Portreti/intervista

Dhimitër Shtembari: Prof. Selman Sheme zë i fuqishëm i Çamërisë martire

Para disa viteve Selman Sheme së toku me bashkëshorten dhe fëmijët e tyre shkuan në fshatin Spatar të Filatit të Çamërisë.

– Ja, ky është trualli mbi të cilin kanë lëvizur stërgjyshërit tanë, – u tha fëmijëve.

I kishte afruar te disa gërmadha, si gjurmë të hershme të shtëpisë së gjyshit të vet, Xhevizit, dhe kishte vazhduar:

– Vini veshin mbi to dhe kam besim se do t’ju bëhet sikur dëgjoni zërin e të parëve tanë, vrarë e shfarosur në këto troje…

Dhe teksa na tregon këto, Selmani përlotet.

Me siguri i vijnë ndërmend tërë ata njerëz të këtij fshati, Spatar, masakruar nga grekët si të ishin bagëti (157 vetëm gjatë një dite!), mes të cilëve edhe shumë nga gjaku i vet!

Po cili është Selman Sheme?

Është djali i tretë i Hysein Shemes, (i këtij atdhetari të përzënë me dhunë prej vendlindjes se vet, fshatit Spatar të Çamërisë), lindur më 24 shtator të vitit 1945 në Lushnje.

Shtatëvjeçaren dhe të mesmen Selmani i mbaroi shkëlqyer në vendlindje, ndërsa studimet e larta gjatë viteve 1964 – 1968 për histori i kreu në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Edhe këtu, me rezultate maksimale. Menjëherë emërohet pedagog në Institutin e Lartë Pedagogjik (sot Universitetin “Luigj Gurakuqi”) të Shkodrës.

Njohurive të fituara në Tiranë do t’i shtonte edhe dije të tjera. Në vitin 1992 do të ndiqte një kurs kualifikimi për makro e mikro ekonomi, organizuar nga Universiteti i Nebraskës në Amerikë.

Dy vite më pas do të kryente një tjetër kurs kualifikimi pranë Universitetit të Bolonjës. Në po këtë vit, 1993, do të përfitonte shumë nga një kurs kualifikimi, në kuadër të programit “Tempus”, organizuar nga Universiteti i Triestes në Itali.

Pedagog i përmasave të larta intelektuale

Gjatë viteve 1969 – 1997, pra, për rreth 27 vjet, djaloshi çam, Selman Sheme, do të ishte pedagog në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës. Mbas 1997 – s vjen me banim dhe me punë në kryeqytet: do të jepte leksione në Universitetin Shtetëror të Tiranës.

Ndërkohë, për tetë vjet do të ishte pedagog i jashtëm në Departamentin e Gjeografisë në Universitetin e Tetovës të Maqedonisë së Veriut. Për disa vite ka dhënë leksione si pedagog i jashtëm edhe në Universitetin Bujqësor të Kamzës.

Zotërues i frëngjishtes, italishtes e rusishtes, Selman Sheme do t’i ngjiste gradualisht shkallët e karrierës shkencore. Në vitin 1997 do të shpallej Kandidat i Shkencave Gjeografike. Në vitin 1993 do të mbronte gradën Doktor i Shkencave, në vitin 1995 do të titullohej Profesor i asociuar, ndërsa në vitin 2010: Profesor.

I pasionuar mbas punës, prodhimtar shkencor  

Prof. Selman Shemen e njohin si pedagog me rendiment të lartë shkencor. Tashmë ai është autor i disa monografive me vlera të larta shkencore. Në vitin 1991 do të botonte “Dinamika, struktura dhe lokacioni i industrisë në Shqipëri”. Shtatë vjet më pas do të botonte monografinë tjetër me titull “Kelmendi, vështrim gjeografik e turistik”.

Ca më pas, Prof. Seman Shemen do ta thërriste zëri i të parëve. Nisi e vazhdoi të botonte disa monografi shkencore kushtuar Çamërisë: “Çamëria – vendi, popullsia dhe jeta ekonomike”.  Më pas e në vazhdim: “Monumente natyrore dhe kulturore të Çamërisë” dhe “Gjeohapsira e Konispolit” (studim regjional).

Me shumë interes u pritën në mjedisin shkencor edhe dy monografitë e tjera; ajo “Epiri i jugut – Çamëria” dhe  “Çamëria – vështrim gjeopopullativ dhe etnokulturor”.

Para dy vitesh Prof. Selman Sheme botoi një monografi shumë të rëndësishme në llojin e vet me titull “Parqet kombëtare të Shqipërisë”.

Autor tekstesh të shumta për Universitetin dhe shkollat e mesme.

Të shumta janë tekstet e përgatitura nga Prof. Selman Sheme për studentët dhe për nxënësit e shkollave të mesme. Që në vitin 1983 botoi tekstin universitar “Gjeografia ekonomike e përgjithshme”, më pas – “Gjeografia”, në vazhdim: “Gjeografia ekonomike e shteteve”, “Hyrje në gjeografinë regjionale” etj

Me shumë interes ishin për Universitetin edhe dy tekstet e tjera; ato me titull “Gjeografia humane e Shqipërisë” dhe “Gjeografia e industrisë”.

Prof. Selman Sheme është autor edhe i shumë teksteve mësimore për nxënësit e shkollave të mesme. Do të bëhej një listë e gjatë po të shënonim titullin e çdo teksti, por po mjaftohemi vetëm në tre prej tyre: “Gjeografia e kontinenteve jashtë Europës”,  “Gjeografia 11 për gjimnazin e SHSHGJ – së në Kosovë” dhe “Gjeografia 12 për gjimnazin e SHMN – së në Kosovë”.

I vlerësuar si figurë e shquar shkencore, i janë ngarkuar detyra me mjaft përgjegjësi

Filluar që nga viti 1991 e deri më sot Prof. Selman Shemes i janë besuar detyra me shumë rëndësi. Për mjaft vite ka qenë anëtar i komisionit të miratimit të teksteve të gjeografisë, komision i ngritur pranë Ministrisë së Arsimit. Për mjaft vite të tjera ka qenë përgjegjës i seksionit të Gjeografisë Humane në departamentin e gjeografisë pranë Universitetit Shtetëror të Tiranës. Ka qenë sekretar shkencor i revistës “Buletini i shkencave shoqërore”, botimi Universitetit Shtetëror të Tiranës.

Nisur nga dimensioni shkencor, Prof. Selman Sheme për mjaft vite ka qenë zgjedhur nënkryetar i Këshillit Kombëtar të Gjeografisë pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencave. Po kështu, ka qenë kryetar i Shoqatës Shkencore Didaktike të Gjeografisë, drejtor ekzekutiv i Institutit të Studimeve të Çamërisë.

Që nga viti 2009 e në vazhdim është drejtor i Redaksisë së Gjeografisë për hartimin e Enciklopedisë së Shqipërisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike. Ndërkohë ka qenë dhe vazhdon të jetë anëtar i Komitetit Internacional të Fondacionit “Emanuel”për jugun e botës.

Përmes botimesh të shumta, është bërë një emër shumë i respektuar

Prof. Selman Sheme ka botuar në organe të shumta shtypi, brenda e jashtë vendit, një numër të lartë artikujsh shkencorë. Ndërkohë, ka mbajtur referate e kumtesa, 46 të tilla, në mjaft konferenca e simpoziume kombëtare e ndërkombëtare. Ka qenë i pranishëm dhe ka folur në studio të ndryshme televizive, si në Tiranë, Prishtinë,  Tetovë, Athinë e deri në Nju York.

Prof. Selman Sheme ka udhëhequr 28 doktoratura dhe magjistratura etj.

Libri më i fundit i Prof. Selman Shemes: “Çamëria – vështrim gjeopopullativ dhe etnokulturor”, promovimi i të cilit u organizua në sallën e Akademisë së Shkencave në prani të shumë akademikëve dhe figurave të tjera të shquara të shkencës e të politikës, është një akuzë e fuqishme që i bëhet padrejtësisë historike të popullit tonë, sikundër është një akuzë uluritëse kundër qarqeve shoviniste greke, që kanë mbajtur nën thundër një popull të pafajshëm, siç është ai shqiptar, që banon prej shekujsh në trojet e tyre, në Çamërinë martire.

Pas pak ditësh, pikërisht më 27 qershor 2021, në sallën e Akademisë së Shkencave do të organizohet një Konferencë Shkencore për çështjen Çame. Prof Selmani do të kumtojë i pari referatin kryesor të kësaj konferenceje me titullin: “Parashtrimi historik dhe perspektiva e zgjidhjes së Çështjes Çame”.

Ora e historisë ecën ngadalë, don të thotë profesori i nderuar në ligjërimet që mban, por ajo nuk ndalon e nuk do të ndalojë asnjëherë.

Me bijë të tillë, si Prof Selman Sheme, Çamëria, por jo vetëm kjo, ka të drejtë të ndihet krenare.