Lëvizja\UÇK

Ilmi S. Qazimi: Pse i nderojmë veteranët e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare

Me rastin e Ditës së Veteranit

Siç  dihet nga  shumica, dhe që nuk duhet të harrohet kurrë nga të gjithë, veteranët janë luftëtarë e veprimtarë të vjetër në moshë e në emër, me përvojë e merita për mbrojtjen dhe përparimin e atdheut; pjesëmarrës në luftërat e popullit për liri;posaçërisht pjesëmarrës në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare. Në këtë përkufizim hyjnë gjithashtu  të gjithë veprimtarë të dalluar e të vjetër të ushtrisë popullore si dhe veprimtarë të shquar e të vjetër të sektorëve të tjerë të mbrojtjes dhe punës ndërtimtare  në Shqipëri. Tërë popujt e  rruzullit kanë veteranët e tyre, sepse luftërat për çlirim e pavarësi  kurrë nuk kanë pushuar  e nuk kanë për t’u harruar. Dhe kudo e kurdoherë respektohen, vlerësohen, admirohen, duke mësuar nga idealet dhe vepra e tyre. Veteranët  tek ne, në Shqipëri, janë një grupim shoqëror që përbëhet nga ata  të cilët  i dhanë   atdheut pjesë me muaj e vite nga jeta e tyre, ashtu si dëshmorët i dhuruan jetën  në lulen e rinisë.

Vërtet që në kohën e tyre teknologjia  dhe niveli arsimor ishte më i ulët se sot, por atdhedashuria dhe  ndershmëria ishin më të lartat që kemi parë ndonjëherë  në historinë tonë shumëshekullore. Atyre u dhimbset më shumë se kujtdo tjetër atdheu. Ata rrëqethen më tepër se cilido tjetër kur dëgjojnë ngjarje të hidhura si këto që po ndodhin këto vite tek ne, të iniciuara nga grupe politike të pakontrolluara keqdashëse. Është pikërisht ajo shtresë që edhe kur të na mungojë plotësisht nga ana fizike  do të jetë kurdoherë e pranishme në çdo periudhë të zhvillimit shoqëror,sepse idealet për të cilat ata luftuan nuk shuhen kurrë,mbasi i shpien më tej pasardhësit e tyre të panumërt. Aktualisht, kur kanë kaluar mbi treçerek shekulli nga mbarimi i luftës  me armë kundër pushtuesve nazistë, fashistë e kolaboracionistë,  që na solli çlirimin, veteranë të gjallë fizikisht kemi rreth një mijë vetë. Por është fakt se jehona e veprës, mendjes dhe  idealit të tyre janë përvetësuar e përjetohen nga mijëra e mijëra të rinj pasardhës të tyre. Prandaj them se është një shtresë shoqërore me jetëgjatësi shumë më të madhe nga sa e mendojnë ca dritëshkurtër, madje edhe  individë qeveritarë. Veç gjenit, traditës, etjes për liri e drejtësi të  popullit tonë, këtë situatë  frymëzuese e ka sjellë edhe puna e gjithanshme dhe  cilësisht e organizuar e veteranëve.

***

Veteranët kanë  organizatën e tyre kombëtare të krijuar  me vendim përkatës  të shtetit  realisht demokratik popullor shqiptar më  20.07.1957. Ajo është një strukturë e ngritur  afër 65 vjet më parë me tërë  pjesët e saj përbërëse nga qendra në bazë dhe sot nuk ka fshat apo qytet pa organizatë veteranësh, sepse nuk  gjen në Shqipëri asnjë fshat apo qytet pa veteranë. Kjo organizatë ka organin e vet mediatik “Kushtrim Brezash”, i cili,për hir të së vërtetës,aktualisht,  është  gazeta me 7400 abonime , më shumë se  tërë mediat e tjera të përditshme apo periodike. Ashtu si për shumë aspekte të tjera të jetës shoqërore dhe ekonomike që kanë nga një ditë  përkujtimore festive,  edhe për veteranët  data 20 korrik është caktuar  si DITA E VETERANIT TË LANÇ. Ishte mbledhja e Kuvendit Popullor  të datës  17.11.1994 që përcaktoi me ligj  këtë ditë përkujtimore. Askush nuk duhet të qëndrojë indiferent ndaj kësaj shtrese shoqërore, e ca më pak të shpërfillë apo baltosë atë,por të mësojë prej anëtarëve të saj dhe t’i respektojë më së lartmi ata. Është në kulturën e çdo kombi dhe detyrë e institucioneve të tij,që të nderojë pandërprerje e me gjithë respektin e kërkuar ashtu si dëshmorët edhe veteranët të ndjekur nga pasardhësit e tyre.

Veteranët  e luftës së fundit  të armatosur  asaj Antifashiste Nacional Çlirimtare, janë duke u pakësuar por ata që vijnë pas tyre si pasardhës janë të shumtë, ndërkohë që veteranët e punës janë gjithpoaq të pranishëm, sepse “vetëm puna e mban njeriun”- thonë ata.

Në këtë ditë  festive me respekt  falënderojmë pak prej veteranëve më  të përkushtuar e  të veçantë si Odise Porodini, Ballëm Mete, Shpresa Sako,etj. Po ashtu kujtojmë  me respekt e nderim të thellë qindra e qindra veteranë të atdheut tonë, jo vetëm aktivistë të shquar, por edhe disa në organet drejtuese të kësaj organizate thellësisht atdhetare  siç ishin Rustem Peçi, Qamil Poda, Ziqiri Mero, Njazi Braçe, Petro Bicolli, Sulejman Pira, Arqile Veshi, Llazi Bimo, Xhevat Lluri,etj. etj. Ata, në tërë vendin  janë të shumtë e lavdipotë. Sot le të ndalemi vetëm në   ecurinë e veteranëve të një qëndre banimi të lashtë, Çepani historik i Skraparit, i cili i dha luftës për çlirim,  si krahinë, 57 dëshmorë.

 

Historia e veteranëve të një fshati

Pasardhësit e veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të fshatit historik të  Çepanit, ndihen krenarë që janë vazhdues të traditës,lavdisë dhe mësimeve që kanë lënë paraardhësit  e tyre. Vendlindja ime ka jo pak veteranë, por ndër ta,kësaj radhe, do të veçoja ata ushtarakë, të cilët, pas viteve të tyre partizane  të luftës e vazhduan  jetën në ushtri,në forcat e mbrojtjes e  në strukturat e ndryshme të ministrisë së punëve të brendshme, disa për 2-12 vite e shumica deri në fund të jetës aktive të tyre. Ata punuan me përkushtim të spikatur ashtu siç luftuan me trimëri të rrallë. Të shpërndarë nëpër  cepet e atdheut, atje ku u caktuan të punojnë si ushtarakë,vetëm me punë të ndershme e të ndërgjegjshme, arritën në grada,nga kapter,kapiten deri kolonel, e detyra të larta nga nënoficer deri drejtor në Ministri.

Ata ishin: Abedin L.Abazi, Bahri H. Gogo,që punuan në policinë e shtetit në Patos e Shkodër; Barjam H. Basho, nënoficer në disa njësi të këmbësorisë në Burrel e Durrës e Xhafer L. Abazi nënoficer në Patos; Ilmi A. Osmani, sekretar i komitetit partisë së degës së punëve brendshme të rrethit të Elbasanit;  Izet N. Basho, në forcat e mbrojtjes në Krumë e  Sherif  V. Abazi në Mirditë për ta mbyllur në Kuçovë; Qemal H. Bego oficer i mbrojtjes  në  Shkodër e Vlorë e më pas në terren. Nazim Xh.Osmani, kuadër i lartë në hetuesi në Përmet dhe në ministrinë e punëve të brendshme; Njazi M. Çepani, komandant i Brigadës së 10 Sulmuese në LANÇ, drejtor i parë i ndërlidhjes së ushtrisë shqiptare dhe sekretar i komitetit të veteranëve të Tiranës për  një periudhë  18 vjeçare. Rakip Q. Laço oficer i lartë i brigadës së xhenjos; Riza L. Gogo, Xhafer S. Qazimi kuadro me gradë të lartë në forcat e mbrojtjes së kufirit shtetëror në Sarandë e Gjirokastër; Selim H. Gogo, arriti në detyrën e shefit të xhenjos së korpusit të Korçës; Skënder A. Bego, oficer i lartë i forcave detare në Pashaliman dhe komandant i forcave vullnetare të Skraparit; Sulo D. Osmani,shef i zyrës së shifrës në ministrinë e punëve të brendshme në Tiranë; Vaip L.Gogo komandant regjimenti  në  Fier e  Xheladin I. Basho në Shkodër. Yzedin B.Basho oficer ndjekje në Burrel e më pas në terren.Vendlindjen e kujtonin të gjithë, por atje dhanë ndihmesën e tyre  të veçantë si veteranë Yzedini, Izeti , Qemali, Vaipi, Xhaferi e Skënderi.

E veçanta për t’u nënvizuar,rreth këtyre veteranëve, prej të cilëve jetojnë vetëm Qemal H.Bego  dhe Nazif Sh.Osmani,që iu urojmë jetë sa më  të gjatë, është e mbetet kontributi i tyre i pakursyer në organizatën e veteranëve të LANÇ në ato qytete e fshatra ku i shpuri detyra ndaj atdheut  e ku i zuri mosha e daljes në pension, siç e shohim thuajse në tërë Shqipërinë. Ata ishin veteranë që lanë gjurmë të pashlyera trimërie, atdhetarie e ndershmërie që do iu shërbejnë  vazhdimisht fëmijëve të tyre dhe brezave  të rinj të atdheut.Edhe sot, ndërsa shokut Nazif  i është vështirësuar lëvizja, shoku Qemal,96 vjeç, aktivizohet në detyrën  e zgjedhur si kryekëshilltar pranë Komitetit Kombëtar të Veteranëve.

Vetëm fshati im i lindjes, me 43 shtëpi në vitin 1944, numëron 69 veteranë nga të cilët 9 kanë qenë shoqe, vajza  gra. Tani fshati ka një organizatë të vogël vetëm me pasardhës veteranësh të denjë për të kaluarën e veteranëve të vendlindjes.  Po mbarë fshatrat e tërë vendit, sa kanë? A e ndjeni se sa e madhe është fuqia e  fjalës dhe veprës së kësaj force shoqërore edukuese dhe transformuese në themel të atdhetarisë dhe shqiptarisë?

 

Shembull frymëzues i punës me  veteranët në  një zonë të kryeqytetit

Në Tiranë janë  më të shumtat mundësi për një jetë të gjallë të veteranëve. Një nga këta pasardhës i ditëve të sotme është aktivist i thjeshtë por  shquhet  në kryeqytet. Ai punon me përkushtim, vullnetarisht, pa e ‘ngacmuar ‘ kush, por vetëm se e ndjen që  idealet e asaj lufte,dhe traditat atdhetare shqiptare, nuk duhet të harrohen por të njihen më thellë. Atë e gjen në shumë vende: në një takim zonal, në një aktivitet përkujtimor, në një bisedë ku punon për të bindur të rinj që të anëtarësohen në organizatë, etj. Është e vetmja organizatë  veteranësh në Tiranë që ka realizuar 71%  abonime  në gazetën “Kushtrim Brezash” dhe  revistën “Pavdekësia” e marrin disa prej anëtarëve të saj.

Ai merr dhe lexon i pari në lagje gazetën,por ajo çka shumë rëndësi është se ka organizuar me përpikmëri  shpërndarjen në kohë të saj për të gjithë anëtarët. Aktivizon anëtarët e kryesisë dhe kryetarët e organizatave dhe koordinatorët e lagjeve. Kontrollon dhe ndjek për ditë me takim drejtpërdrejt apo me telefon, detyrat e caktuara. Ai bashkëvepron me  njësinë administrative  dhe vetë kryetarja e njësisë, znj. Alketa Çobo  është e pranishme në çdo takim e mbledhje pune, ku dëgjon sugjerimet, vërejtjet dhe mendimet e veteranëve e pasardhësve. Për dy muaj kjo organizatë ka pranuar 16 anëtarë të rinj dhe vijon punën për shtimin e radhëve. Ai synon që gjatë periudhës së zgjedhjeve,në nder të Ditës së Veteranit të shtojë edhe me tej arritjet. Nuk i ngatërron ai aspak  punët partiake me ato të veteranëve.’Veteranët dhe pasardhësit e tyre janë  një  armatë njerëzish  me ideale të shenjta që mbrojnë traditat atdhetare e revolucionare e jo pragmatiste,’ -shprehet ai. Me dinamizëm drejton edhe shoqatën atdhetare kulturore “Treva e Krahësit” që ka shtrirje  jo vetëm në 18 fshatrat e saj por edhe në 11 degë në disa rrethe. Ai nuk i veçon por i njeh si të njëjta, idealet që mbron si organizata kombëtare e dëshmorëve të Atdheut edhe ajo e veteranëve, ndaj vazhdimisht ai bashkëvepron me atë. ” Duke punuar së bashku, do të mund të  orientohemi drejt se ku duhet të shkojmë”- kjo është një nga motivet e punës së shokut tonë të nderuar e të respektuar Pelivan Hysi, i cili është nga një familje dëshmori dhe veterani dhe  kryen detyrën e kryetarit të komitetit të organizatës së veteranëve të Zonës nr.7 në Tiranë.

Për kremtimin dinjitoz të kësaj dite përkujtimore,Komiteti Kombëtar ka dhënë orientimet përkatëse. Ka shumë e shumë për të bërë, që nga takimet, bisedat, zbukurimet tradicionale  të mjediseve përkatëse,koncertet, spektaklet, e deri tek punë të thjeshtë për mirëmbajtjen e  simboleve të Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare. Veteranë të mirëfilltë tashmë nuk kemi shumë, por pasardhës veteranësh kemi me mijëra. Kjo është një fitore në realizimin e objektivave e  për  sigurimin e vazhdimësisë  së jetës së kësaj  organizate.