Shqipëria/Aktualitet

Lindi, jetoi, vdiq dhe u varros si shqiptar

Dje, në vendlindjen e tij, në Hogosht, u varros veprimtari dhe atdhetari i dalluar, Aqif Kastrati, që vdiq në moshën 66 vjeçare. Ai ishte nga një familje me tradita kombëtare atdhetare. Bijë të kësaj familje kishin bërë shumë vite burg edhe në kohën e Jugoserbisë titiste, kurse vëllau i tij, Isa, kishte rënë me armë në dorë për çlirimin e Kosovës shqiptare, në vitin 1999… Aqifi gjithë jetën e tij e jetoi si shqiptar i përkushtuar dhe angazhuar për liri e për Shqipëri. Të këtillë ishin dhe janë të gjithë atdhetarët e dëshmuar e që në tokat e pushtuara të Shqipërisë nuk ishin dhe nuk janë pak. Mirëpo, për habinë e për dobësinë tonë (kryesisht të familjeve) shumica e veprimtarëve, luftëtarëve dhe atdhetarëve të dëshmuar varrosen si të ishin “arabë”!! Ceremonia e varrimit, e imponuar nga kleri i rekrutuar, që nuk respekton gjuhën tonë dhe traditat tona shqiptare, bëhet edhe sot(!!) në gjuhën arabe!! Një jetë shqiptar, edhe paraardhësit shqiptarë, dhe kur vjen puna varroset si “arab”!! Fajtore është familja që nuk i tregon vendin klerit që nuk shërben në gjuhën tonë dhe që fyen ndjenjat tona kombëtare…

Familja e Aqifit me shumë dinjitet e bëri varrimin pa shërbimet e pa ceremonitë fetare. Në fund të fundit ç’kërkojnë klerikët te varrezat?! Të vdekurin e varrosin familja, farefisi dhe miqtë e shokët e tij… Kleriket tanë duhet të mësohen dhe ta kuptojnë se nuk janë “përfaqësuesit” e zotit në tokë, por janë shërbëtorë të besimtarëve e të familjeve… Dhe, më e rëndësishmja, klerikët, para se të jenë “myslimanë” a të “krishterë” janë shqiptarë! Të qenit shqiptarë është vullnet suprem i zotit. Prandaj, ky vullnet duhet respektohet nga klerikët dhe, sidomos nga familjet dhe populli shqiptar. Të gjitha lutjet dhe ceremonitë mund të bëhen fare lehtë dhe shumë bukur në gjuhën e perëndive, në gjuhën shqipe. Ndryshe duhet të konsiderohet si organizim dhe projekt antishqiptar… Feja-besimi duhet të predikohet në gjuhën e popullit e të besimtarëve dhe ta ketë fytyrën dhe “porosinë” shqiptare…

I përjetshëm kujtimi dhe nderimi për Aqif Kastratin! Lamtumirë shoku ynë!