Të dashur vëllezër e motra të komunës së Lipjanit
Të nderuar pjesëmarrës, veteranë e invalidë të luftës së lavdishme të UÇK-së, familjarë të dëshmorëve, veprimtarë të çështjes kombëtare dhe përfaqësues të institucioneve vendore
Shoqëria “Lëvizja” më nderoi sot, duke ma dhënë mundësinë që në emër të saj të përshëndes këtë tubim nderimi e mirënjohjeje për veprimtarët e çështjes kombëtare nga komuna e Lypjanit, me trevat e të cilit mua më lidhin shumë kujtime të kohës së veprimtarisë ilegale.
Lypjani ma kujton edhe një ngjarje, të 4 prillit të vitit 1981, kur komitetlinjtë e LKJ-së nga Lipjani kishin shkuar në fshatin Bujan, për të kërkuar nga fshatarët e Bujanit dënimin e demonstratave të Pranverës së Kuqe ’81, por një djalë i ri i këtij fshati, Sadik Buja, ish i burgosur politik, tani i ndjerë, i bindur thellë për veprimin që duhej ndërmarrë, mori revolverin dhe shkoi në tubimin e organizuar, duke i kundërshtuar ata dhe duke brohoritur kërkesën gjithëpopullore Kosova Republikë, i pasuar edhe nga shokët dhe të rinjtë e fshatit. Pastaj i ndoqën komitetlinjtë e LKJ-së, duke gjuajtur me gurë veturën me të cilën kishin ardhur, në të cilën Sadiku zbrazi një karikatore me plumba, duke i detyruar ata t’ua mbathin këmbëve drejt Lipjanit.
Ishte një brez i tërë i veprimtarëve të çështjes kombëtare, të cilët çështjen e kombit dhe atdheut e kishin mbi çdo gjë dhe para çdo gjëje tjetër, falë të cilëve, falë mundit, sakrificës dhe gjakut të derdhur të tyre, ne sot po frymojmë shqip. Si kudo në trojet e pushtuara të atdheut tonë nga ish-Jugosllavia titiste, edhe në komunën e Lipjanit nuk u shua asnjëherë zjarri i luftës për çlirim e bashkim kombëtar, duke nxjerrë nga gjiri i saj shumë veprimtarë të përkushtuar të çështjes kombëtare, të cilët edhe pranë persekutimit, arrestimit, torturave çnjerëzore të UDB-së titiste dhe dënimeve drakonike, nuk e pushuan kurrë veprimtarinë e tyre për kauzën tonë të shenjtë kombëtare.
Shoqëria “Lëvizja” e ka shpallur këtë vit si vit të Lëvizjes Kombëtare, duke kremtuar kështu 40 vjetorin e bashkimit të grupeve dhe organizatave kryesore patriotike e revolucionare të kohës, të cilat në fillimvitin 1982 themeluan LRSSHJ-në, e njohur më vonë si LPRK, e së fundmi si LPK, me çrast po organizon nëpër të gjitha komunat shqiptare, si në Kosovë, ashtu edhe në Maqedoni e vendbanime tjera shqiptare, tubime nderimi dhe mirënjohjeje për veprimtarët e hershëm të çështjes kombëtare, veprimtarë që kemi fatin t’i kemi edhe sot e kësaj dite në mesin tonë.
Ky aktivitet i Shoqërisë “Lëvizja”, duke nderuar veprimtarët e çështjes kombëtare, na bën që të mos i harrojmë mundin, sakrificat dhe luftën titanike të një plejade të tërë të veprimtarëve të çështjes kombëtare, e me këtë duke na i freskuar përjetimet e një historie jo të largët të këtij nënqielli arbëror, por edhe duke kontribuuar që të mos na kaplojë harresa kolektive e një kohe të vështirë por të dinjitetshme, kohëra për të cilat na bëjnë edhe sot të ndjehemi krenarë se ishim, jemi e do të mbetemi shqiptarë në trojet tona stërgjyshore.
Edhe komuna e Lipjanit ka pasur shumë veprimtarë të çështjes kombëtare, shumë të burgosur politikë, ndërsa kësaj radhe është menduar të nderohen disa prej tyre, të cilët janë akoma në mesin tonë. Këto mirënjohje të Shoqërisë “Lëvizja” janë gjëja më e vogël që mund të bëjmë për ata të cilët tërë jetën ia kushtuan kauzës së shenjtë të luftës për çlirim e bashkim kombëtar.
Mbështetje dhe përkrahje pa rezervë këta veprimtarë kishin nga familjarët e tyre, e sidomos nga nënat, të cilat iu gjendën pranë në çdo kohë, duke pritur e përcjellur shokët e idealit të fëmijëve të tyre, duke u gatuar bukë e ushqyer me ato që kishin. Një nënë e tillë sot është dashur të jetë në mesin tonë, por mungon për shkaqe të rënduara shëndetësore, nëna e vëllezërve Buja të fshatit Lipjan, djemtë e së cilës ishin të përfshirë që heret në organizimet klandestine, e të cilët pa përkrahjen dhe mbështetjen e nënës së tyre do ta kishin shumë më të vështirë veprimtarinë. Unë përkulem thellë para nënave dhe grave e motrave tona që na i mundësuan të japim kontributin tonë për realizimin e kauzës së shenjtë të çlirimit dhe bashkimit kombëtar.
Më lejoni që edhe njëherë t’ju përshëndes vëllazërisht dhe nga zemra në emër të Shoqërisë “Lëvizja” gjithë pjesëmarrësit e këtij takimi dhe të përkulem thellë e me një respekt të veçantë për të gjithë ata veprimtarë të çështjes sonë kombëtare që u bën sot shkas që ne të takohemi këtu për t’i nderuar dhe për t’ju shprehur mirënjohje për veprimtarinë e tyre në të mirë të kombit dhe kauzës së shenjtë të bashkimit kombëtar.
Të gjithë të rënëve në altarin e lirisë – Lavdi në vite e në shekuj!