Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CXXIV) – Gostivari – qyteti që mbrojti me gjak Flamurin tonë kombëtar

Pollogu është një fushëgropë në perëndim të Republikës së Maqedonisë Veriore, i gjatë 55 km dhe i gjerë 8 deri 12 km. Në këtë fushë ndodhen dy qytete; Tetova dhe Gostivari. Gostivari ndodhet në krye të Fushës së Pollogut dhe në rrjedhën e epërme të lumit Vardar, në rrugën magjistrale Shkup – Ohër dhe mes qyteteve Tetovë (20 km) e Kërçovë (45 km). Me rrethinën e tij të një natyre të mrekullueshme, me klimën e mirë, me fushën e gjerë e tokën pjellore, me pozitën fushore mes dy maleve të larta, Malit Sharr dhe Malit të Thatë, Gostivari është nga qytetet më të bukura të trojeve shqiptare. Qyteti ka pozitë shumë të mirë gjeografike, duke qenë një vend shumë i përshtatshëm për të jetuar. Gostivari sot është një vendbanim bashkëkohor, një qendër administrative, ekonomike, kulturore, arsimore e shëndetësore, ku gravitojnë rreth 90 fshatra të zonës fushore e malore të të dy anëve të lumit Vardar. Është ky një mjedis shqiptar, ku në harmoni me shqiptarët jetojnë edhe maqedonasit, turqit e romët.

Në afërsi të qytetit, në Vërtok, vetëm 5 km larg, buron lumi Vardar, lumë i cili, me ujin e pastër të burimit, i bie rrëmbyeshëm përmes qytetit të Gostivarit për të vazhduar fushës së begatshme të Pollogut. Gostivari është nga qytetet më të mëdha në R, e Maqedonisë Veriore. Në vitin 1874 kishte 400 shtëpi me rreth 2000 banorë, kurse në fund të shekullit popullsia ishte rritur në rreth 3500 banorë. Një etnolog bullgar, V. Kinçev, ka shënuar se Gostivari, në fund të shek. XIX, ka pasur 3735 banorë, nga të cilët 3180 shqiptarë, 310 të krishterë, 200 romë. Në vitin 1948 qyteti kishte rreth 8000 banorë e në vitin 2002 – 35 mijë. Del se edhe Gostivari është një vendbanim i hershëm. Historiani romak, Tit Livi, e quan qytetin e Gostivarit me emrin DrauDAK, duke saktësuar se mbreti i fundit maqedon, Pasai, rreth viteve 179 – 163 p.e.r., me 10 mijë ushtarë e kishte pushtuar këtë qytet. Në gjysmën e parë të shek. XVI përmendet si qendër banimi, kurse si qytet për herë të parë përmendet në shek. XIX, kur kishte çarshinë dhe ditën e pazarit. Në vitin 1850 gjeologu dhe ballkanologu Ami Beu, Gostivarin e përshkruan si “fshat të madh”. Në fillim të shek. XX Gostivari merr statusin e kazasë, kurse në vitin 1914 bëhet rreth (srez) i Pollogut të Epërm. Pushtimi serb i qytetit të Gostivarit, në vitin 1912, e keqësoi jashtëzakonisht pozitën e popullsisë shqiptare të kësaj treve, duke i mohuar çdo të drejtë kombëtare, duke zbatuar dhunë dhe duke i detyruar shqiptarët të shpërngulen masivisht në Turqi. Edhe pas LDB Gostivari mbeti nga komunat më të prapambetura të R. së Maqedonisë, kurse popullsia shqiptare sërish përjetoi dhunë, shtypje e shpërngulje nga trojet e veta. Rreth prejardhjes së emrit të qytetit ka disa versione, por versioni më i besueshëm duket se rrjedhë nga fjala gost – mysafir e që kuptohet edhe si miqdashës apo vendtakim i mysafirëve. Me emrin e qytetit të Gostivarit lidhet një personalitet luftarak i LDB, Xhemë Hasa, i mbiquajtur si Xhemë Gostivari. Xhema fillimisht ishte oficer i Mbretërisë shqiptare, kurse gjatë LDB luftoi kundër pushtuesve italianë dhe, në fund, edhe kundër forcave sllave, duke kundërshtuar ripushtimin e Gostivarit me rrethinë. Ai ishte komandant i forcave shqiptare në Maqedoninë e sotme perëndimore, që luftoi me trimëri të pashoqe dhe vetmohim, me qëllim të çlirimit dhe bashkimit të të gjithë shqiptarëve në një shtet. U vra mizorisht më 6 maj 1945.

Në mbrojtje të Flamurit Kombëtar dhe të të drejtave kombëtare, më 9 korrik 1997, në Gostivar ndodhi një konflikt mes qytetarëve shqiptarë dhe policisë maqedonase, kur u vranë tre të rinj protestues. Ishte intervenimi brutal i policisë ndaj mijëra qytetarëve shqiptarë, që mbronin flamurin shqiptar, i vendosur në objektin e komunës së Gostivarit. Në vend se të dënoheshin kriminelët, të veshur me uniformë të shtetit që kishin vrarë njerëz të pafajshëm, gjykata shoviniste e Gostivarit i dënoi dy krerët komunalë; kryetarin e komunës, Rufi Osmanin me 13.8 vjet burg dhe kryesuesin e Këshillit Komunal, Refik Dautin, me 7 vjet burg.

Gostivari kishte një ekonomi solide në sistemin monist, por aty vështirë punësoheshin shqiptarët, pos në punët më të rënda fizike. Duke pasur një papunësi të vazhdueshme të lartë, edhe varfëria ishte në shkallë të lartë kurse, për të siguruar mbijetesën, shqiptarët kanë qenë të detyruar të lënë vatrat dhe të marrin botën në sy. Kështu, komuna e Gostivarit sot ka migracionin më të madh në Republikë. Qyteti sikur ringjallet gjatë muajve të verës, kur vijnë për pushime dhjetra mijëra bashkatdhetarë nga shumë vende të botës. Nga vlerat e Gostivarit dhe rrethinës është edhe trashëgimia kulturore, si një përbërës i rëndësishëm i jetës, që konsiderohet potencial edhe për zhvillimin e turizmit. Në Gostivar ekzistojnë objekte me vlera të larta natyrore, historike, arkeologjike, etnologjike, arkitektonike e kulturore. Nga këto vlera dallohet veçanërisht Kulla e vjetër e Sahatit, një monument i trashëgimisë kulturore që është bërë simbol i qytetit. Për t’i ruajtur vlerat e krijuara në shekuj dhe të përcjellura brez pas brezi, në Gostivar është hapur një qendër për mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, e quajtur “Qendra për konservim”. Nga kultivimi i folklorit karakteristik të Gostivarit me rrethinë është dalluar shoqëria kulturore artistike “Besa” e Gostivarit dhe SHKA “Jahi Hasani” e fshatit Çegran. Qendra rekreative – sportive është nga më të mëdhatë në republikë për zhvillimin e pothuaj të gjitha veprimtarive sportive.

Territori i komunës së Gostivarit është fushë e begatshme dhe malet janë të larta e të pasura me pyje, me burime të shumta e ujëra të mjaftueshme, me lumenj dhe përroje, me burimin më të madh të lumit më të gjatë në R. e Maqedonisë së Veriut, me liqenin dhe Parkun Kombëtar të Mavrovës, 25 km larg nga Gostivari, me shpellën e Gjonovicës… Në Shpellën e Gjonovicës, e gjatë qindra metra, në thellësinë nëntokësore të saj, ndodhet edhe një ujëvarë e madhe nëntokësore, një monument i rrallë natyror botëror. Gostivari ka çka t’i ofrojë vizituesit, turistit të vendit dhe turistit të huaj. Pos bukurive natyrore, monumenteve natyrore e kulturore, trashëgimisë së pasur, ka edhe njerëzit bujarë e mikpritës, ka kapacitete hoteliere e turistike të nivelit të lartë. Për t’i njohur sa më mirë këto pasuri mund t’ju ndihmojë edhe Info-Qendra turistike e Gostivarit.

Postimet e fundit !