Vështrim/Analizë

Blerim Latifi: Idealistët janë specie e rrallë

Kështu ka qenë gjithmonë: kur je në opozitë s’ke çka bën tjetër përveçse me dalë në popull, me ndejt me popullin, nëpër çajtore, oda, me shku në varrime e në dasma, e kur i shpeshton këto ndeja, gradualisht, njerëzit e popullit nisin me mendu se përnjëmend je duke u shqetësu për hallet e tyre dhe kontoja e votave fillon me u mbushë pak nga pak. Natyrisht, kjo varet shumë nga aftësia për t’u dukur si njeri vërtet i brengosur për këto halle. Makiaveli e thotë qartë dhe saktë: “është e rëndësishme si dukesh, e jo siç je në fakt, sepse populli gjykon në bazë të asaj që sheh”.
Ndërkaq, atyre që janë në pushtet, u duhet të distancohen pak nga populli dhe, siç do të thoshte Demaçi, “të shkojnë poshtë e përpjetë, andej-këndej nëpër konferenca, takime e vizita ndërkombëtare, se ashtu e lypin punët e shtetit”. Për ta thënë troç dhe pa doreza: kjo është një nga arsyet e forta pse njerëzit në këtë vend të izoluar e pa ekonomi, bëjnë turr e shtyhen me thonj e bryla për t’u kapur pas pushtetit. Ndërsa, ato që rëndom i quajmë “interesi publik”, “interesi i qytetarëve”, “interesi i popullit” janë thjesht fraza që shërbejnë për t’i maskuar interesat dhe qëllimet egoiste. Natyrisht kjo tablo e zymtë nuk e përjashton faktin se ka njerëz që përnjëmend angazhohen për interesat publike, por shumicën e përbëjnë ata që saktësisht e bëjnë të kundërtën. Dikush njëherë ka thënë: “idealistët e vërtetë janë specie e rrallë, tepër e rrallë, ndërsa zuzarët e maskuar si idealistë e popullojnë gjithë planetin”!