Botë

Zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar: Vazhdojmë ta mbështesim BE-në për dialogun. Është e drejtë e Kosovës të aplikojë reciprocitetin…

Në një deklaratë për median Gabriel Escobar, i dërguari i DASH për Ballkanin Perëndimor, në një konferencë për mediat u shpreh se palët do të bashkëpunojnë më shumë për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës shqiptare dhe Serbisë.

Escobar e ka quajtur sukses të madh arritjen e marrëveshjes së sotme në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.

“Është një sukses i rëndësishëm arritja e sotme e marrëveshjes në Bruksel. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja po ndihmon në gjetjen e zgjidhjes për të dyja vendet. Dua të falënderoj emisarin Miroslav Lajçak dhe ekipin e tij për punën e madhe që kanë bërë sot”, ka thënë Escobar.

Në pyetjen e drejtuar nga Telegrafi se a do të ketë përfshirje më të madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, dhe cili do të jetë roli i tij në këtë proces, zëvendësndihmës sekretari amerikan ka thënë se SHBA-ja do të vazhdojë të jetë e pranishme në këtë proces.

“Dialogu është i udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe do të vazhdoj të jetë kështu. Roli jonë ka qenë dhe do të jetë i pranishëm në këtë proces…”, u shpreh zëvendës sekretari amerikan Escobar.

Ai më tej është pyetur edhe nëse SHBA-ja ka qenë e njoftuar paraprakisht për vendosjen e masës së reciprocitetit për targa. Escobar ka theksuar se është e drejtë e Kosovës të aplikojë reciprocitetin.

“Është e drejtë e Kosovës të aplikojë reciprocitetin. Jam i lumtur që kemi arritur marrëveshje për shtensionim të situatës”, tha Escobar. Ai ishte sot e dje në Bruksel, ku Kosova e Serbia diskutuan për çështjen e targave.

Ndryshe sot në Bruksel u arrit marrëveshja, e cila do të hyjë në fuqi plotësisht me 4 tetor, kur pronarët e veturave me targa të Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të ndërrojnë targat me të përkohshme, por t’i mbulojnë simbolet shtetërore me një letër ngjitëse.

“Ne do të punojmë me dy palët dhe me partnerët evropianë. Do të ketë progres të jashtëzakonshme në vazhdim. Dialogu është i udhëhequr nga BE dhe do të vazhdojë të jetë i tillë, duke qenë se kemi të bëjmë me një vend evropian. Ne ke mi partnership të gjatë e Kosovën dhe Serbinë”, tha Escobar.

Escobar, i pyetur për deklaratat se DASH kishte deklaruar se Kosova kishte cenuar sigurinë në veri pas vendimit për reciprocitetin e targave u shpreh se nuk do të komentojë mbi komunikime diplomatike.

“Zgjidhja përfundimtare varet nga vullneti i palëve. Di të them se ekipi i drejtuar nga Lajçak po përgatit propozime të mira. Por duhet të them se gjithçka varet nga vullneti i palëve”, tha Escobar.