gëzim nuk zgjati as disa sekonda pasi dikush nga mësuesit i tha diçka në vesh shkrimtarit dhe çehrja e tij u prish menjëherë. Ai kishte qenë nxënës i babait dhe për të mos më vënë akoma në pozitë më tha “Do shohim”.
– Keni pak tregime por me gjetje interesante si subjekt. Mua më ka bërë përshtypje tregimi “Blerina”. Ky tregim është një tregim autobiografik?
E vërtetë tregimi “Blerina”, është autobiografik! Pikërisht tek personazhi i Blerinës si dhe te e gjithë tragjedia familjare e saj, janë me dhjetëra vajza si unë, që kanë kaluar kalvare të tilla vuajtjesh. Në diktaturë kishte me mijëra familje të tilla të persekutuara, ku vuajtjet më të mëdha i kanë pasur vajzat e reja. kam parasysh mijëra të tjera.
Ju sa larg atdheut por po aq afër Atdheut?
Unë shpirtërisht jam çdo ditë në atdhe, çdo sekondë. Unë kudo që jam ndihem një copëz Shqipërie. Nga ana tjetër të një milion e dyqind mijë shqiptarët e diasporës së Shqipërisë së pas nëntëdhjetës (një hemorragji tronditëse për popullin shqiptar dhe atdheun tonë të shtrenjtë) ja kanë gjetur edhe një mënyrë të mrekullueshme për të kontribuar sadopak me sa është e mundur në identitetin kombëtar. Kjo mënyrë është – krijimi i listave virtuale me të cilat ne lidhemi me njëri-tjetrin. Me këtë korrespondencë të shpejtë ne mbulojmë orët tona të vetmisë në mungesën e asaj që nuk zëvendësohet dot – asaj qenie abstrakte dhe po aq konkrete që quhet ATDHE.