Vështrim/Analizë

Blerim Muriçi: Koncert në fund të marrëzisë

Sot, kur gjërat po lëvizin në shumë drejtime, sikur na kanë përfshirë në një vorbullë kaotike. Të gjithë po rendin ta thonë fjalën më shumë se mendimin!

Përse thuhet fjala kaq kuturu, kaq sipërfaqësisht, kaq mizorisht?!

Kjo fjalë e hedhur, kështu pa kriter e pa mend, nuk po vret tjerë veç nesh, nuk po vonon kë tjetër veç nesh, nuk po shpërfaq kë tjetër, sikur nuk duhet, veç nesh!

Pra, ne po paguajmë e do paguajmë, sikur kemi paguar gjithmonë, sikur na kanë harruar kohët e zhvillimet në të shkuarën e aq mundësive. Edhe sot, ne po sillemi sikur tjerët duan, sikur grykësia armiqësore e fqinjëve ia ka nevojën të ngopet, sikur nuk kemi qëllim e sillemi në vorbullën e pa adresës, mbetur në mesin e rrugës së madhe, thua se jemi zhbërë e nuk dimë të bëhemi!

Përse ky koncert marrëzie, përse kjo dalldisje injorance, përse ky vërshim zhurme e kjo dëshirë për të mos qenë?!!!

Sot, ia kemi dalë të kemi dy shtete, të kemi një të tretë fatet e të cilit i kemi në dorë vet. Dhe ja, pikërisht tani kur duhet të mbahemi fort për të vetmin trung, Kombin, dhe ta harmonizojmë të tashmen për qëllimet e së ardhmes të tjerët ia dalin të na verbojnë me injorancën tonë, me llumin tonë, dhe na e ndërtojnë zhurmën tonë, çoroditjen tonë.

Injoranca bastardon çdo kriter. Ajo ndërton mendësinë e turmës prej së cilës pjellë të keqen, pengesat e ecjes, braktisjen e orientimit, humbjen e rrugës.

Pse jemi kaq keq sot?

Një popull, të cilit i heshtë dija, strukur tamam qyqarë, dhe i flet injoranca nuk ka se si të rritet në kopshtin e popujve që çajnë historinë me zhvillim e prosperim. Popujt si ne bjerren, vegjetojnë deri në atë masë sa e vënë në pikëpyetje dhe vet qenësinë.

Ne kemi patur fat dhe u kemi mbijetuar fateve që zhbënë nga grekërit e lashtë e deri shumë popuj që sot nuk janë gjë tjetër veçse ose harresë ose shprehje hipotezash shkencore. Dhe këtë e kemi dhuratë të racionaleve që ky popull ka nxjerrë sa herë kohët janë bërë skajshmërisht të liga nëpër histiori.

Ne nuk kemi ditur që kohëve tona të mira, ku na kanë nxjerrur racionalet tona, ta ndërtojmë qëndrueshëm të nesërmen, nuk kemi ditur të ecim krah tjerëve pa na hequr zvarrë përveç se në dy kohë tepër të shkurtëra, nën hijen e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe të Enver Hoxhës. Kjo e fundit po mbahet akoma, por e kemi dërrmuar në fatin e një ngrehine që mezi po kap kafshatën dhe është larg të qenit, ashtu Zonjë, sikur Rilindasit na e portretizuan për mbamendjen e gjithë brezave që do vinë nën këtë qiell hapësire shqiptare.

Shqipërinë politike, të cilën ne e quajmë agollçe, andej Drini, sot jan zgjuar dhe e shajnë gjithë llumi i mendësisë Pashiste. E keqja nuk do të ishte shenjë sikur me ta të mos ishte bashkuar kori i korbave tonë, injoraca mbytëse. Ata po e bëjnë dekor sot, e nëse vazhdon do ta bëjnë normë sjelljeje nesër. Këtë ka kërkuar Beogradi gjithmonë dhe jo vetëm ai. Armiqtë nuk e duan Shqipërinë e bërë, ndaj kanë ndërsyer lukuninë tonë, turmat.

Po kush janë brenda nesh borizanët e kësaj zhurme?

Kjo lukuni vie mga tri bashkime sot. Të parët janë “Salltanetxhinjtë”, të cilët ua kanë nevojën injorantëve për figurën që duan të bëjnë para pasqyrave që ta reflektojnë madhërishëm egon e tyre. Ani pse të turpit, ato pasqyra janë e mbesin. Mjafton këta të duken në skenë dhe s’kanë dert pse hanë turpin me bukë.

Të dytë vijnë nga politika që do të duhej të radhiteshin të parët, sepse janë adresa ku mëtojnë të parët.

Fati personal e familjar i pengmarrësit të Shqipërisë andej Drinit, Sali Berishës, po përdorë çkado e shumë fort për t’ia dalur që ta destabilizoj Shqipërinë ku pe sheh mbijetesën dhe pse jo, e sheh ëndërr shpëtimin, tashmë kur po vie ora e përballjes me pasojat e krimit që ai ka urdhëruar në këto 30 vite dhe pse jo edhe të atyre para, kur u ngrit si emër në shoqëri, duke i shërbyer konjukturës së ish kapjes si dëshmitar i rrejshëm. Gjithë jetët që ka nxirë Berisha, sot i janë mbledhur dhe është koha të paguaj. Përpëlitjet janë të fundit, por shqelmat janë të mëdhenj.

Një dorë e dytë edhe pse e fshehtë është politika zyrtare e Kosovës, e cila duke mos njohur peshën e të drejtuarit nuk ia ka dalur akoma të lirohet nga mendësia adoleshente e të kuptuarit të peshës për kombin dhe historinë që mban një qeverisje. Ajo në delitantizmin e saj nxitë jargaxhinjtë për zyret e parealizuara të shtetit, të cilët në përpjekjen e tyre krijojnë klimën ku piqet e digjet injoranca  pasi t’i ketë cfilitur masat me energjitë populiste.

I treti është terreni i marrëzisë, ku loz injoranca edhe për fajin e heshtjes mbytëse të traditës së elitës sonë të mendjes, atij shtresimi mjeran që gjithmonë dështoi i mbytur në heshtje turpëruese. As gëk as mëk kjo klasa jonë e kinse intelektualëve bërë akademikë edhe me mosha krejt të njoma e plakur mykut të turpit.

Koncerti në fundin e marrëzisë shqiptare ka mbetur vetëm edhe ta hapë siparin e dhimbjes evgjite shpërndarë e mbetur me zyra pune, me punëdhënës nga çoroditja e deri tek të huajt armiq, por pa atdhe, sepse atdheu u takon shqiptarëve që e duan Shqipërinë edhe më shumë se jetën e tyre për ta lënë çerdhe të ngrohtë e të dashur për brezat, fëmijët tanë.