Tetova u përball një natë më parë me vdekjen e 14 pacientëve në spitalin COVID pas shpërthimit të zjarrit rreth orës 21:02.
Mbi 30 zjarrfikës me 7 makina kanë luftuar me flakët dhe kanë bërë të mundur shuarjen e tyre për gjysmë ore.
Sipas Prokurorisë Themelore Publike të Maqedonisë së Veriut, deri më tani janë konfirmuar 14 viktima, ndërsa thuhet se në mesin e tyre nuk ka nga stafi mjekësor.
Nderkohe 12 persona janë nxjerrë të gjallë nga spitali i djegur.
Mediat maqedonase shkruajnë se personat e mbijetuar janë jashtë rrezikut për jetën dhe janë çuar për shërim në disa spitale të tjera deri në Shkup.
Prokuroria thotë se për kryerjen e hetimeve në lidhje me rastin tragjik në Tetovë janë angazhuar pesë prokurorë.
“Në bashkëpunim me pjesëtarët e Ministrisë për Punë të Brendshme, inspektimi filloi menjëherë. Prokurorët kanë lëshuar urdhra autopsie dhe kanë identifikuar trupat e 14 personave të vdekur në zjarr, dhe po shqyrtojnë nëse ka të vdekur të tjerë. Disa nga të vdekurit do të kenë nevojë për analiza të ADN-së për të përcaktuar identitetin e tyre. Sipas informacioneve fillestare, nuk ka personel mjekësor në mesin e të vdekurve. Deri në orët e para të mëngjesit, prokurorët morën në pyetje stafin në spitalin modular për të përcaktuar shkakun e zjarrit. Në të njëjtën kohë, u dha urdhër për të siguruar pamje të video-mbikëqyrjes brenda dhe përreth objektit. Inspektimi do të vazhdojë edhe sot, dhe prokurorët publik, së bashku me ekspertët e MPB-së, do të japin provat për zbardhjen e plotë të ngjarjes tragjike”, -thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Qeveria maqedonase ka lajmëruar se do të mbajë seancë të jashtëzakonshme pas tragjedisë së një nate më parë.
o.j/dita