TIRANË, 25 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “mbyllet me një notë pozitive puna e një mandati tejet të vështirë ku tërmeti më parë dhe pandemia më pas diktuan një forcë të pashembullt ndryshimi të prioriteteve tona qeverisëse”.
Në fjalën përmbyllëse të mandatit të dytë qeverisës Rama tha se “jam krenar që ia dolëm me përkushtim, profesionalizëm pjesës më të vështirë të këtyre dy sfidave ekstreme që shfaqen në rrugë e një qeverie një herë në 100 vjet”.
“Kjo është mbledhja e parë në këtë sallë qysh nga fillimi i pandemisë. Të gjithëve ju por edhe të tjerët që kontribuan në këtë tryezë prej shtatorit të 2017 dëshiroj t’iu drejtoj drejtpërdrejt disa fjalë edhe në sytë e opinionit publik. Ende nuk ka mbaruar pandemia, nuk ka përfunduar ende as rindërtimi, por qoftë me pandeminë dhe pasojat e tërmetit kemi marrë tani një avantazh të konsiderueshëm. Përtej çdo konsiderate të aktualitetit, lëvdatave apo kritikave në drejtimin tonë sesi i kemi menaxhuar këto dy kriza krejt të jashtëzakonshme kjo do të jetë një nga gjurmët e pashlyeshme të kësaj qeverie në historinë aspak të lehtë qeverisëse të këtyre 30 viteve”, – nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “garantimi i vaksinimit masiv dhe një fushatë e gjatë profesionale, cilësore vaksinimi ka bërë që edhe goditja e cila po marr trajtën e valës së tretë përmes variantit Delta të koronavirusit të jetë përgjithësisht e moderuar.
Fatkeqësisht kemi ende fatalitete edhe sot që flasim, disa jetë janë në rrezik serioz në pavionin e terapisë intensive të Qendrës Spitalore Univeristare “Nënë Tereza””.
Por, vijoi Rama, ato janë edhe një mësim domethënës fare konkretë për të gjithë për rëndësinë jetike të vaksinimit.
“Askush prej atyre që sot marrin frymë të asistuar nga aspiratorët nuk është i vaksinuar. Ndërkohë që disa të vaksinuar ndër rreth 80 personat e shtruar në spital nuk shfaqin shenja të rëndimit të gjendjes që imponojnë intubimin”, – tha Rama.
“Për skeptikët e vaksinës Sinovac, të cilët kërkojnë medeomos vaksinën Pfizer mbase vlen edhe e dhëna se në grupin e të vaksinuarve në spital ndahen pothuajse gjysmë për gjysmë të vaksinuarit me Pfizer dhe me Sinovac”, shtoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “shfrytëzoj rastin t’iu bëj apel atyre që nuk e kanë bërë vaksinën të mos humbasin kohë dhe të mos rrinë në pritje duke rrezikuar infektimin pa pasur imunitetin e garantuar nga vaksina me mendimin e gabuar se Pfizer bën dhe Sinovac nuk bën, por të përfitojnë një orë e më parë nga mundësia e vaksinimit”.
Sipas Kryeministrit, vaksina nuk i mbron të gjithë nga infektimi, por ama është e qartë si drita e diellit që ajo përqindje krejt e vogël të vaksinuarish që preken prej virusit të egër ka imunitetin e nevojshëm për ta kaluar sëmundjen pa kërcënim fatal të jetës.
“Teoritë e konspiracionit botëror dhe frika nga vaksina e lënë organizmin e njeriut të paarmatosur si duhet përballë këtij virusi vdekjeprurës të cilin do ta kemi ende nëpër këmbë edhe këtë dimër. Numrat po rriten dhe nëse sot jemi goxha më të mbrojtur se shumë të tjerë në rajon apo edhe gjetkë, kjo ka vetëm një arsye, numri i lartë i të vaksinuarve në Shqipëri. Vaksinën duhet ta bëjnë patjetër edhe ata që e kanë kaluar COVID, sepse të gjitha këshillat e studimet e shkencës thonë se nuk ka një imunitet natyral afatgjatë ndaj këtij virusi vrastar”, – tha Rama.
Kreu i qeverisë duke falënderuar ministren Manastirliu u shpreh se “prej afro 18 muajve të stërvështirë e mishëroi me dinjitet të lartë qytetar, politik dhe profesional qëllimin themelor të kësaj qeverie për të qenë një qeveri e punëve jo vetëm e fjalëve dhe në fushat më të vështira. Një qeverie që përpiqet me gjithçka mundet të jetë e njerëzve, me njerëzit dhe për njerëzit”.
“Puna e pandalur edhe në mandatin e dytë pavarësisht pandemisë, njehsimin e infrastrukturës së shëndetësisë në tërësi e ka bërë të dallueshme si dita me natën gjendjen e kësaj infrastrukture krahasuar me ditën tonë të parë në detyrën shtatorin e 8 viteve më parë kur shëndetësia ishte ferri për të gjithë”, – tha Rama.
Kryeministri vijoi duke theksuar se ekonomia është lehtësuar nga presioni i jashtëzakonshëm i virusit dhe Shqipëria po mbyll një sezon turistik të hapur për të gjithë duke u konfirmuar edhe një herë si destinacion me potencial të madh për dekadën ku kemi hyrë.
“Fatkeqësisht pandemia dhe hallet e mëdha që erdhën me të dhe tërmetin bashkë nuk na dhanë mundësinë të investojmë aq sa do të donim në fuqizimin e ofertës tonë turistike.
Prandaj mbetet për më tej që ta bëjmë këtë, duke mbajtur mire shënim dhe çka nuk arritëm të bëjmë sa dhe si duhet për mangësitë tona ende të konsiderueshme në aspektin cilësor të sezonit turistik si p.sh në plagën e hapur dhe në disa raste kutërbuese të plehrave dhe të papastërtisë në zonat turistike, ku duhet ndërruar qasja e duhet përqendruar energji dhe forca shumë më të mëdha”, tha Rama.
“Pa harruar administrimin e plazheve që këtë sezon la shumë për të dëshiruar. Po të kthejmë kokën mbrapa nuk ka asnjë krahasim të mundshëm në këtë fushë jo me 8 po as me 4 vjet më parë dhe për këtë mjafton të shikosh ndryshimin rrënjësor të interesit edhe të tonit të mediave prestigjioze ndërkombëtare për Shqipërinë turistike”, theksoi Rama.
“Ashtu siç nuk ka fare diskutim se krahasuar me 8 vjet më parë kur ishte një vend i mbytur nga plehrat dhe papastërtitë ngado ktheje kokën, Shqipëria sot është shumë më ndryshe falë punë së madhe qe kemi bërë në këtë drejtim. Për t’u bërë kampionët e padiskutueshëm e Ballkanit në turizëm në fund të kësaj dekade duhet një shumëfishim domethënës i luftës për mbrojtjen e mjedisit”, tha Rama.
/k.s/