Lahe tha se ajo që ne duhet të bëjmë patjetër është të fuqizojmë veten me informacione e të fuqizojmë fëmijët me informacione, çka do të thotë që t’u tregojmë çdo ditë fëmijëve se cilat janë sjelljet e papërshtatshme, sjelljet që duhet menjëherë t’i raportojnë, t’i komunikojnë dhe t’i bisedojnë në shtëpi.

Ajo që domosdo duhet të bëjmë, është të jemi pranë fëmijëve dhe të kuptojmë çdo lloj sinjali jo të duhur që vjen jashtë shtëpisë. Lahe e mbyll me ngushëllimet për familjen e vogëlushit të ndjerë, ndërsa kërkon që t’i mbajmë sytë tek familja.

Mesazhi i plotë:
“Sot si prind nuk mund të rri indiferente pa përcjellë një mesazh për ngjarjen e rëndë që ka ndodhur në Fier. Ka humbur jeta e një vogëlushi, e një personi, e një njeriu të pambrojtur. Sigurisht që institucionet, shteti duhet të marrin masat e tyre. Nuk do doja dhe nuk më takon të flas për ta, por dua të flas si prind. Dua të them që secili nga ne kur sjell në jetë një fëmijë, ka përgjegjshmërinë dhe detyrimin jo vetëm t’i japë dashuri fëmijës, po edhe ta mbrojë atë. Ajo që ne duhet të bëjmë patjetër është të fuqizojmë veten me informacion e të fuqizojmë fëmijët me informacion, çka do të thotë që t’u tregojmë çdo ditë fëmijëve se cilat janë sjelljet e papërshtatshme, sjelljet që duhet menjëherë t’i raportojnë, t’i komunikojnë dhe t’i bisedojnë në shtëpi. Ajo që domosdo duhet të bëjmë është të jemi pranë fëmijëve dhe të kuptojmë çdo lloj sinjali jo të duhur që vjen jashtë shtëpisë.

Të mos krijojmë besimin e verbër tek çdo njeri që kemi pranë! Jemi njerëz, kemi marrëdhënie sociale, familjare, kemi të afërm, por shpesh njerëz që nuk i kemi parë asnjëherë me dyshim, kanë qenë njerëz që kanë abuzuar me fëmijët duke qenë xhaxhai, daja, nipi sigurisht nuk dua të përjashtoj as gjininë femërore se dhunë e presion ka patur edhe nga ana tjetër. Qëndrojini afër fëmijëve tuaj dhe duajini shumë ata, po aq sa i doni, në të njëjtën mënyrë e formë kemi detyrimin t’i mbrojmë. Nuk gjej fjalë për të ngushëlluar familjen.

Do doja ta përcillja këtë mesazh, nuk doja ta mbaja vetëm për veten time. Jemi në një kohë televizive që duhet respektuar e një program ku përcjellim informacion. Kjo është një ngjarje që për fat të keq për shkak të kujtesës së shkurtër që kemi, do e kalojmë e do mendojmë si tani me Idën se çfarë do gatuajmë sot për drekë, por disa gjëra nuk duhet t’i lëmë jashtë vëmendjes. Sytë tek familja, ju lutem!