Shqipëria/Aktualitet

Instituti Albanologjik: Java e albanologjisë 12/2021

Kj është hera e dymbëdhjetë që Instituti Albanologjik organizon Javën e Albanologjisë, ku marrin pjesë, me kumtesat e tyre, studiues nga e gjithë Shqipëria (jo vetëm nga Shqipëria politike) dhe studiues të huaj nga vende të ndryshme të rajonit e të botës. Java e Albanologjisë, për shkak të pandemisë, nuk është mbajtur vjet (2020). Edhe sivjet, kryesisht për shkak të virusit korona, Java e Albanologjisë është kufizuar vetëm në tre ditë.

Konferenca shkencore, Java e Albanologjisë, nisi sot, në Institutin Albanologjik. Ajo u hap nga Drejtori i këtij Instituti, Hysen Matoshi. Aty ishte edhe Akademik Rexhep Qosja, Kryetari i Akademisë së Shkencave në Tiranë, Skënder Gjinushi, Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Prishtinë, Mehmet Kraja, Emin Lafe, Pëllumb Xhufi, Shefkije Islami, Agim Vinca e shumë studiues të njohur të shkencave albanologjike. Për këtë ngjarje të shënuar kishte ardhur edhe Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. Enkas nga Shkupi shqiptar kishte ardhue edhe Drejtori i Agjencisë për zbatimin e gjuhës, Ylber Sela. Java Albanologjike, për shkak të numrit të madh të kumtesave, do të mbahet në disa sesione e në dy salla. Në programin e Javës së Albanologjisë janë të përfshira mbi 80 kumtesa.

Sot, Sekretari shkencor i Institutit, Lulëzim Lajçi, paraqiti para të pranishmëve edhe rezultatet e Institutit Albanologjik në fushën e botimeve gjatë kohës së pandemisë (mbi 60 vepra të botuara, midis tyre edhe vepra e plotë – kompleti i Anton Çetës).

E veçanta e kësaj Jave Albanologjike ishte ardhja dhe pjesëmarrja e Akademisë së shkencave dhe arteve të Kosovës, Kryetarit të saj. Marrëdhëniet e ASHAK – ut me Institutin Albanologjik kanë qenë të “ngrira”!! Ndonjë arsye “madhore” për këto marrëdhënie të këqia, me sa dihet, nuk ka patur. Por, kjo Akademi, siç e dimë të gjithë, ishte nën ndikimin e “vrazhdë” të LDK – së!! Njerëzit me të drejtë e quanin “klub i LDK – së”… Ardhja e Kryetarit të saj, Mehmet Krajës, sot ishte LAJM dhe shpresojmë të jetë edhe një “epokë” e marrëdhënieve të mira e normale ndërmjet këtij Instituti dhe ASHAK – ut.

Ngjarje e rëndësishme e kësaj Jave Albanologjike ishte edhe Shpallja e Akademik Jani Thomait Anëtar Nderi i këtij Instituti. Certifikatën e Anëtarit të Nderit e mori vajza e Jani Thomait, sepse ai e kishte patur të pamundur të vinte (për shkaqe shëndetësore). Për Akademik Jani Thomain mbajti një fjalë studiuesia e njohur, Shefkie Islami, e cila foli për veprimtarin dhe kontributet e jashtëzakonshme shkencore të Akademik Thomait.

Java Albanologjike vazhdoi me leximin e kumtesave sipas programit… Ajo do të mbahet edhe nesër e pasnesër.

(Xh. Gj.)