Vështrim/Analizë

Kushtrim Bislimi: Gracka bashkëkohore që ndjell dyshim e keqardhje

Disa agjencione lajmesh tek të cilat nuk ka asnjë skemë organizative apo editoriale publike, shpërndajnë rregullisht informacione ditore me kahje të dyshimta. Rëndom, këto organizata janë larg të qenurit të pavarura dhe larg të qenit të izoluara. Shpeshherë, janë pjesë e një rrjeti gazetash e portalesh që ndjekin një linjë editoriale të caktuar dhe që nëse i vëzhgoni në mënyrë unike, duken që nuk përfaqësojnë interesa të përbashkëta. Dhe këtu bëhet e ndërlikuar, çfarë paskan të përbashkët këto portale e gazeta ? Pronarin apo grupin e interesit që i financon, ideologjinë dhe qëllimet. Këto informacione, pa vetëdije rishpërndahen nga njerëz vullnetmirë, por shumë të ndikueshëm (prej vet faktit se facebook ka për sfond tregtie emocionet e njerëzve) dhe është për keqardhje. Sepse shpeshherë, shohim njerëz të cilët kontribuojnë apo kanë kontribuuar për një çështje me interes njerëzor apo kombëtar, duke shpërndarë gjëra që nëse i shikojmë si unitet, duken se u shkojnë për shtati bindjeve të tyre (dhe tonave në raste të caktuara). Por fatkeqësisht, këto informacione shpesh-herë gjenden brenda një skeme apo edhe fushate (tërësie) më komplekse që nuk synojnë qëllimet që besojnë ata që i shpërndajnë, për të mos thënë, synojnë qëllime krejtësisht të kundërta. Kështu nga dje në sot, e nga sot në nesër, mund të gjesh dikë patriot e dikë tradhtar, dikë mashtrues e dikë të ndershëm, dikë hajn e dikë filantrop humanitar (shpeshherë me ngjyrime fetare) etj. Ky lloj komunikimi që favorizon edhe facebook-u përmes reagimeve emocionale (e dua/se dua, e adhuroj/s’e adhuroj, më bën nervoz/ndihem solidar etj) shtyejnë shpeshherë njerëzit të veprojnë për interesat e kundërta të atyre për të cilat luftojnë çdo ditë apo kanë luftuar gjithë jetën. Kështu që ju kisha lutur të interesoheni se kush është lajmëtari, para se të publikoni e shpërndani gjithë-lloj informacionesh të cilat nuk ju bëjnë nder as juve individualisht por as bindjeve për të cilat luftoni. Bini në kundërshtim të thellë me vetvetën dhe shpesh-herë, një rini intelektuale që në rrethana të tjera do t’ju kishte idealizuar, gjendet e pafuqishme përballë një fenomeni që gjeneron vetëm dhe vetëm keqardhje përveç dëmeve të qarta politike, kulturore e sociale që na sjellin sjelljet e juaja kompulsive dhe emocionale të pavetdijshme.
Për të dhënë një shembull, nuk është sikur të publikohet një lajm i tillë (të marrë një shembull) nga një agjencion/organizatë i udhëhequr nga familja Surroi (për të cilën mund të identifikojmë realisht vetëm Koha.net e dhjetë portale të tjera që shpërndajnë lajme të përditshme që nuk i dijmë apo edhe mund t’i gjeni nëse hulumtoni më thellësisht duke njohur personat që publikojnë e punojnë aty), nga një agjencion/organizatë tjetër i udhëhequr nga veteranë të angazhuar, por që me gjithë dashurinë për atdheun nuk kuptojnë problematikat bashkëkohore apo sikur të publikohet nga një agjencion/organizatë që përkrah një linjë editoriale pro-kombëtare dhe në mënyrë strategjike (të menduar dhe me qëllime te caktuara). Do me thënë që e keni për detyrë të filtroni informacionet dhe t’i ballafaqoni, sepse kjo ndër të tjera, është ndër faktorët më të rëndësishëm të vazhdimësisë së angazhimit tuaj dhe mbi të gjitha, edhe të kredibilietit që keni. Mos bini pre e lloj – lloj agjencionesh, pa e ditur se kush i mirëmban dhe çfarë linje editoriale kanë. Lehtë është të nxjerrësh një gjë prej konteksti dhe t’i atribuosh kuptimin që do apo që të konvenon në momentin T.
Tendenca për t’i shpallur në mënyrë arbitrare dhe aq më keq bizare njerëzit tradhëtarë/atdhetarë, të mirë/të këqinj të shenjtë/pisa është duke u bërë e gjithanshme dhe tani po rrëzon edhe murët e fundit të fortesës të së vërtetës, demokracisë apo edhe lirisë dhe po bëhet vërshim i gjithanshëm dhe është për keqardhje. T’i shtojmë gjithë kësaj se metodat denigruese të komunikimit (me apo pa vetëdije) për interesa individuale emocionale të momentit (të pavetdijshme), klanore apo partiake (të vetdijshme) nuk i bëjnë nder askujt, përveçse i bëjnë dëm shumëkujt e në radhë të parë asaj çështjeje për të cilën keni sakrifikuar dhe së vërtetës apo bindjeve fisnike humaniste nëse konsiderojmë që e vërteta sociale është e luhatshme.
Me keqardhje!