Lëvizja\UÇK

Mehmet Bislimi: Në 11 – vjetorin e shqiptarit, atdhetarit dhe veprimtarit e luftëtarit të dalluar Sabit Veseli

SABIT  VESELI
(1958 – 2010, me rastin e përvjetorit)

Këtu e njëmbëdhjetë vite më parë, vdekja tinëzisht të vodhi, ishte goditje e rëndë për ne, ajo mori nga radha e kolonës së madhe të idealistëve edhe një ushtar Lirie… Me këto copëza shkrimi për ty, Sabit, nuk dua që të rëndoj edhe më, të dashurit tuaj, përkundrazi e ndiej si borxh që në emrin tim, në emër të shokëve të idealit, në emër të atdhedashësve të të kujtojmë.

Sabiti, që i ri ishte i përkushtuar për të njerëzishmen, për të natyrshmen, për të domosdoshmen siç ishte liria e atdheut. Ai ishte i qetë, i urtë dhe fisnik, fliste rrallë, nuk i pëlqenin fjalët e tepërta, adhuronte punën konkrete, aksionet dhe veprimet në shërbim të atdheut, dhe për këto ai nuk të falte. Ai nuk i duronte dot njerëzit e papërgjegjshëm që paraqiteshin me pompozitet, prandaj herë-herë edhe tregonte ashpërsinë e formës së tij të veprimit, ani pse kishte një shpirt shumë të butë e njerëzor. E veçanta e tij ishte energjia për jetën, ai nuk nënshtrohej kurrë para sfidave të shumta, pavarësisht nga ngjyrat e tyre, që natyra na i kishte vënë si sprovë në rrugët tona. Ai nuk u luhat as atëherë kur u arrestua, as në hetuesi, as në burg gjatë vuajtjes së dënimit, as kur mori lajmin e hidhur për rënien e vëllait të tij Bahriut në gjirin e tokës mëmë…

Sabiti si ri, do të gjendej në ballë të demonstratave të viti 1981 në Mitrovicë, njëri ndër organizatorët kryesorë të tyre në qytetin e minatorëve. Pastaj do të pasojnë burgosjet, hetuesitë, torturat, qëndresat heroike të shokëve të idealit, ngritjet dhe përgatitje për rrugë dhe shtigje të gjata që po na prisnin. Ai kurrë nuk fliste në vetën e parë, ai kurrë nuk thoshte unë, ai gjithmonë thoshte- shokët! Ky ishte njëri ndër virtytet e tij që atë e bënte të respektueshëm. Ai gjatë rrugës së kësaj jete kaq të shkurtër, kishte pasur fatin që të takonte dhe të bashkëvepronte me shumë shokë liridashës, të cilët edhe nuk janë më në mesin tonë, si Afrim Zhitiu, Fadil Vata, Fahri Fazliu e dhjetëra liridashës tjerë.

… Dhe erdhi një kohë kur Sabiti me shumë shokë u shtrënguan, që me trastën e halleve të atdheut mbi supe, të merrnin rrugët e arratisjes, rrugët e mërgimit në sy. Ata morën këto rrugë me zemër të plasur, duke kaluar meridianëve të botës për t’i dalë atdheut në ndihmë në mbështetje morale, materiale dhe fizike. Sabiti me shokë, rreshtuar në organizatën e Lëvizjes Popullore të Kosovës, bënë shumë, dhanë të pamundshmen në shërbim të çlirimit të atdheut. Për të gjithë ata që patën dhe që kanë dashurinë për atdheun në gji, pa dyshim se do të prehen të qetë dhe krenar, në mesin e tyre edhe Sabiti.

Emra të shumtë njëjës, që Sabiti ka vepruar me ta, nuk po i përmendi për dy arsye:

Një; nga frika se do harrojë ndonjërin, i cili është meritor për kontributin e tij në shërbim të atdheut, dhe nëse do harroja ndonjërin – me këtë rast do lëndoja Sabitin!…

Dy; nga frika se do fusja ndonjëri, i cili me bëmat e tij, është pa meritor për t’u përmendur, dhe nëse do përmendja pa meritorët – me këtë, prapë do ta lëndoja Sabitin!…

Ishin një grusht idealis dhe të persekutuar nga ish-sistemi jugosllav dhe shërbëtorët e tij. Të sharë, të fyer, të lëçitur e të izoluar me varfërinë dhe trishtimin e linçimit mbi kurriz, pa strehë e katandi… Këta idealistë, këta burra të dheut, që as sot e kësaj dite kurrë nuk u qanë për asgjë, që Kosovës në qafë nuk i ranë kurrë, që atdheun kurrë nuk e vodhën, nuk e përçmuan, nuk e zhgënjyen, nuk e mashtruan, që emrin e shqiptarisë e ngritën e lartësuan, ishin dhe mbetën një grusht i patundur, vetëm një grusht!… Sabit, ti ike, mbrapa ka mbetur emri yt…, para së cilit, kurrë nuk do të turpërohet as familja, as shokët e vërtetë, as atdheu, kjo ishte pasuria jote e pavdekshme, kjo ishte vepra jote para së cilës, ne, përkulemi me respekt.
… Dhe vjen një ditë, kur ata ikin në amshim, dhe ne vetëm atëherë kujtohemi!
… Dhe vjen një ditë, kur ne duhet të themi me shumë dhembje, por edhe me shumë krenari, për Ju, që ju patëm, fjalën e zemrës nga thellësia  e shpirtit – jo për gjithsecilin!

I lehtë dheu i tokës mëmë!