TIRANË, 15 shtator…
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do t’i ofrojë ndihmë Kosovës sa i takon reformës së Fiskalizimit.
Në Tiranë nisi sot trajnimi tre ditor që administrata tatimore shqiptare do të zhvillojë me homologët nga Kosova.
Përfaqësuesit e administratës tatimore të Kosovës u pritën nga zv.drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Klajd Shuka.
Sipas DPT-së, ky trajnim do të konsistojë në bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojës së administratës tatimore shqiptare në zbatimin e procesit të Fiskalizimit, reformë që në vendin tonë ka nisur zbatimin ligjor që prej 1 janarit të këtij viti.
Gjatë fjalës së tij, zv.drejtori Shuka bëri një prezantim të shkurtër të ecurisë së reformës së Fiskalizimit, mënyrën e funksionimit, ndërveprimet me palët e interesit, problematikat e hasura në fillim, si dhe qëndrimet e administratës tatimore.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e administratës tatimore të Kosovës vlerësuan raportet dhe gatishmërinë për zhvillimin e trajnimeve të përbashkëta rreth kësaj reforme, në të cilat Administrata Tatimore e Kosovës është në hapat e para.
Në Shqipërinë politike, më 1 janar 2021 filloi lëshimi i faturave elektronike kundrejt enteve publike, por edhe kundrejt subjekteve private, pavarësisht se Ligji parashikonte periudhë transitore.
Më 1 korrik hyri në fuqi Fiskalizimi i të gjitha transaksioneve pa para në dorë, ndërmjet tatimpaguesve, pra biznes me biznes.
Më 1 shtator 2021 nisi faza e tretë e Fiskalizimit. Në këtë fazë transaksionet me para në dorë biznes-konsumator duhet të jenë të fiskalizuara.
Nga 1 janari deri më 1 shtator sipas të dhënave nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë janë fiskalizuar 23.345 tatimpagues, teksa janë lëshuar 21.946.945 fatura në total, prej të cilave 20.641.767 janë fatura me para në dorë dhe 1.305.178 fatura pa para në dorë.
Për sa i përket certifikatës elektronike, sipas MFE-së deri në fund të muajit gusht, janë në total 64.536 aplikime, nga të cilat janë lëshuar 53.492 dhe 11.044 janë në trajnim.
Certifikata Elektronike është një nga elementet e nevojshëm për të kryer procesin e Fiskalizimit. Për t’u pajisur me të, tatimpaguesit duhet të aplikojnë përmes portalit e-Albania duke zgjedhur shërbimin “Aplikim për Certifikatën Elektronike”.