Vështrim/Analizë

Xhevat Gjini: Nuk e kanë me personin që quhet Edi Rama

Një tërbim i paparë! Një fushatë e tërbuar kundër shtetit tonë AMË! Lukuni e orkestruar në mënyrën më perfekte! Të gjithë me emër e mbiemër! Midis tyre edhe shqiptarë të mirë!! Madje, edhe shqiptarë me kontribute për çlirimin e Kosovës dhe ribashkimin e Shqipërisë, Atdheut tonë të përbashkët! U bënë bashkë jugokosovarë e disa shqiptarë në një fushatë të paparë kundër shtetit tonë AMË!! E pabesueshme! Nuk po dihet vetëm dirigjenti i orkestrës!? Mund të hamendësojmë!…

Historia po përsëritet! Apo ndoshta nuk kishte ndryshuar asnjëherë në këtë pikë?! Të gjithë ata, që hanin në një pjatë me pushtuesit e tokave tona dhe shfarosësit e një pjese të madhe të popullit tonë mbanin flamurin e propagandës e të fushatës kundër Enver Hoxhës… Që nga oda e fshatit e deri te ajo që rastësisht apo poshtërsisht quhej “Akademi e Shkencës dhe e arteve”, që nga organizata themelore e LKJ – së e deri te Komiteti krahinor, që nga kopshti i fëmijëve e deri te universiteti dhe, që nga gazeta e shkollës e deri te “Rilindja” e RTP -ja ishin akomoduar “shqiptarët e specializuar” për propagandë e fushatë kundër Enver Hoxhës, shtetit tone AMË… Njësoj, në mos më keq, ishte edhe në viset e trojet shqiptare nën Maqedoni, Mal të Zi, Greqi… Dirigjent i kësaj propagande të pistë antishqiptare ishte Beogradi, që e dinte mirë se nuk mund të bëhej propagandë kundër vet shtetit shqiptar, sepse nuk do të honepsej nga populli i pushtuar shqiptar… E gjithë propaganda përqëndrohej kundër Enver Hoxhës, i cili, sipas asaj propagande të orkestruar e dirigjuar nga Beogradi, por të përhapur me gojën e kolaboracionistëve shqipfolës, e “kishte shitur Kosovën”, e “kishte tradhtuar Kosovën”, etj. Kjo “këngë” është dëgjuar deri vonë! Dëgjohet edhe sot aty – këtu, kur u duhet të godasin krahun atdhetar e çlirimtar të Lëvizjes Kombëtare! Ajo u bë edhe më e « besueshme », kur propagandën e Beogradit nisën ta bënin edhe më me forcë, pas vitit 1990, esadistët dhe kolaboracionistët e nazifashizmit në Tiranë (në unison me kolaboracionistët titistë të Prishtinës!!
Në këtë pikë shoqëria shqiptare nuk ka bër para! Ka dy -tri vite që propaganda kundër shtetit tonë AMË është intensifikuar, gjoja kundër Edi Ramës, që nuk është dikush që sorollatet rrugëve të Tiranës, duke kërkuar një punë, por është Kryeministër i Republikës së Shqipërisë sonë! Këto ditë kjo propagandë e pashembulltë kundër shtetit tonë AMË (nuk e kanë me personin e Edi Ramës) është kthyer në histeri e me thirrje si ajo: “NO PASARAN”! Sepse, sipas kësaj lakunie gebelsiane, “Edi Rama qenka bashkuar me Vuçiçin (Serbinë) dhe po angazhohet për krijimin e një Jugosllavie të re me në krye Serbinë”!? Sepse, Edi Rama qenka bër me Serbinë kundër Kosovës, për ta zhbër shtetin e Kosovës (“Republikën e tretë”), e broçkulla të ngjashme!!??
Dhe kush e thotë e kush e propagandonë këtë?! Janë përgjithësisht këta ose pjella e atyre që i kanë duartrokitur një jetë të tërë Jugoserbisë dhe diktatorit e satrapit më të egër, Titos! Janë këta që i kanë duartrokitur dhe i kanë “sponzorizuar” koncesionet e vazhdueshme që klasa politike e shtetërore e Prishtinës i ka bërë Serbisë! Janë këta që i kanë duartrokitur dhe që ishin bërë krah i fortë i “decentralizimit” në Kosovë: krijimit të komunave “serbe”, të zonave të mbrojtura “serbe”, të kishave ortodokse “serbe”, ndarjen e Mitrovicës shqiptare, etj., etj… Janë këta që i duartrokitën dhe i mbështetën fortë bisedimet e Brukselit (rihapjen e Pakos së Ahtisarit dhe të çështjes së Kosovës!! Janë këta që i duartrokitën barazimit të pakicës dhe gjuhës serbe (5%) me popullin shqiptar dhe gjuhën shqipe në Kosovë (95%)!! Janë këta që i duartrokitën dhe i dhanë mbështetje të pakursyer FUSNOTËS që, pas opinionit të GJND – së, e bënte pavarësinë e Kosovës dhe sovranitetin e saj të diskutueshëm!! Janë këta që e bënë rrush e kumbulla pasurinë e Kosovës, duke e përvetësuar, trafikuar e kontrabanduar bashkë me ndërkombëtarët e me Serbinë!! Janë këta që e bënë Serbinë ortake në shtetin e Kosovës dhe Kosovën nga çështje shqiptare e kthyen në çështje serbo – “kosovare”!! Janë këta që Kosovën tonë shqiptare e shndërruan në treg të prodhimeve dhe mallrave serbe!! Janë këta që i falën tokë Malit të Zi me votën – dorën e tyre!! Janë këta që Kosovën shqiptare e mbollën me xhami e minare turko – arabe për t’i dhënë imazhin e një vendi “islamik” në botë!! Pra, janë këta tregtarë të flamujve që falen në faltoret e atyre që kishin kryer krimet dhe gjenocidin ndaj shqiptarëve, ndaj kulturës e gjuhës dhe ndaj Shqipërisë sonë! Janë këta që e zbrazën Kosovën nga shqiptarët!! Më shumë shqiptarë kanë ikur pas lufte se para lufte nga Kosova!! Janë këta që e rikthyen Serbinë në Kosovë (hap pas hapi!) pas largimit të plotë!… Janë këta që, për fitimet e tyre të pista e të kriminalizuara, duan ta mbajnë Kosovën shqiptare sa më afër Serbisë pushtuese e sa më larg shtetit të saj AMË!! Etj., etj… Janë këta që i duartrokitnin ndjekjet dhe dënimet e luftëtarëve të UÇK – së dhe në fund edhe themelimin e Gjykatës speciale për dënimin e Luftës Çlirimtare të një populli të pushtuar e të copëtuar në pesë shtete!! Janë këta që ndërrojnë vetëm patronin dhe kostumin partiak, por kurrë ideologjinë dhe konceptin e tyre vasalist – kolaboracionistë e autonomist!! Kostumin e fundit, sipas “modës” e kanë të LVV – së dhe janë bërë më të zëshëm e më VV (madje në krye të saj!) se ata që ishin për vetëvendosje e për bashkimin e kombit!!
Pra, janë edhe këta që po pëlqejnë të ecin rrugës së paraardhësve të tyre!! Mirëpo, pritjet e njerëzve (shumicës shqiptare) ishin tjera. Shqiptarët nuk kishin votuar konfrontimin me shtetin tonë AMË. Prandaj, duhet fajsuar Edi Rama që “s’po na lë të ndahemi nga Serbia”!!?? Edhe kur i krijohen lehtësira të reja Serbisë dhe prodhimeve të saj, duke i hequr taksat, fajin e ka Edi Rama, alias shteti ynë AMË!? Edhe kur qeveria dhe partia devijon “krejt e drejt” nga koncepti dhe programi i saj e bëhet më LDK se LDK -ja, duke i vënë në krye militantët e LDK – së (më rugovistë se Rugova!) dhe duke tundur flamurin e LDK -së kundër shtetit tonë, fajin e ka Edi Rama (Tirana)!! Fajin e ka Edi Rama që s’po lejon t’i fitojmë zgjedhjet në Republikën e Shqipërisë dhe ta bashkojmë shtetin tonë AMË me Kosovën e ta bëjmë Kosovë e kosovarishte anenbanë!! Ky ishte synim i kahershëm i Jugoserbisë: bashkimi i shtetit tonë AMË me Kosovën e pushtuar (sot gjysmë të pavarur nga Serbia)!!
Si përfundim, propaganda dhe fushata primitive që ka shpërthyer kundër Kryeministrit shqiptar ka për qëllim të fundit krijimin e një hendeku midis shtetit tonë AMë dhe pjesës së tij të natyrshme, Kosovës shqiptare, të cilën e duan të deshqiptarizuar, e duan plaçkë të tyre, qoftë edhe me Serbinë brenda, por jo me shtetin tone AMË!!?? Një vëlla i një Heroi tonë, vite më parë shkruante gjatë te “Bota Sot” për “sherrin që ia ka pa gjithmonë Kosova Shqipërisë” dhe nxirrte përfundimin që më pati rrëqethur kur e pata lexuar: “Shqipëria, shkruante ky dai, ka qenë gjithmonë pushkë e ngrehur kundër Kosovës”!! Deri këtu kishte shkuar mendja dhe gjaku i prishur i një shqiptari dhe i një gazete!! Po t’i lexosh rrjetet sociale dhe komentet e shkrimet që publikohen (kuptohet pas reagimeve të “parisë” idhulltare!) bindesh se propaganda dhe fushata që po bëhet ka këtë qëllim: Të krijohet opinioni se shteti ynë AMË ka qenë dhe është “pushkë e ngrehur kundër Kosovës së tij”!!?? Kujt i duhet kjo propagandë kaq antishqiptarer dhe kaq e egër?! Kush janë këta, që njëzet vite (të paktën pas Luftës) nuk i thanë njëherë Serbisë “No pasaran” e po i thonë shtetit tonë AMË?!! Kjo fushatë e kjo propagandë gebelsiane mund t’i duhet e t’i hyj në punë të gjithë armiqve e kundërshtarëve të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës nga Serbia, kundërshtarëve dhe armiqve të zgjidhjes së drejtë të çështjes shqiptare (ribashkimit të Shqipërisë), por jo kombit shqiptar e shqiptarëve.
Arsyetimet e tilla se “Edi Rama nuk është Shqipëria”, nëse nuk janë naive janë perfide, sepse propaganda dhe fushata po bëhet tërësisht kundër Kryeministrit dhe Qeverisë së shtetit tonë AMË e jo kundër personit që quhet Edi Rama!! Në elaboratet e saj Serbia e thoshte që, me shqiptarët e kemi lehtë dhe mund t’i dëbojmë pa fijen e problemit, sepse ne jemi popull i organizuar në shtet, me qeveri e me forca të armatosura, kurse shqiptarët janë pa organizim shtetëror, pa qeveri e pa forca të armatosura të regullta… Me një fjalë janë në anarki e jetojnë në bajraqe e fise!! Këtë do të donin edhe sot: një shtet shqiptar pa qeveri, pa stabilitet politik e ekonomik, pa ushtri dhe në anarki e kaos të plotë, ku qeni të zotin nuk e njeh!!?? Me Kosovën do ta kishin lehtë pastaj… Për këtë edhe investuan gati 30 vite… dhe askush nuk mund të thotë që nuk kishin sukses! Sapo nisi pakëz të funksiononte shteti këto vite, u bënë bashkë të gjithë për ta goditur “autoritarizmin”, dmth stabilitetin politik dhe ekonomik të shtetit AMË!!?? Sepse askush nuk e di më mirë se Beogradi dhe aleatët e tij ku duhet goditur!!…
Ka të tillë që nuk i kanë njohurit elementare për shtetin, për funksionet e shtetit, për marrëdhëniet midis shteteve, për gjeopolitikën e rajonit e të botës dhe japin me “kompetencë” prej eksperti mendim e gjykim për politikat shtetërore të Tiranës, etj.!! Janë edhe disa që e luajnë Akoma kartën e sentimentalizmit e të “atdhetarizmit”, duke ia kujtuar Kosovës viktimat, të zhdukurit, terrorin e gjenocidin serb që, sipas tyre, Tirana nuk i di e nuk i ka përjetuar!!?? Por harrojnë këta tregtarë të patriotizmit se janë pikërisht shqiptarët e Kosovës (pjesa kolaboracioniste dhe autonomiste), madje edhe disa “patriotë” që këput janë duke shkuar e duke ardhur në Serbi për t’i gjetur kumbarët e tyre serbë e për t’ua blerë tokat, banesat e pronat tjera… Të tjerët bëjnë biznes natën e ditën me Serbinë e me serbët dhe nuk u shkon mendja që Serbia kishte kryer krime e gjenocid ndaj popullit të tyre!! Dhe këta nuk janë shqiptarët e Tiranës, por të Prishtinës e të Kosovës… Prandaj, Kosova (klasa e saj politike) ka nevojë urgjente të lidhet si mishi me thoin me shtetin e saj AMË (edhe të gjitha trojet tona shqiptare ende të pushtuara) dhe të jenë gjithmonë bashkë, si i thonë fjalës: në dasmë e në vdekje bashkë! Hisja më e madhe në këtë punë e mision të përhershëm i takon Tiranës, që është qendra dhe boshti i botës shqiptare. Kombi shqiptar s’ka pse i frikësohet sot Serbisë. Klasa politike e shtetërore nuk zgjidhet që të qëndrojë duarkryq e të vajtojë, por që të jetë aktive dhe në ofenzivë për shtyrjen përpara të pozitës dhe të interesave të vendit. Qeveria dhe diplomacia e një vendi nuk zgjidhen që të bëjnë “politikë” partiake në rrjetetet sociale! Qeveria shqiptare, pra edhe Kryeministri, mund të ketë një thes me gabime e faje, por nuk i takon qeveritarëve e politikanëve të Prishtinës që këto gabime e faje t’i bëjnë çështje të rrjeteve sociale për të bër fushatë e propagandë gebelsiane!! Dhe kush se? Këta që kanë një vagon me gabime e faje të tyre ! Ndoshta ka ardhur në shprehje ajo maksima: “T’i them sa s’më ka thënë”!
E thashë edhe në krye të këtij shkrimi që nuk jam fare i befasuar nga ata që fushatën dhe propagandën kundër shtetit tonë AMË e kanë zejen e tyre më të dashur e më profitabile… Ndjej keqardhje dhe habitem pak me këta që pa vetëdije po bëhen viktima të kësaj fushate dhe propaganda të egër dhe me qëllime thellësishtë antishqiptare. Serbia nuk mposhtet dhe nuk konkurrohet duke vajtuar e duke sulmuar njëri – tjetrin deri në këtë shkallë!! Serbia nuk do të kërkoj falje kurrëm nëse dikujt kaq shumë po i duhet kërkimfalja e saj, pse ne vajtojmë, çirremi e nxjerrim sytë tanë! Serbia mund të ulet e të frenohet vetëm kur do të mësoj që shqiptarët janë të bashkuar e të organizuar, frymojnë e merren vesh si një trup i vetëm dhe drejtohen nga një qendër e vetme. Popujt që kanë një qendër drejtuese dhe një bosht rreth të cilit sillen kanë të gjitha premisat që të organizohen dhe të jenë fuqi me ndikim në rajon e më gjerë. Ky bosht, për fatin e kombit e të Shqipërisë së copëtuar , është shteti ynë AMË me qendër mbarëkombëtare, Tiranën. Kush synon dhe angazhohet për qendra tjera sigurisht që shpie ujë në mullirin e armiqve të shqiptarizmës dhe të Shqipërisë… Do të doja fort që unë të jem i gabuari në këtë çështje që po përdoret paturpësisht për të futur pyka midis shqiptarëve për qëllime antishqiptare…
223
People Reached
8
Engagements
Distribution S