Portreti/intervista

Ramadan Avdiu: Uragani i lirisë Ali Ajeti

32 vjet bëhen sot nga rënia heroike e Dëshmorit Ali Ajeti në përballje me forcat e policisë pushtuese. Ali Ajeti për idetë e tij çlirimtare do të dënohet nga gjykata e pushtuesve në qershor të vitit 1984 me 5 vite burg. Në këtë kohë nga të gjitha të ashtuquajturat gjykatat e rretheve në Kosovë u dënuan mbi 300 veprimtarë të rreshtuar në Lëvizjen e Organizuar Klandestine për rezistencë antipushtuese… Aliun e takova dhe e njoha në burgun e Mitrovicës në vitin 1984. Disa ditë pasi na dënuan, pra në verë të vitit 1984, pushtuesit padrejtësisht ekzekutuan një shqiptar nga Samadrexha – Ferat Muji, i cili ishte dënuar me vdekje për vrasje në vetëmbrojte, të një bashkëfshatari të tij serb që e kishte sulmuar Feratin dhe e kishte goditur me mjete të forta në kokë. Deri disa ditë para ekzekutimit Ferat Muji kishte qëndruar në burgun e Mitrovicës. Me të dëgjuar për ekzekutimin e Ferat Mujit Ali Ajeti ka dalur në dritare të burgut dhe ka protestuar me tërë fuqinë e tij. Ai ka kërkuar që në shenjë nderimi për Ferat Mujin dhe në shenjë proteste kundër pushtuesve të bëjmë tre ditë grevë urie. Duke qenë se ndërtesa e burgut në Mitrovicë është në formë rrethi, fjala e Aliut u dëgjua në të gjithë burgun dhe për tre ditë përkundër dhunës asnjëri prej të burgosurve jo vetëm politik nuk pranoi të marrë ushqimin duke shprehur në këtë formë revoltën tonë për ekzekutimin e Ferat Mujës. Sapo kam dalur nga burgu në shkurt të vitit 1989, Aliu ka ardhur për të më vizituar në shtëpinë time me bashkëveprimatrin e bashkëluftëtarin Afrim Zhitija. Deri në shpërthimin e demonstratave në Mars të vitit 1989, Aliun e takova edhe disa herë në Prishtinë, në Sveçel dhe në Besianë për të bashkërenduar aktivitetet në organizim të rezistencës. Ai ishte si një uragan i lirisë, shumë i përkushtuar, shumë i vendosur dhe i gatshëm për flijim e sakrificë për liri e atdhe. Pas kalimit të tij në fshehtësi të thellë bashkë me disa veprimatrë të rrethit të Llapit, pas demostratave të Marsit 1989, e që njihet si Çeta e LLapit, Aliun nuk pata rastin ta takoj më ngase me ata veprimtarë pas kalimit në fshehtësi të thellë zakonisht takohej Afrimi. Kur dëgjuam për ardhjen e një delegacioni nga Parlamenti Evropian për të parë nga afër situatën në Kosovë, Lëvizja Popullore e Republikës së Kosovës kishte marrë vendim për organizim të manifestimeve të protestës në mënyrë që të shohin nga afër të ardhurit nga PE se shqiptarët nuk pajtohen me gjendjen e tyre prej të robëruari. Në Besëjan (Podujevë) gjatë paraditës së 30 Majit 1989, kishin filluar të grumbullohen qytetarët ndërkaq me të filluar protesta policia pushtuese serbe përqëndrohet në ndjekje të veprimtarëve dhe organizatorëve në mesin e të cilëve ishte Ali Ajeti. Në tërheqje e sipër duke mbrojtur shokët ai do të bie heroikisht me armë në dorë në arat me grurë të fshatit Miroc… Derisa po përgaditeshim për të filluar protestën në Prishtinë dëgjuam për rënien e Aliut në një luftë të hapur me forcat pushtuese dhe shërbëtorët e tyre në fshatin Miroc të Besjanëa. Me të marrë këtë lajm të trishtueshëm Afrim Zhitia dhe disa bashkëveprimtarë shkuan në trevën e Llapit për të ndihmuar shokët e tjerë të cilët ishin të rrezikuar, kurse ne vazhduam dhe organizuam protestën në Prishtinë me moton;: “Jo, jo Serbi nuk do të jesh Perandori”. Më 30 Maj 1989, në Prishtinë mijëra studentë e qytetarë protestuan deri në orët e vona të mbrëmjes dhe atë natë Parlamentarët evropian, të cilëve pushtuesit kishin tentuar t’ua fshihnin vrasjen e Aliut, kontaktuan edhe me demonstruesit në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, ku u njohën me kërkesat e shqiptarëve dhe vendosmërinë e tyre se kurrë nuk do të pajtohen me robërinë dhe se ashtu si Ali Ajeti do të luftojmë për lirinë dhe pavarësinë tonë deri në pikën e fundit të gjakut. Pastaj demonstruesit brohoritën emrin e Ali Ajetit. Për dy ditë rresht protestuesit krahas parullave dhe thirrjeve të tjera si: “Kosova Republikë”!, “Mos lejoni Apartheid në Evropë”!, “Jo, jo Serbi nuk do të jesh perandori”!, etj. kanë brohoritur me thirrjen Ali Ajeti Hero! Ali Ajeti iu bashkua vargut të heronjëve për liri. Ai ishte pasues i Shaban Shalës, Fazli Grajqevcit, Rexhep Males e Nuhi Berishës dhe pararendës për Afrim Zhitinë, Fahri Fazliun, ishte pararendës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Jo vetëm ne që e njohëm, por të gjithë brezat që do të vinë me pietet e krenari do ta kujtojnë Heroin e Kombit Ali Ajeti, shtatorja e të cilit i bënë roje lirisë së atdheut… Lavdi jetës dhe veprës së Aliut!