Vështrim/Analizë

Albert Z. Zholi: 18 Maj Dita Ndërkombëtare e Muzeut, ndërsa “Muzeu Kombëtar” mbyllet

18 Maj Dita Ndërkombëtare e Muzeut, ndërsa “Muzeu Kombëtar” mbyllet

Muzetë shërbejnë për qëllime arsimimi, edukimi, studimi dhe kënaqësie

Albert Z. ZHOLi

Teksa turet kulturore ziejnë në kryeqytet dhe pritet që intensiteti i tyre të rritet në këto muaj dyert e Muzeut Historik Kombëtar do të mbyllen dhe jo për pak, por për plot 4 vite. Në një njoftim të shkurtër pa dhënë kurrfarë detaji, ky institucion njoftoi palët e interesit se nuk do të mund ta vizitojnë deri më 15 mars 2028. “Të nderuar drejtues të agjencive turistike, drejtues të tureve kulturore dhe palë të tjera të interesuara, ju bëjmë me dije se:  Në kuadër të zbatimit të projektit “Restaurimi, rikonstruksioni dhe muzealizimi i Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë”, Muzeu Historik Kombëtar do të jetë i mbyllur për vizitorët për periudhën 15 Mars 2024 deri më datë 15 Mars 2028” thuhet në njoftimin e Muzeut Historik Kombëtar.

Dita Ndërkombëtare e Muzeut

Dita Ndërkombëtare e Muzeut është një ditë që mbahet çdo vit rreth datës 18 maj, e koordinuar nga Këshilli Ndërkombëtar i Muzeumeve. Dita ndërkombëtare nxjerr në pah një temë specifike, e cila ndryshon çdo vit për të pasqyruar bazën e preokupimeve të komunitetit ndërkombëtar të muzeumeve. Kjo ditë siguron mundësinë që profesionistët e muzeve të takojnë publikun dhe t’i informojnë ata për sfidat me të cilat përballen muzetë. Në të vërtetë, duke ndjekur përkufizimin e muzeve të ofruar nga Këshilli Ndërkombëtar i Muzeumeve, një muze është përkufizuar si një institucion jofitimprurës, i përhershëm në shërbim të shoqërisë dhe zhvillimit të saj, i hapur për publikun, i cili përvetëson, konservon, hulumton, komunikon dhe ekspozon trashëgiminë e prekshme dhe të paprekshme të njerëzimit dhe mjedisit të tij për qëllime arsimimi, edukimi, studimi dhe kënaqësie. Dita Ndërkombëtare e Muzeut shërben si platformë për të rritur ndërgjegjësimin e publikut mbi rolin që luajnë muzetë në zhvillimin e shoqërisë aktuale, në një nivel ndërkombëtar. Çdo vit, të gjithë muzetë në botë ftohen të marrin pjesë në organizimet e Ditës Ndërkombëtare të Muzeut për të promovuar rolin e muzeve në të gjithë botën, duke krijuar aktivitete unike, të këndshme dhe falas rreth një teme të diskutuar në komunitetin ndërkombëtar për këtë ditë të veçantë. Godinat e muzeve, të cilat shpalosin trashëgiminë tonë historike e kulturore janë ndërtesa me karakter përfaqësues dhe shumë të veҫantë. Ato ekspozojnë dhe njëkohësisht shërbejnë si një mbështjellje mbrojtëse ndaj kushteve të jashtme klimatike të objekteve të rëndësishme dhe në disa raste unike të trashëgimisë tonë. Shpesh ato konsiderohen si objekti më i rëndësishëm i koleksionit, pasi edhe ato janë objekt i trashëgimisë kulturore dhe mund të jenë po aq të rëndësishme (ose ndoshta më shumë) sa edhe vetë koleksioni që ato mbajnë. Godinat e muzeve janë godina komplekse ku ndërthuren funksione të ndryshme dhe shpesh jo plotësuese me njëra-tjetrën. Përveç vlerave arkitektonike që duhet të përfaqësojë, godina duhet të plotësojë kërkesat e vizitorëve, të objekteve historike e kulturore të ekspozuara apo të ruajtura dhe të personelit shkencor e administrativ të muzeut. Plotësimi i parametrave optimale për të gjitha grupet e mësipërme përbën sot sfidën kryesore të projektimit të godinave muzeale. Dhe kjo sfidë ka të bëjë kryesisht me parametrat klimatike të brendshëm, që realizon ndërtesa e muzeut. Këto parametra janë jetësore për qëniet njerëzore po aq sa edhe për objektet e trashëgimisë historike e kulturore, jetëgjatësia, e të cilave varet pikërisht nga këto.

Disa nga muzetë në Shqipëri:

Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë

  • Muzeu Historik u përurua më 28 tetor 1981. Zë një sipërfaqe të përgjithshme prej 27.000 m2 dhe ka një sipërfaqe ekspozimi prej 18.000 m2. Ndërtesa e muzeut dallohet për një vëllim kompakt mbi një plan kuadratik të kompozuar në mënyrë qendrore simetrike kundrejt një oborri. Muzeu Historik Kombëtar përcjell një shije hermetizmi e monumentaliteti tendencioz, që ishte në harmoni me shijen estetike dhe klimën e përgjithshme të regjimit të Hoxhës. Në mjediset e tij janë të ekspozuara 6200 objekte muzeore, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore, duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX.
  • Muzeu Arkeologjik, Durrës
  • Muzeu Arkeologjik është përuruar më 13 prill 2002. mbi bazën e materialeve të Muzeut të parë arkeologjik, i hapur më 13 mars 1951. Ekspozita është organizuar në tre pavione sipas periudhave historike. Salla e parë fillon me vitrinën e gjetjeve prehistorike në qytet e rreth. Në rend kronologjik ndiqet pa ndërprerje historia e qytetit në periudhën arkaike, klasike dhe qytetare ilire deri në shek. I e.re. Në vazhdim shpaloset zhvillimi topografik, ekonomik, politik e kulturor i Dyrrachiumit romak.
  • Muzeu i Pavarësisë, Vlorë
  • Është krijuar në vitin 1936 dhe është muzeu i parë shqiptar. Prej krijimit e deri në ditët tona, është rritur, plotësuar e konsoliduar si një nga objektet më të rëndësishme muzeale jo vetëm në rrethin e Vlorës, por edhe më gjerë. Me rastin e 50 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, u shpall Muze Kombëtar. Vetë godina dhe gjithçka ndodhet e ekspozuar në të, përfaqësojnë një nga momentet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar. Në këtë godinë, janë hedhur themelet e shtetit shqiptar. Për 6 muaj, aty u vendos dhe funksionoi Qeveria e Ismail Qemalit, që u krijua pas shpalljes së Pavarësisë. Muzeu i Pavarësisë Kombëtare, konsiderohet si një objekt muzeal i pëlqyeshëm. Ai përbëhet nga 2 dhoma dhe 2 korridore.
  • Muzeu “Gjergj Kastrioti”, Krujë
  • Përurimi i muzeut është bërë më 1 nëntor 1982. Muzeu u ndërtua në Kalanë e Krujës, si kryeqendra e shtetit të Arbërit dhe personifikimi i disfatës së ushtrive osmane, për tri herë rresht, në shek. XV. Ky muze ka edhe karakterin e një memoriali, që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira, të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve. Në këtë muze janë të ekspozuara mjaft objekte, dokumente dhe bibliografi origjinale dhe riprodhime autentike, që flasin qartë për historinë e popullit shqiptar në shek. XV e më gjerë.
  • Muzeu Etnografik, Krujë
  • Një ndër muzetë e veçantë në Shqipëri është pikërisht Muzeu Kombëtar Etnografik në qytetin e Krujës. Ky muze e ka zanafillën e krijimit të tij që 20 nëntor të vitit 1989 dhe ndodhet në një objekt të ndërtuar në vitin e largët 1764 që është ish-shtëpia e Toptanëve, e cila është një ndërtesë e tipit “çardak”. Ky objekt është klasifikuar si objekt i Trashëgimisë Kulturore dhe monument kulture i kategorisë së I. Objektet e ekspozuara në këtë muze pasqyrojnë më së miri mentalitetin dhe shpirtin luftarak dhe krijues të popullit tonë ndër shekuj në fushën e artizanatit, bujqësisë, blegtorisë etj.
  • Muzeu Etnografik, Berat
  • Në vazhdim të vizitës, përgjatë rrugës, që zbret nga kalaja, në pjesën e poshtme të qytetit, mund të ndodhet Muzeu Etnografik i qytetit të Beratit. Banesa e Llavdës ndodhet në zonën tampon, gjatë rrugës kryesore për në kala. Pas restaurimit të ndërtesës, në vitin 1979, në ambientet e saj u vendos Muzeu Etnografik i Beratit.
  • Muzeu Ikonografik “Onufri”, Berat
  • Koleksioni i muzeut përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit. Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike. Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX. Ikonat janë realizuar nga piktorët ikonografë si: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku, Adam Kristo si dhe piktorët me mbiemër Çetiri (Gjergji, Joani, Nikolla, Naumi, Gjergji i riu dhe Ndini), si dhe nga shumë piktorë të tjerë anonimë. Muzeu i Artit Mesjetar, Korçë.
  • Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar hap dyert për vizitorët. Me një fond prej 8000 ikonash dhe objektesh të karakterit religjioz, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar është vendosur në ndërtesën e re ku dhjetëra vepra janë ekspozuar në sallat e kësaj qendre muzeore, ndër më të rëndësishmet në Shqipëri. Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar falë ndërtimit bashkëkohor është një ndër destinacionet më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore. I pozicionuar përgjatë Bulevardit “Fan Noli” në Korçë, ky muze është jo vetëm një ekspozitë vizive vlerash por edhe një institucion unikal në rajon.

Muzeu Arkeologjik, Korçë

  • Muzeu Arkeologjik i Korçës u krijua në vitin 1985 dhe mori formë më të gjerë e më të plotë pas organizimit të vitit 1990. Ky muze është vendosur në dy banesa karakteristike korçare të fillim shekullit XIX (19-të), të cilat për vlerat arkitektonike të tyre janë shpallur monumente kulture. Muzeu Arkeologjik është i veçantë në llojin e vetë. Ai është përqendruar në prehistorinë e zonës juglindore, e fillon nga periudha neolitike dhe deri në fazën e zhvilluar të epokës së hekurit.

Muzeu i Arsimit, Korçë

  • Muzeu Kombëtar i Arsimit në Korçë ndodhet në ndërtesën e shkollës së parë shqipe, e hapur më 7 mars 1887. Në ambientet e muzeut janë të ekspozuara historia e shkrimit shqip dhe botime të shqipes.
  • Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”
  • Arti i fotografimit në vendin tonë zë fill në Shkodër në vitet ’50 të shekullit XIX dhe lidhet me emrin e Pietro Marubit (1834 – 1903), me origjinë nga Piacenca (Itali), i ardhur si azilant politik në Shkodër, ku u vendos përgjithmonë, duke themeluar studion fotografike “Marubi”, në qendër të qytetit, e para e këtij lloji në Shqipëri. Në vitin 1970, fondi i fototekës “Marubi”, fryt i një pune të pandërprerë njëqind e sa vjeçare, ku shkrihen së bashku arti dhe memoria e Shkodrës dhe e kombit tonë, e cila përmban rreth 200 000 negativë në pllaka xhami e në celuloid i kaloi shtetit shqiptar.
  • Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”
  • Ndërtesa e njohur si ‘Shtëpia me gjethe’ (e quajtur kështu për shkak të bimës kacavjerrëse, që mbulonte fasadën e saj, është kthyer tashmë në Muzeun Kombëtar të Përgjimeve. I hapur më 23 Maj 2017, ai është muzeu më i ri në Shqipëri dhe një nga më të veçantët, që përpiqet t’u rrëfejë të rinjve dhe të huajve një nga periudhat më të errëta të historisë së vendit. Pozicionuar në qendër të Tiranës, përballë Kishës Ortodokse: “Ringjallja e Krishtit” dhe pranë Bankës Kombëtare, ndërtesa që strehoi për pak kohë Gestapon gjatë pushtimit të vendit në Luftën e Dytë Botërore, ka qenë Selia Qendrore e Përgjimeve të Shërbimit Sekret nga viti 1944 – 1991.