Vështrim/Analizë

Viktor Malaj: A udhëhiqej nga idealet? 75 vjetori i Kryengritjes së Postribes dhe rrufjanët si kategoria e tretë (dhe më e madhja) e “anti-komunistëve” të Shqipërisë

“As komunizëm, as anti-komunizëm”/ Fatos Nano

Me gjithë konsideratën e pakët që kam për ish-kryeministrin Fatos Nano, më duhet të them se thënia e tij e sipërcituar mbetet nga të paktat mendime të vlefshme të shprehur nga politikanët tanë zhurmëshumë e punëpakë të këtij çerekshekulli.

E konsideroj mendim të vlefshëm pasi kjo periudhë na ka provuar se antikomunizmi pa komunizëm, jo vetëm është lojë dhe dyfytyrësi (hipokrizi), por ka prodhuar dhe prodhon tension, ndasi dhe përdoret si perde prapa së cilës fshihen shumë nga paudhësitë e sotme.

Antikomunizmi i 1990 ishte i pritshëm, i arsyeshëm dhe i nevojshëm, por ky i sotmi është kundërhistorik, i dëmshëm dhe çoroditës. Pa përfshirë tufën jo të vogël të injorantëve të cilët mund të jenë çfarëdo sepse nuk janë asgjë, antikomunistët e sotëm mund të ndahen në tri kategori.

E para, përmbledh të gjithë individët që vetë apo familjarët e tyre e patën pësuar, me ose pa të drejtë, nga regjimi komunist. Deri në njëfarë mase qëndrimet e tyre mbeten të përligjura, megjithëse sjelljet që demonstrojnë disa prej tyre nuk shprehin dinjitet dhe as sjellin mbrothësi për ta, sepse është e dëmshme ta jetosh gjithë jetën me pasione.

Në kategorinë e dytë bëjnë pjesë një numër fare i vogël individësh të cilët janë bartës të një mendimi dhe filozofie që bie ndesh me ideologjinë dhe, sidomos, me praktikën komuniste.

Kategorinë e tretë, që është më e madhja, e përbëjnë rrufjanët politikë dhe gjithfarë horrash, të cilët e kanë përdorur antikomunizmin një çerek shekulli si mjet për të arritur pozita politike dhe ekonomike, kryesisht nëpërmjet krimeve dhe tërësisht kundër interesave të popullit shqiptar.

Duke vërejtur sjelljet dhe qëndrimet e antikomunistëve të kategorisë së tretë nuk është e vështirë të pikasësh të përbashkëtat e tyre, si: mungesa e ideve; mungesa e çdo ideali; mohimi i çdo gjëje të së kaluarës; mashtrimet pa fund rreth të shkuarës, por edhe të së sotmes; paaftësia për të administruar dhe lemeria e kaosit qeverisës; ankandi i sistemit të drejtësisë dhe degradimi moral me ndikim të fortë mbi mbarë shoqërinë; zhurmë pa fund dhe punë pa perspektivë shoqërore apo kombëtare; agresivitet ndaj cilitdo bashkatdhetar që i bëhet pengesë të arrijë përmbushjen e interesave të tij, të familjes dhe klanit të tij dhe njëkohësisht lajkatarë servilë e të nënshtruar ndaj përfaqësuesve të shteteve të huajve, të gatshëm të sakrifikojnë interesat shoqërore dhe kombëtare në shkëmbim të përkrahjes së të huajve për të sunduar.

Të anatemosh, me të drejtë, regjimin komunist për zhvillimin e luftës së klasave dhe, nga ana tjetër, të ngrihesh sot, pas 75 viteve, të përkujtosh një ngjarje, një konflikt civil, siç ishte Kryengritja e Postribës, do të thotë se ke ndërruar kostumin por jo mentalitetin.

Megjithëse kryengritja e Postribës dhe revoltat studentore të 1990 nuk mund të krahasohen në asgjë, më duhet të them se e përbashkëta e tyre është se asnjëra nuk udhëhiqej nga idealet. Idealet janë vlera shumë të larta për t’ua ngarkuar në shpinë individëve që frymëzohen, inatosen (qoftë dhe me të drejtë) dhe reagojnë për motive krejtësisht personale.

Kryengritja e Postribës, me pak fjalë, ka qenë produkt i manipulimit që i bënë popullit, të dërrmuar nga skamja, analfabetizmi dhe mentaliteti mesjetar, disa kriminelë të Luftës së Dytë Botërore, të cilët, të vetëdijshëm për krimet e kryera ndaj popullit, besuan, me mendjen e tyre të vogël, se do të përmbysnin një regjim mbarëkombëtar me një kryengritje lokale.

Këtë të vërtetë e ilustron shumë mirë rasti i një fshatari të mashtruar i cili, pasi ishte fshehur në shpellë dhe forcat qeveritare i bënë thirrje të dorëzohej sepse “E ke gabim!”, u përgjigj: “E di se e kam gabim por i kam dhënë fjalën Dreqit dhe me Dreqin dua të vdes”.

Hakërrimet e opozitës së djathtë sa herë shohin ndonjë fotografi të E.Hoxhës nëpër përvjetorë të Luftës Nacionalçlirimtare dhe etiketimet për të si “armiku më i madh i shqiptarëve” etj., e deri tek pohimet e pavërteta të ish-puthadorësit të tij, sharlatanit plak Sali Berisha se “Ai (Hoxha – V.M ) vendosi në fshatin shqiptar sistemin e tmerrshëm të skllavërisë së vërtetë në të cilin vdiqën nga uria kronike, sëmundjet shoqëruese të saj qindra mijëra burra, gra, fëmijë e të moshuar…”, janë dëshmi e qartë e dyfytyrësisë, kalbëzimit moral dhe shterpësisë politike të kategorisë së tretë të antikomunistëve tanë.

Vetëm injorantët dhe maskarenjtë besojnë dhe përpiqen të gjejnë shpëtim e të fitojnë lavdi tek mallkimi i përditshëm i të vdekurve. Kur, me vepra, nuk mund të tregojnë epërsi qeverisëse, shtetformuese, popullshërbyese dhe atdhembrojtëse, atëherë vërsulen me të gjitha llojet e armëve duke zbrazur batare mashtrimesh, fyerjesh e kërcënimesh ndaj kujtdo që guxon të thotë të vërtetën, sepse e kuptojnë se e vërteta është aq e rëndë sa do t’i kërruste e shtypte si tanku barin e thatë.

Figura të diskredituara kombëtare, individë që shumica e popullit shqiptar i konsideron kriminelë, bëjnë çmos që vlerësimet e tyre për të djeshmen dhe të sotmen, të nxitura nga interesa personale, t’i shesin si gjykime popullore. Bëjnë sikur flasin në emër të parimeve, drejtësisë, demokracisë etj. dhe, nga ana tjetër, kanë qenë vazhdimisht avokatë dhe bashkëfajtorë në shumë krime të pushteteve politikë prej të cilëve kanë nxjerrë fitime pafund.

Zemërimin “antikomunist” nuk ua shkaktojnë as parimet, as idealet, as morali, pasi iu mungojnë të gjitha. Zemra e tyre rreh për pushtet dhe fitime personale dhe jo për të mirën e popullit e të atdheut.

Kur shikon dhe dëgjon që zotërinj si Daut Gumeni, që ka bërë 22 vjet burg politik, dhe dhjetëra burra të tjerë fisnikë që e kanë kaluar kalvarin e burgimit, nuk ua ka dëgjuar kush zërin qaraman dhe, nga ana tjetër, shikon dhe dëgjon që nuk lodhen së hungërituri prej 25 vjetësh Sali Berishën, i cili ka qenë vullnetarisht anëtar pasionant i PPSH për 22 vjet, dhe një tufë paloqesh me pamje prej buratini, të cilët viti 1990 i gjeti familjarisht me një duzinë teserash të asaj partie dhe pseudonime të shërbimeve sekrete; kur dëgjon e shikon të gjithë këta palaço të vjen të thuash: Këta duhet të ketë pasur në mendje Mark Twain kur thoshte: “Sa më shumë njoh njerëzit, aq më shumë dua qenin tim”.

Nëse antikomunizmi i Berishës dhe bandës që e rrethon shfaqet në formë banditeske, dyfaqësie dhe përçarëse, antikomunizmi i demonstruar nga kryeministri aktual, Edi Rama, paraqitet kllounesk dhe aspak i vlefshëm. Përpjekjet e bëra prej tij për t’ia shitur popullit shqiptar tunelet e mbrojtjes në rast lufte apo “shtëpinë me gjethe” si diçka monstruoze dhe të paparë gjetkë, janë antihistorike edhe qesharake. Pavarësisht teprimeve, tunele të mbrojtjes kundërajrore apo bërthamore gjenden në të gjitha vendet perëndimore. Shtëpi të përgjimeve inteligjente, me apo pa gjethe, ka në gjithë botën perëndimore. Nuk e di a e ka marrë vesh kryeministri se shërbimet inteligjente perëndimore, edhe sot, përgjojnë, jo vetëm shtetasit e vet, por edhe udhëheqësit e vendeve aleate perëndimore deri edhe Papën e Romës.

Sjelljet dhe veprat e qeverisjeve duhen gjykuar në raport me rrethanat e kohës dhe jo me dëshirat ekzibicioniste të mëvonshme. Tunelet dhe bunkerët e Shqipërisë ndërtoheshin kur sulmohej e pushtohej Vietnami, Hungaria, Çekosllovakia etj. dhe madje, në tryezat politiko-ushtarake diskutohej edhe përdorimi i armëve bërthamore si opsion ushtarak.

Ne, me të drejtë, kemi stigmatizuar ndërtimin e kloneve me tela në disa zona kufitare, por sot po shohim se edhe vende si SHBA kanë ndërtuar mure dhe gardhe mijëra kilometër të gjatë me vendet fqinjë apo të tjera gardhe po ndërtohen sot nga vendet e Evropës Perëndimore. Ndërtimi i një bunkeri-simbol në qendër të Tiranës sot tregon se rrëmbimet emocionale djaloshare të vitit 1990 flenë ende brenda kryeministrit aktual.

Kur shoh demonstrimet e kota antikomuniste të Ramës dhe Bashës, i përfytyroj të dy të zhveshur cullak, si dy Don Kishotë, të hipur mbi kuajt gërdallë, që vringëllijnë shpatat e marrëzisë në një livadh kundër një grumbulli mizash që iu ngjajnë me batalione ushtarake komuniste.

90% e popullit shqiptar nuk ka qenë as i persekutuar dhe as i privilegjuar, prandaj preokupimi kryesor është e sotmja dhe e ardhmja e fëmijëve tanë. Ne nuk duam të na mbrojnë nga e kaluara e arshivuar por nga e sotmja e bastarduar dhe shkaktarët e këtij bastardimi. Ne nuk kemi frikë nga ujqërit e ngordhur por nga çakejtë e gjallë që po na shqyejnë sistematikisht, përditë.

Balsami antikomunist nuk na i pakëson dhimbjet dhe as na e shton respektin për përdoruesit e balsamit. Shterpësia politike e këtyre viteve nuk mund të mbulohet me propagandë antikomuniste. Fatmirësisht, por edhe fatkeqësisht, krahasuar me rrethanat dhe mundësitë, regjimi komunist i solli shumicës së shqiptarëve shumë më tepër shërbime arsimore, kulturore, mjekësore dhe civilizuese sesa Berisha, Rama dhe Basha së bashku.

A doni të mos kujtohet kush për regjimin e para 1990? Sigurojini popullit shqiptar punë, rend, drejtësi dhe shërbime mjekësore e sociale të domosdoshme, pa korrupsion dhe pa dallime të bazuara në renditjen pronësore e politike dhe atëherë nuk do të keni nevojë të shpenzoni për propagandën antikomuniste.

Pse jo më komunizëm?

Së pari, sepse për të arritur disa synime dhe qëllime humane, të moralshme dhe të dobishme, regjimi përdori mjete dhe metoda të gabuara, të dëmshme, të papranueshme dhe kriminale. Së dyti, sepse ekonomia kolektive nuk siguroi dhe as mund të sigurojë ritme dhe rendiment prodhimi e zhvillimi sa ekonomia e bazuar në pronën dhe iniciativën private, për aq kohë sa ndërgjegjja e njerëzimit është larg nivelit që kërkon trajtimi i pronës kolektive.

Pse jo më antikomunizëm, si ky që na ka mbirë në sy e në vesh?

Së pari, sepse nuk ekziston kurrfarë mundësie që ai sistem të kthehet. Ai nuk ishte një fenomen thjesht shqiptar, por Shqipëria ishte pjesë e një procesi mbarëbotëror. Edhe sikur tre milion shqiptarë të përpiqen sot ta rivendosin do ta kishin të pamundur. Sistemet politiko-shoqërore vijnë dhe shkojnë në kushte dhe rrethana të caktuara kombëtare e ndërkombëtare dhe jo kur do t’i teket dikujt.

Së dyti, sepse një pjesë e madhe e klasës së sotme politike e ka përdorur dhe po e përdor antikomunizmin si mjet për të tërhequr vëmendjen nga dështimet e saj dhe si maskë për të fshehur qëndrimet dhe veprimet që mban e kryen në dëm të popullit dhe të atdheut.

Së treti, sepse antikomunizmi pa komunizëm nuk drejtohet kundër sistemit, por kundër individëve. Madje, kundër pjesës më të pastër të administratës partiake dhe qeverisëse të së kaluarës, kundër qindra mijëra individëve të cilët, me ideale, devotshmëri dhe patriotizëm sakrifikuan gjithë jetën ose një pjesë të madhe të jetës së tyre duke i shërbyer popullit shqiptar në zonat më të vështira, pa pasur kurrfarë përfitimesh materiale të veçanta.

Kjo shumësi e pamatë njerëzish atdhetarë ka një çerek shekulli që përgojohet, përçmohet, tallet, diferencohet dhe madje persekutohet. Dhe, nga kush? Nga një tufë horrash dhe gangsterësh të paskrupuj, hajna të klasit të parë, mashtrues të nivelit më të lartë, kontrabandistë dhe atdheshitës, specialistë të korrupsionit dhe bartës të të gjitha veseve dhe interpretues të lloj-lloj perversiteteve.