Histori

Xhelal Xheçovi: 17 Nëntori i çlirimit të Kryeqendrës shqiptare,Tiranës, avazi dhe marifetet e tradhtisë së kolaboracionizmit… Pretendimet greke!

Divizioni I Sulmues, i komanduar nga Mehmet Shehu, nisi sulmin për çlirimin e Tiranës. Përkrah forcave gjermane që ishin urdhëruar të mbanin me çdo kusht Tiranën, u angazhuan në luftime dhe forca të Ballit Kombëtar. Që në gusht, një nga repartet balliste më të njohura të Vlorës, nën komandën e Mehmet Azemit, erdhi në Tiranë dhe u vendos në krah të ushtrisë hitleriane, për të mos lejuar rënien e kryeqytetit në duart e forcave partizane. Luftimet për çlirimin e Tiranës do të shënonin kulmin e luftës në fazën përfundimtare të saj. Në mënyrë të veçantë luftimet në Mushqeta, që u realizua në kombinim dhe me forcat ajrore britanike, u sollën gjermanëve humbje të konsiderueshme. Brenda natës së parë të sulmit, pothuajse gjysma e qytetit ra në duart e forcave partizane. Më 30 tetor 1944 luftohej në qendër të kryeqytetit. Atë ditë Shtabi i Divizionit I vendosi selinë e vet brenda në qytet. Luftimet për çlirimin e Tiranës vazhduan rrugë më rrugë, barrikadë më barrikadë dhe shtëpi më shtëpi. Më 17 nëntor 1944, në mëngjes qëndresa e armikut pushoi. Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, u çlirua. Gjatë 19 ditëve që vazhduan luftimet, forcat gjermane lanë më tepër se 2 000 të vrarë, midis tyre dhe oficerë madhorë të identifikuar, si dhe mjaft të plagosur. U zunë më tepër se 300 robër dhe një sasi e konsiderueshme materiali luftarak. Nga forcat partizane pati 417 të vrarë e të plagosur, kurse nga popullsia civile qindra të masakruar barbarisht nga gjermanët dhe bashkëpunëtorët e tyre.
***
Sapo u çlirua Tirana, Komanda e Përgjithshme dhe Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH u dhanë urdhër njësive të Ushtrisë Nacionalçlirimtare që të vazhdonin veprimet luftarake në zonat veriore të vendit, për të përfunduar çlirimin e plotë të Shqipërisë. Në këtë kuadër, më 20 nëntor forcat e Brigadës VII sulmuan dhe çliruan Lezhën. Ndërsa Brigada XVIII, pasi kreu një varg veprimesh kundër forcave armike në tërheqje, gjatë rrugës Prizren-Kukës-Pukë dhe në rrethinat e Prizrenit, më 5 nëntor nisi sulmin kundër njësive gjermane që ndodheshin në Kukës. Së bashku me Brigadën V të UNÇSH, më 16 nëntor, ajo mori pjesë në luftimet për çlirimin e Prizrenit. Më 17 nëntor forcat partizane goditën kolonën e ushtarëve armiq që drejtohej për në Kukës dhe më 18 nëntor çliruan përfundimisht qytetin e Kukësit. Pas dy ditësh, më 20 nëntor, Brigada XXII çliroi Pukën. Tani e gjithë Shqipëria, me përjashtim të Shkodrës, ndodhej e çliruar.
Për çlirimin e Shkodrës, qyteti i fundit që ndodhej nën kontrollin e forcave hitleriane, u ngarkuan Brigadat VI, VII, XXII, XXIII dhe Grupi partizan i Shkodrës. Luftime me forcat armike u zhvilluan përreth Shkodrës, në Postribë, në kodrat e Drishtit dhe në të majtë të lumit Kir. Kundërsulmet që ndërmorën trupat gjermane më 28 nëntor, u thyen me humbje të rënda. Kështu, katër- pesë orë pas mesit të natës, forcat armike u detyruan të lënë qytetin. Në mëngjesin e datës 29 nëntor, në Shkodrën e lirë hynë luftëtarët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, të pritur e të përshëndetur nga qytetarët e Shkodrës. Çlirimi i Shkodrës shënon çlirimin e plotë të vendit.
***
Me çlirimin e Shqipërisë dhe me vendosjen e pushtetit të Frontit Nacionalçlirimtar, në të gjithë territorin e saj përfundoi Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar, pavarësisht se njësi partizane të Divizionit V dhe të Divizionit VI do të vijonin edhe për disa muaj veprimet luftarake në territorin e Kosovës e të Jugosllavisë.
Kështu, para se të përfundonte Lufta e Dytë Botërore, Fronti Nacionalçlirimtar, që udhëhiqej nga Partia Komuniste e Shqipërisë, mori pushtetin në vend. Këtë fitore Fronti dhe PKSh e arritën në sajë të angazhimit total të forcave në luftë për çlirimin e vendit; të rreshtimit në anën e duhur të historisë, përkrah aleatëve anglo-sovjeto-amerikanë, që ndihmuan dhe mbështetën luftën e tyre; të qëndrimit e të rreshtimit të gabuar, përkrah gjermanëve, të forcave kryesore nacionaliste, Ballit Kombëtar dhe Partisë Lëvizja e Legalitetit; e më në fund, të premtimit se pas çlirimit në Shqipëri do të vendosej një regjim demokratik.
***
Tirana-me-17-nentor-44
Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, që u zhvillua në kuadër të Luftës së Dytë Botërore, zë një vend të veçantë në historinë e Shqipërisë. Ajo renditet ndër luftërat më të mëdha e më të organizuara që kanë zhvilluar shqiptarët, në të gjithë historinë e vendit, e vetmja luftë e fituar përfundimisht prej tyre. Kurorëzimi i saj me fitore çoi në çlirimin e vendit dhe në rivendosjen e pavarësisë kombëtare, duke i dhënë kështu fund historisë së pushtimeve të Shqipërisë. Shqipëria është ndër vendet e pakta që u çlirua me forcat e veta, me luftën e popullit e të Ushtrisë Nacional- çlirimtare Shqiptare, pa qenë nevoja që në territorin e saj të kryenin veprime luftarake ushtritë aleate. Aleatët, nga ana e tyre, i dhanë mbështetjen e duhur morale e politike Lëvizjes Nacionalçlirimtare që ajo të përmbushë objektivat e veta kombëtare. Përfundimi i luftës e gjeti Shqipërinë të rreshtuar me fitimtarët, me Aleatët, me Koalicionin Anglo-Sovjeto-Amerikan.
***
Rrethanat e brendshme dhe ato ndërkombëtare, në të cilat u zhvillua si dhe objektivat që synonte, i dhanë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare një dimension, një vlerë e një rëndësi të veçantë në zhvillimet politike të kohës, që do të kishin ndikim të rëndësishëm edhe pas lufte në disa aspekte të çështjes kombëtare. Me kapitalin e mbështetjen e fituar nga lufta do të përballoheshin problemet e rreziqet, që do të ishin prezente pas lufte, për shkak të synimeve të fqinjëve për të imponuar një copëtim e një aneksim tjetër të territoreve shqiptare.
Luftën e Dytë Botërore, siç dihet, e provokuan Fuqitë e Bllokut Nazifashist: Gjermania, Italia dhe Japonia, që synonin zgjerimin e kufijve e shteteve te tyre dhe vendosjen e sundimit mbi popuj, vende e territore të ndryshme të globit. Për të përballuar agresorët nazifashistë që rrezikonin ekzistencën e njerëzimit, tri Fuqitë e Mëdha të kohës, Britania e Madhe, Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës krijuan aleancën antifashiste dhe u bënë thirrje popujve, lëvizjeve dhe qeverive të vendeve të ndryshme që t’i bashkoheshin asaj, duke angazhuar në luftë kundër fuqive të boshtit nazifashist të gjithë potencialet njerëzore dhe luftarake që dispononin, me qëllim që të shpëtohej njerëzimi nga rreziku që kërcënonte botën. Vendimi i Konferencës së Pezës për t’iu bashkuar aleancës ka qenë akti i parë që e lidhi Shqipërinë me aleatët anglo-sovjeto-amerikanë. Shqipëria i qëndroi besnike deri në fund parimeve të aleancës dhe kontribuoi me ato fuqi që kishte në fitoren mbi nazifashizmin. Kjo është arsyeja që aleatët i dhanë asaj gjithë ndihmën e duhur për të dalë fituese mbi okupatorët nazifashiste.
Ndërkohë, situata në vend ishte mjaft e ndërlikuar. Me agresionin e 7 prillit 1939, Italia fashiste e kishte likuiduar Shtetin e pavarur Shqiptar. Në këtë mënyrë, Shqipëri të pavarur nuk kishte; ajo qe aneksuar nga Italia dhe ishte shndërruar në një provincë e shtetit italian. Nga ana tjetër, qeveritë që ngritën pushtuesit u rreshtuan në Bllokun Fashist. Në rrethana të tilla, në rast se Shqipëria nuk do të angazhohej në luftë përkrah aleatëve, në përfundim të saj do të gjendej në radhën e vendeve të mundura, si pjesëtare e bllokut nazifashist dhe do të ishte dënuar, siç u dënuan aleatët e Italisë e të Gjermanisë, jo vetëm me dëmshpërblime materiale e financiare, por edhe me gjymtime territoriale. Rasti i Rumanisë, gjymtimi që iu bë për këtë arsye kufijve të saj, që edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të jenë të tillë, është kuptimplotë, por jo i vetëm. Kjo përvojë e hidhur na bind se angazhimi i shqiptarëve në luftë kundër agresorëve nazifashistë ka qenë shpëtimtare për vendin, për sovranitetin dhe integritetin territorial.
Së dyti, angazhimi i Shqipërisë në luftë përkrah Aleatëve ka patur rëndësi për vendosjen e marrëdhënieve korrekte me Greqinë, për përballimin e presioneve dhe synimeve të saj ndaj territoreve shqiptare. Është provuar me dokumente të pakontestueshme se ekzistonte një skenar i mirëmenduar, që kishte dhe mbështetjen e Britanisë së Madhe, njërës nga fuqitë aleate, për diskutimin e kufijve të Shqipërisë dhe korrigjimin e tyre eventual, në bazë të pretendimeve greke. Për këtë qëllim u shfrytëzua dhe qëndrimi i qeverive kolaboracioniste ndaj agresionit të Italisë Fashiste ndaj Greqisë.
Si dihet, kryeministri Vërlaci dhe qeveria që ai drejtonte, duke mos qenë në gjendje që t’i bënin ballë presionit të Romës zyrtare, të joshur dhe nga premtimi se me këtë rast do të arrinin t`i kthenin vendit krahinën e Çamërisë, të shkëputur padrejtësisht me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve më 1913, çka do t`u jepte sipas tyre, kapital e mbështetje brenda vendit, iu bashkuan agresionit të fashistëve italianë kundër Greqisë. Këtë akt të kolaboracionistëve e jo të popullit shqiptar, që edhe vetë ishte i pushtuar nga të njëjtët agresorë, u përpoq ta shfrytëzojë qeveria greke e pasluftës për të ngritur në Konferencën e Paqes, të mbajtur në Paris më 1946, akuza dhe pretendime absurde ndaj Shqipërisë. Në Konferencë, kryeministri grek Caldaris do të kërkojë që Shqipëria të cilësohej e të dënohej si shtet agresor, pjesëtar i bllokut fashist, duke ju referuar pikërisht solidarizimit të qeverive kolaboracioniste me agresionin e Italisë Fashiste. Akuzat dhe pretendimet greke u hodhën poshtë nga Enver Hoxha, kryeministër dhe kryetar i delegacionit të Shqipërisë, që deklaroi, ndër të tjera se Shqipëria qysh në fillim u bashkua me aleatët e me aleancën antifashiste që udhëhiqnin ata dhe i qëndroi deri në fund besnike parimeve të saj, duke kryer obligimet ndaj saj e ndaj popullit të vet e duke dhënë kështu kontributin që i takonte në fitoren mbi nazi-fashizmin. Lidhur me kërkesën e qeverisë greke për rishikimin e kufijve të Shqipërisë, në kuadër të zgjidhjes të ashtuquajturës çështje vorio-epiriote, kryeministri shqiptar deklaroi ndër të tjera se Shqipëria s`ka ardhur këtu që të japë llogari, por t`u kërkojë llogari atyre që në të kaluarën kanë copëtuar e gllabëruar territoret shqiptare; se kanë ikur ato kohëra kur fatin e Shqipërisë dhe kufijtë e saj i vendosnin të tjerët; se të drejtën për të diskutuar e aq më pak për të vendosur për ta nuk e ka as kjo Konferencë dhe as ndonjë konferencë apo forum tjetër ndërkombëtar. Në kufijtë e shtetit shqiptar nuk ka as edhe një pëllëmbë tokë të huaj, përkundrazi janë të tjerë ata që kanë grabitur territore shqiptare. Kufijtë e Shqipërisë janë të shenjtë e të paprekshëm e, po të jetë nevoja, ato do t`i mbrojmë dhe me gjakun tonë.
Në përfundim, Konferenca hodhi poshtë akuzat greke për bashkëpunim të Shqipërisë me agresorët fashistë, si dhe pretendimin për të ashtuquajturën çështje vorio-epiriote, duke e mbyllur përfundimisht këtë çështje. Natyrisht, qëndrimi i konferencës, respektivisht i aleatëve, nuk lidhej me ndonjë simpati të veçantë ndaj Shqipërisë, pasi simpatitë në atë kohë ishin për Greqinë, për shkak të lidhjeve të vjetra dhe të peshës në luftë. Ajo që e shpëtoi Shqipërinë nga një copëtim i dytë i kufijve të saj ishte lufta, angazhimi në luftë përkrah aleatëve. Po të kishte fituar në shkallë kombëtare politika e Ballit, rruga që ai ndoqi, pasojat do të kishin qenë fatale për Shqipërinë. Konferenca konfirmoi faktin që Shqipëria kishte qenë në anën e Koalicionit Antifashist dhe kishte kontribuar mbi fuqitë e saj, për fitoren mbi nazifashizmin e nga kjo pozitë kishte mbështetur luftën e popullit grek e jo agresorët fashistë. Përfundimet e Konferencës ishin një vlerësim e një nderim që i bëhej luftës së popullit shqiptar.
***
barrikada-ne-tiraneLuftën Antifashiste Nacionalçlirimtare e organizoi dhe e udhëhoqi Fronti Nacionalçlirimtar, ku Partia Komuniste kishte padyshim rolin dhe meritat e saj. Por pavarësisht kësaj, Lufta u zhvillua jashtë ideologjisë komuniste, me një program kombëtar, e jo partiak, që mund të hartohej e të pranohej nga çdo forcë patriotike, si dhe me shumicën e pjesëmarrësve jo komunistë. Lufta, për nga problemet që synonte të zgjidhte, nga pjesëmarrja e forcave, nga karakteri e më në fund dhe nga rezultati, ishte një luftë patriotike, nacionalçlirimtare, që u bë për të çliruar e shpëtuar vendin nga dy fuqitë agresore më të mëdha të kohës, Italisë Fashiste dhe Gjermanisë Naziste, që shkelën njëra pas tjetrës pavarësinë e atdheut. Por njëherësh ajo ishte dhe një revolucion popullor që çoi në likuidimin e rendit të vjetër, në largimin nga pushteti të klasave të vjetra, për shkak të keqpërdorimit të pushtetit para lufte, me qëllim pasurimi në kurriz të popullit, duke e lënë vendin në mjerim e prapambetje të gjithanshme ekonomike e kulturore, e një pjesë e tyre dhe për bashkëpunim me okupatorët nazifashistë gjatë viteve të luftës.
Por, pas Mukjes dhe pas kapitullimit të Italisë, Balli Kombëtar e më pas dhe Lëvizja e Legalitetit, gradualisht do t`i bashkohen okupatorit gjerman dhe në operacionin e dimrit do të angazhojnë forcat përkrah tij, me shpresë se në këtë mënyrë, në këtë rrugë do të likuidohej Lëvizja Nacionalçlirimtare dhe do t`u hapej rruga për të marrë vetë pushtetin pas largimit të trupave gjermane. Ndërkohë PK në Konferencën e Parë Nacionalçlirimtare shpalli hapur pretendimin se i vetmi pushtet i ligjshëm në vend, i pranuar e i zgjedhur nga populli, qe gëzonte mbështetjen e tij ishin këshillat nacional- çlirimtare, çka do të thoshte se asnjë pushtet tjetër nuk duhet të ekzistojë veç pushtetit të këshillave nacionalçlirimtare.
Në rrethana të tilla, do të thellohej gjer në ekstrem diferencimi i forcave shoqërore e politike, në dy kampe krejt të kundërta, në themel të të cilit ishin dhe ambiciet për pushtet. Një zhvillim i tillë kompleks i situatës, do të bënte që në këtë fazë, në teatrin e luftimeve, në momente e në zona të caktuara, të shfaqeshin dukuri dhe elemente të luftës civile, në formën e konfrontimeve me armë midis forcave kryesore politike, pa praninë e forcave okupatore. Por, me gjithë përpjekjet që u bënë, ato nuk arritën të shtrihen në shkallë vendi dhe të bëhen mbizotëruese në vend, çka mund të shoqërohej dhe me zhvillime e me përfundime të tjera. Në këto rrethana nuk pati ndryshim të karakterit të luftës; ajo u zhvillua deri në fund si një luftë nacionale e çlirimtare, pasi mbeti e pandryshuar deri në fund strategjia e LANç, forcës kryesore në vend, orientimi bazë i luftës, objektivi dhe qëllimi kryesor i saj, lufta kundër pushtuesit, ndaj të cilit u drejtuan e u përqendruan goditjet e forcave partizane. Kurse forcat që u përpoqën të pengonin këtë proces, duke iu bashkuar okupatorit, u goditën e u luftuan, jo për shkak të dallimeve klasore apo ideologjike, por si bashkëpunëtorë të tij.
Rreshtimi Ballit dhe i forcave të tjera nacionaliste përkrah okupatorit ka qenë fatale jo vetëm për ta, por përgjithësisht për zhvillimet në vend, pasi i dhanë mundësi PK që të udhëheqë e vetme luftën për çlirim kombëtar dhe në përfundim të vendosë pushtetin e forcave që ishin angazhuar në luftë, nën udhëheqjen e saj. Po të kishin luftuar dhe forcat nacionaliste, sidomos Balli Kombëtar, duke patur parasysh peshën dhe ndikimin në krahasim me forcat e tjera nacionaliste, influenca e të cilave ishte e kufizuar, në përfundim të luftës do të kishim një situatë tjetër politike e një konfigurim tjetër të forcave politike, ku asnjëra palë nuk do të mund të mënjanonte e aq e pak likuidonte tjetrën e në këtë mënyrë rendi demokratik pluralist do të qe vendosur, jo pas një tuneli të gjatë, sic ndodhi në të vërtetë, por menjëherë pas lufte.
Mirëpo, siç thekson dhe Rexhinald Hibbert, oficer i misionit anglez, në librin “Fitorja e hidhur. Lufta Nacionalçlirimtare në Shqipëri”, nacionalistët shqiptarë nuk ngritën as gishtin kundër gjermanëve, as në momentet e fundit të luftës, duke ruajtur e angazhuar të gjithë forcat vetëm kundër forcave partizane, për të mos lejuar fitoren e Frontit, me pretendimin se kështu evitohej vendosja e regjimit komunist dhe e diktaturës komuniste, pa mbajtur parasysh se në ato vite nuk luftohej për komunizëm, por për çlirimin e atdheut, dhe vendosjen e tij nuk e kërkonte asnjëra nga forcat politike. Për rrjedhojë, një rreshtim e pozicionim i tillë u shkonte përshtat gjermanëve dhe kontribuonte që regjimi i tyre pushtues të vazhdonte edhe më tej.
Lufta i arriti objektivat e veta kombëtare. Ajo çliroi vendin dhe rivendosi pavarësinë kombëtare. Sistemi komunist që u vendos pas saj dhe zhvillimet në kuadër të tij, përbëjnë një etapë më vete, me rrethana, veçori, probleme e zhvillime të tjera, nga ato të luftës, që nuk lidhen me Luftën. Lufta dhe paslufta, ndonëse vijnë njëra pas tjetrës, nuk janë e njëjta gjë dhe as vazhdim i njëra-tjetrës. Lufta e përfundoi kohën, detyrën dhe misionin e vet më 29 nëntor 1944. Përpjekjet për të lidhur e fajësuar luftën për ato që ndodhen pas saj, Ismail Kadare i ka quajtur spekulime anti-historike. Edhe vlerësimet mbi luftën u bënë në kohën e duhur, fill pas përfundimit të saj dhe ato i dhanë secilës palë atë që meritonte. Udhëheqësit perëndimorë pas lufte, kanë theksuar e konfirmuar vazhdimisht se përfundimet e Luftës së Dytë Botërore, pra dhe e luftës së zhvilluar në Shqipëri në suazat e saj, janë baza e patundur dhe e paprekshme, mbi të cilën është ndërtuar Evropa e pasluftës, garanci për paqen, stabilitetin dhe përparimin e njerëzimit në rrugën e demokracisë. Ato nuk mund të ndryshohen as me kërcime e manipulime me dokumente, as duke bërë rolin e viktimës së luftës civile e aq më pak me dekorime e rehabilitime politike, të cilat realisht, kur bëhen me këtë synim, nuk kanë asnjë vlerë, nuk ndryshojnë asgjë në vlerësimin e luftës.

Postimet e fundit !