Kulturë\Letërsi

Poezi të zgjedhura nga i madhi Dritëro Agolli

Poetët që vijnë
(nga vëllimi “Mesditë”, 1969)

Mbi fletorka me vija, natën vonë,
Diku në fshatra të largëta e qytete,
Të lodhur nga puna, rrinë e mendojnë
E vargje thurin e flasin me vete;

Dhe ngrihen mëngjeseve e nisen
Sërish në torno e kombajna;
Vargjet i ruajnë e vargjet i grisin
Dhe prapë kur kthehen shkruajnë;

Mbi fletorka me vija në konvikte
E në baraka e në auditore
Krijojnë asonanca e rima e ritme
Dhe ballin shtrëngojnë me dorë.

Dhe çfarë shkruajnë e cilët janë
Ne ende s’i njohim, ne ende s’i dimë;
Po dimë se tryezat me vargje i kanë,
Atje ku arat blerojnë e tornot ndrijnë;

Po dimë se diku gatuhet poezia,
Gatuhet poezia e madhe, poetë,
Në fletorkat e thjeshta me vija,
Nga vajzat tona e djemtë.

Dhe ne para saj do mahnitemi patjetër,
Po s’do na vijë keq për vitet që vanë,
Se në godinën e poezisë së vërtetë
Ca gurë e ca djersë dhamë…

Pjekuria
(nga vëllimi “Mesditë”, 1969)

Sa vjen aq më i rëndë bëhet vargu;
Rëndojnë netët e pagjuma në qepalla
Dhe letra griset me bojën ende të lagur
Dhe në ndërgjegje shfaqet e fshihet fjala
Dhe ti vrapon pas saj dhe prapë gris letër…
Kështu avitet ndofta pjekuria
E rëndë, e ndershme, e vërtetë,
E ashpër nga pagjumësia…
Vjen i vështirë vargu, i vështirë,
Që lehtë pastaj t’u shkojë njerëzve
I ngarkuar me erën e metalit e të grurit të shirë,
I ngarkuar me erën e miliona djersëve…

Nderi
(nga vëllimi “Fjala gdhend gurin”, 1977)

Kam jetuar ngaherë me nder
Dhe dorën kurrkujt s’ia kam shtrirë,
Tërë jetën kam patur veç një defter
Dhe në të kam shkruar fjalën e mirë.

E kam gjetur fjalën e mirë në qytet
E në fshat, e në asfalt, e në arë;
Dhe kam ngrënë bukë pa qibër e dert
Me ata që mbajnë lugën në gishtat e vrarë.

Ngaherë kam ecur me nënën Shqipëri
Dhe pas krahut të saj jam mbajtur;
Para saj kam qenë përjetë çilimi,
Çilimi dhe burrë i matur…

1973

Vdiq një veteran
(nga vëllimi “Fjala gdhend gurin”, 1977)

Vdiq një veteran i mirë.
Në oborr i hidhte fletët pjergulla,
Qershia lëshonte nga lëkura rrëshirë
Dhe shiu trokiste në tjegulla.

Vdiq një veteran i vjetër.
E morëm vesh tek shtronim bukën.
Të gjithë heshtëm
Dhe lamë në heshtje lugën.

Pesë minuta zi para sofrës së shtruar,
Pesë minuta janë një heshtje e pastër.
Ai për bukën na kish treguar
Dikur para sofrës së varfër…

1971

Trishtimi
(nga vëllimi “Pelegrini i vonuar”, 1993)

Po iki me trishtim i zhgënjyer nga miqtë,
E mbylla dhe derën që rrinte e hapur
Për lajkatarët, për rrenacakët e smirëzinjtë,
Që shtireshin ëndgjëj të dashur.

Ku vete, s’e di, veç s’dua të kthehem
Sërishmi në rrenat e jetës;
Diku në një skaj të largët do prehem
Me qafën e futur në jakën gri të xhaketës.

Një gur a një trung
(nga vëllimi “Pelegrini i vonuar”, 1993)

E dua pa mend vendin tim
Dhe s’gjej një gur a një trung
Ku të ulem pa brengë e trishtim,
Mos të ulem si murg.

Kalova mes erërash për të,
U ktheva në hi dhe në shkrumb,
Pa të nuk doja të isha asgjë
Dhe prapë s’gjej një gur a një trung,

Ku të ulem i qetë në agim a në muzg…

Malli për heronjtë
(nga vëllimi “Pelegrini i vonuar”, 1993)

S’ka heronj, heronjtë i përzumë,
Me lavdi përditë i nanuritëm
Dhe me lajka dalngadalë i vumë
Një nga një në prehje dhe në gjumë.

S’ka heronj, heronjtë u mërzitën,
Prisnin ëndrrat, ëndrrat u vonuan,
Duke pritur heshtën dhe dremitën
Dhe ne nina-nana u kënduam.

Ç’digjeni nga malli për heronjtë?
Kushedi kur kthehen nga kjo anë!
Ç’i kërkoni? Pritja është e kotë.

Me ndershmëri
(nga vëllimi “Pelegrini i vonuar”, 1993)

Dhe kur njeriu nuk ndien as mall, as brengë, as dhembje,
Nuk ndien as gaz, as hidhërim, as shpresë,
Një gjë ju them me ndershmëri dhe bindje:
Lëreni të vdesë…

1986

Katërvargësh
(nga vëllimi “Pelegrini i vonuar”, 1993)

Të sotmen mund ta shajmë mirë
Në emër të së nesërmes,
Ndërkaq të kemi pak mëshirë
Për shpirtin e së djeshmes…

Në të sotmen
(nga vëllimi “Lypësi i kohës”, 1995)

Me sa duket nuk bëj për të sotmen,
Në të sotmen unë pakëz kam vend;
Në çdo gjë e shoh lodhjen dhe ftohjen
Dhe çdo gjë më mërzit e më çmend.
……………………………………

1994

Në luftë
(nga vëllimi “Lypësi i kohës”, 1995)

Unë s’jam nga ata që ikin nga lufta,
Kur marrin në trup një gërvishtje,
As nga ata që heshtin të futur në tuta,
Kur i pështyjnë me tallje e skërmitje.

Unë jam gjithmonë mes luftës mizore
Dhe them: sikur dhe luftë mos ketë,
Për dhembjen e madhe njerëzore
Do ndizja luftë me retë.

1994

Sikur s’jetoj në vendin tim
(nga vëllimi “Fletorka e mesnatës”, 1998)

Më ndodh sikur s’jetoj në vendin tim,
Po në një vend të huaj dhe të largët,
Në një qytet me buba dhe me minj
Mes mureve të rrjepur dhe të lagët.

Çuditem pse kështu më duket shpesh,
Kur s’ka njeri shtëpia, kur jam vetëm,
Kur shiu në dimër flluska ngre në shesh
Dhe mua flluska-flluska ma bën jetën.

Më ngjan sikur dhe strehët derdhin helm,
Helmohemi çdo çast me njëri-tjetrin…
S’e di nga vjen ky helm e s’kam ç’të them,
Veç shoh se rrobat tona helm na rrjedhin.

Ky vend më duket do helmohet krejt
Nga helmi rrjedhur vrimash në themelet,
Pastaj do tundet toka në tërmet
Dhe Djalli i madh do qeshë e do zgërdheshet.

I huaj jam në vendin tim mjerisht
Dhe kur rreth meje ka me dhjetra njerëz.
Kjo më lëndon dhe shpirtin ma gërvisht,
Më bën të qaj si nxënës prapa derës.

15 dhjetor 1996

Lotët e nënës
(nga vëllimi “Fletorka e mesnatës”, 1998)

Nga një breg në bregun tjetër,
Nga një Jug e një Veri,
Qan e lodhur nënë e vjetër,
Nënë e thinjur Shqipëri.

Lotët fshin me mëngë e dorë,
Tek një rrap, tek një lajthi,
Më pret mua çast e orë:
“Më sill, biro, një shami!”…

13 janar 1998

Poema e njeriut të zemëruar
(nga vëllimi “Fletorka e mesnatës”, 1998)

………..
Rinia ime,
Mundohen të tjerët
Që unë dalngadalë të harrohem,
Të dal nga kujtesa e njerëzve
Ditë e për ditë,
Që vargjet e mia gatuar në vite
Të treten e të ftohen
Në rafte arkivash të fshehta
Ndërtuar nga shokët e miqtë,
Nga shokët e miqtë e dikurshëm.

Tinëzakë e të zgjuar,
Të hipur tani në shkallë e në tel pehlivani
Mundohen – mundohen
Me zemër e shpirt të përvëluar,
Që shpejt të mbulohem me pluhur
Ashtu si këllëf jatagani.