Vështrim/Analizë

Mendim Shkreli: Mjerë SHKODRA! Lëngata e një qyteti të zaptuar që dikur shkëlqente. Mjaft më me shfajësimin se fajin e ka regjimi i Enver Hoxhës

Thuajse një shekull më parë, në zgjedhjet parlamentare që do të bëheshin në Shqipëri, kishte lindur problemi i delegimit të shqiptarëve që jetonin, si quhej aso kohe, të përtej Drinit, pra, për shqiptarët e Kosovës, që do të përfaqësonin në Kuvendin e Shqipërisë ato treva.

Ishte fjala për personalitete të rëndësishme kombëtare, si Bajram Curri, Hasan Prishtina, Bedri Peja, Hoxhë Kadria, që ishte edhe kryetari i Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës dhe, më pas, do të ishte ministri i parë i drejtësisë në Kuvendin e Lushnjës, Hysni Curri, që më vonë do të jetë deputet i Parlamentit të vitit 1946 etj.
Çfarë do të bëhej me to? Si do të mund të zgjidheshin? Dhe ishte menduar se në disa nga qytetet e njohura në veriun e Shqipërisë apo krahina luftëtarësh të bëhej edhe kandidimi i tyre.

Shkodrës i propozuan Bajram Currin. Një figurë e njohur, që kishte lidhje të vazhdueshme me Shkodrën. Megjithatë, paria e Shkodrës i dërgoi fjalë Këshillit Kombëtar që u kishte propozuar se “nderimet më të mëdha për Bajram Currin, e kemi mik zemre dhe shtëpitë e zemrat tona janë hapun për të, por, për deputetë, kemi bijtë tanë, fiset tona dhe njerëzit tanë”.

Zgjidhja pastaj erdhi ndryshe, përmes një vendimi të veçantë, që i lejonte të ishin pjesë e Parlamentit të vjetër.
Më është kujtuar kjo gjë dhe kam ndjerë dhimbje për Shkodrën e tashme. Përse?

Disa ditë më parë ndodhi një vrasje mafioze në një vend që quhet Livadhe, ku dikur, zotnit e Shkodrës ndërtonin foljetat e tyre (foljetë është vendi i ngritur si pritë për të gjuajtur zogj), dhe tani, po ndodhin disa vrasje të njëpasnjëshme. Vrasja e tanishme, do të doja, por nuk do të jetë e fundit.
Gruaja e të vrarit, me zërin që i dridhej deklaroi para medias, fillimisht se ishte e bindur se burrin, babain e fëmijve të saj nuk ia kishte vrarë askush nga FISI I LICËVE. Pas saj qëndronte nëna e të vrarit dhe tundte kokën në shenjë pohimi. Një ditë më pas, gruaja doli përsëri dhe tha se “ e kishin marrë në telefon nga fisi i BAJRAJVE DHE I KISHIN THËNË SE, AS ATA NUK IA KISHIN VRARË BABAIN E FËMIJVE”.

Meqenëse nuk ia njoh mirë historinë Shkodrës, hyra në librin dy vëllimësh “Shkodra dhe motet”, të historianit të shquar Hamdi Bushati dhe nisa të gërmoj për të gjetur diçka për këto dy fise, të cilët, si në mesjetë dërgojnë kasnecë dhe deklarojnë se “Fisi ynë nuk e ka vrarë një si shok të tyre”.

Gjeta të dhëna të shumta për Bushatlinjtë, Koliqët, Rrojet, Topallët , Suma, Kopliku, Gjylbegët, Dizdarët, Mushanët, disa të krishterë dhe disa muhamedë dhe të tjerë që ishin në dy besimet, Dabërdakët, Lukajt, për fisin Beci dhe Gjyli – ulqinakë të shkodranizuar, për fiset malësore të Gjo Lulit dhe të Mehmet Shpendit, Gurakuqët, të Vaso Pashës, Kukajve, Marubët e famshëm, Shkrelët, Boriçët, shtëpitë dhe bibliotekat e tyre, ndoshta më të mëdha se sa vetë biblioteka e shtetit sot, kinemanë e parë, fotografinë e parë, skuadrën e parë të futbollit në Shqipëri, me të njëjtin emër si edhe sot, por, në asnjë vend nuk gjeta diçka për këto fise që, pasi godasin dërgojnë fjalë në emër të fisit të tyre.

Kush janë këto njerëz, që tani quhen fise, të cilët kanë zaptuar Shkodrën, së bashku me gjithë farë “kumbarësh” e “probatinësh”, që u venë në derë pronarëve të ligjshëm dhe u thonë “lëshoma lokalin”, që kërkojnë haraç nga biznesmenë dhe ndërtojnë një perandori të së keqes.

Shkodra nuk është kjo dhe nuk mund të jetë si këto figura që , të mbyllur pas mureve të larta, shpesh herë në kërkim nga policia, që e di mirë se ku janë, por i dërgon fjalë së po vijmë, dhe, pas këtyre mureve bëjnë ligjin e krimit dhe të ndëshkimit. Qyteti e rrethinat kanë mbetur si në një darë, jeta zhurmon, por pak jetë ka brenda saj.

Në hyrjen e qytetit, sa herë që shkoj në Shkodër nga Podgorica, në lagjen e njohur Dobrap, ku është “fisi” i Bajrajve , pikërisht në të majtë të rrugës, është ngritur një vilë që pak kund e ka shoqen e saj. Më thonë se është e Bajrajve, që pasi u arrestuan gjithë zhurmë e bujë, tani janë në liri. Pikërisht gjatë kohës së burgut të tyre ata e ngritën këtë vilë. Me lëndë të zgjedhur. Vila nuk është nëntokë, kur e di unë si shqiptar i jashtë kufijve zyrtarë, e dinë të gjithë. I madh dhe i vogël.

Banorë të lagjes, dikur e shquar si lagjja e Haxhi Hajdarit, tash e mbyllur si lagjja e Bajrajve. Më tej lagja Kiras, ku sundojnë Licët. Në mes, më thonë, janë Bilalët. Në Shkodër, jam i bindur, duhet të ketë zyrë finance, kontroll financiar dhe taksave, nganjëherë, si mësojmë nga lajmet, ata vrapojnë të prishin edhe një ndërtim druri buzë liqenit apo detit, por këtë vilë nuk e shohin.

Nuk është faji vetëm i regjimit totalitar. Kaluan 30 vite pluralizëm. U ringjall mëria, por jo dinjiteti. U zaptua qyteti nga disa banditë, por nuk u ngrit e drejta. Qyteti që kishte dikur në hyrjen e tij atë që njihej si tregu më i madh i Ballkanit, “ Bexhisteni”, me rreth 4000 dyqane, tani shet në rrugë përmes çikrrimtarëve.

30 vite me radhë e qeverisi vetëm një forcë politike: e djathta. 30 vite me radhë i premtuan Shkodrës se do e bëjnë një qytet model, të rregullt, me shije, punë plot dhe, si shpërblim për besnikërinë, do e kishin shembull për gjithë shqiptarët. Asgjë nuk është bërë, ose thuajse asgjë. Nuk mund të quhet qyteti i ngritur se është përshtatur një rrugë tregtare që nuk e di pse e quajnë Pedonale. U desh ndërhyrja e qeverisë së tanishme për të patur një stadium dinjitoz, të bëhet ndryshe Shiroka, ku ujrat e liqenit janë mbushur me barëra dhe tani njerëzit presin nga një deputet i porsazgjedhur, Benet Beci, për të bërë ndryshime.

30 vite të qeverisësh një qytet dhe të mos bësh një treg të denjë, të mos krijosh asgjë të veçantë, të durosh një drejtuese bashkie mediokre, që mburret se do të kishte gjuajtur me bomba molotovë, se kështu bëhet e pëlqyeshme për partinë e saj, të mbash rreth vetes mediokër dhe zaptues, kjo nuk është Shkodra.

Qyteti gjallon përmes disa ndërmarrjeve që punojnë me material të huaj, tregu i të cilave luhatet. Uzina e Telave dhe e Kabllove, të cilën shkoj ta shoh, është një katrahurë shkretie, dhe, kur më thonë se këtu kishte dikur 4.000 mijë punëtorë, më duket ëndërr e pabesueshme.

Lexoj më tej në librat e profesorit të shquar Hamdi Bushati. 40 vite më parë Shkodra kishte më shumë se 48 mijë punëtorë, një zonë të tërë industriale, disa kombinate, uzinën e Telave dhe të Kabllove, që tregtonte në rreth 100 vende të botës , uzina mekanike, vreshtën e Shtojit me 860 hektarë, më të madhen në Ballkan, për të mos shkuar më thellë në histori, kur qyteti tregtonte me Venedikun, Milanon, Parisin, Londrën, kishte agjentët e vet financiar, vendet e rezervuara për mysafirë të nderuar në lozhat e sallave kuvendore në shumë qytete italiane, në Raguzë, deri në Siliqinë e largët.

Tani, qyteti është i heshtur. Njerëzit jetojnë përmes çikërrimave, zona industriale është bosh, e heshtur, gërmadhë janë bërë ndërtesat e mëdha. Kjo periudhë që quhet demokraci nuk i ringriti më familjet e mëdha, të njohura, jo thjeshtë si biznesmenë dhe tregtarë të guximshëm dhe për dyert e hapura, nuk u dha atë që ato duhet të kishin, shumë prej tyre ende sot nuk kanë marrë as gjysmën e pronave të dikurshme të tyre, apo ekuivalentët e saj, por as në këto 30 vite nuk e gjetën veten, veçse përkohësisht. Për aq sa u janë dashur. Ka vendosur nga një në listë për deputetë dhe pastaj i ka zbuar, qofshin edhe profesorë të shquar si Gurakuqi, apo të ndershëm si Bushati.

Nëse bashkia ende nuk e di dhe as qeveria nuk e dëgjon si duhet, Shkodra është në lëngatë. Mjaft më me shfajësimin se fajin e ka regjimi i Hoxhës. Ai regjim iku. Këto që erdhën ishin grykës të mëdhenj, disa herë banditë dhe e lanë qytetin nën sundimin e “ fiseve” që nuk janë asgjë tjetër, veçse banditë.

Shkodra që ishte nën sundimin e mendjes, tani është nën sundimin e bandave. E trishtueshme, por është fakt. Këtë e shohim edhe ne, që vijmë si tek vendi djep i kulturës dhe shohim se po gabohemi. (Botuar në DITA )